Ministri Tahiri, INTERPOL: Haradinaj nuk është shtetas ish-Federatës së Serbisë

Shteti shqiptar dhe krejt politika shqiptare në sulm diplomatik dhe politik ndërkombëtar për të liruar ish-kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj. Në fillim ishte Ilir Meta e më pas krejt shteti shqiptar. Ndërsa sot pasdite ka reaguar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit ndërkombëtar për zotin Ramush Haradinaj.

 “Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit që unë drejtoj, të shpreh konsideratën më të lartë për punën tuaj si dhe t’Ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer më Policinë e Shtetit shqiptar gjatë vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, kam ndjekur me shqetësim të madh arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, njëherazi dhe një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës kundër genocidit serb, z. Ramush Haradinaj, në Paris në datë 4 janar 2017, në zbatim të një Urdhër Arresti të INTERPOL-it”, shkruan ministri.

Ministri Tahiri thekson në letër, se zbatimi i këtij Urdhër Arresti, cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të drejtat e njeriut.

 “Haradinaj, subjekt i këtij Urdhër Arresti është hetuar, gjykuar dhe gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, një autoritet gjyqësor ndërkombëtar i posaçëm që ka marrë një vendim për pafajësinë e tij, pas një procesi të gjatë e të drejtë, në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare të drejtësisë penale. Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, vë në dukje Tahiri.

Ministri nënvizon se Urdhër Arresti ka gjithashtu probleme formale dhe proceduriale, duke renditur 3 prej tyre.

 “Në këtë Urdhër Arrest, z. Ramush Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative të Serbisë dhe Malit te Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që në vitin 2006;  më lejoni gjithashtu t’Ju rikujtoj se personi subjekt i Urdhër Arrestit ndërkombëtar në datë 6 qershor 2005 është ndaluar më parë nga autoritetet sllovene bazuar në të njëjtin Urdhër Arresti dhe është liruar menjëherë pasi autoritetet e kanë konsideruar atë si të pazbatueshëm; është e nevojshme gjithashtu të rivlerësohet nëse Urdhër Arresti ndërkombëtar plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga Konventa Evropiane për Ekstradimin”, pohon ministri i Brendshëm shqiptar në letër.  

Letra e Nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj për Presidentin e Asamblesë Parlamentare të KiE-s, z. Pedro Agramunt

 I dashur President,

Kam kënaqësinë e veçantë që t’ju dërgoj sërish urimet e mia më të mira për Vitin e Ri 2017!

Nisur nga ngjarja e fundit e ndalimit në France të Kryetarit të partisë së AAK-së (Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës) z. Ramush Haradinaj më lejoni të parashtroj qëndrimin tim si Kryetare e Delegacionit të përhershëm parlamentar pranë KiE-s si dhe Zv.Presidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-s.

Ndalimi i z. Ramush Haradinaj në një vend të KiE-s, bazuar në një urdhër të vjetër arresti të Serbisë, është i papritur e njëkohësisht i papranueshëm. Ai përbën një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut.

Kryetari i AAK-së, bazuar në vendimet e të dy Dhomave të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, është liruar nga çdo akuzë e përpara vitit 2004, për rrjedhojë ky ndalim është i paligjshëm dhe absurd.

Prishtina dhe Beogradi janë angazhuar në një proces të vështirë dialogu, nën vëzhgimin e BE-së dhe një veprim i tillë nga një vend anëtar i BE-së dhe KiE-s dëmton këtë proces shumë të rëndësishëm për të dy vendet dhe për rajonin.

Ky veprim jo vetëm që nuk ndihmon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve por krijon precedentin e rrezikshëm të mosrespektimit të drejtësisë dhe shkeljes së të drejtat themelore të njeriut (vendimet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë).

Një ngjarje e tillë nuk mund ta lërë indiferent KiE-n, e cila është angazhuar seriozisht në promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Personalisht mirëpres një reagim dhe qëndrim të KiE-s si dhe kontributin e saj për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj dhe sensibilizimin e të gjitha vendeve anëtare për mos përsëritjen e precedentëve të tillë në të ardhmen.

 

Sinqerisht

Valentina Leskaj

 

 

Pedro Agramunt

President of the Parliamentary Assembly of the Council of Europe

Strasburg

SHKARKO APP