Miratimi i ligjit për faljen e taksave të oligarkëve. PD-LSI padisin deputetët e PS

Një padi e rrallë penale është dorëzuar nga opozita kundër Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë deputetëve të Partisë Socialiste. Padia ka për bazë shpërdorimin e detyrës nga Kuvendi dhe zyrtarët e tij, lidhur me miratimin e ligjit për faljen e taksave ndaj bizneseve të mëdha.

Në prokurori janë paditur të gjithë deputetët e PS-së dhe funksionarët e Kuvendit të Shqipërisë që kanë shkelur Kushtetutën në lidhje me dekretin e presidenti të Shqipërisë, Ilir Meta. Kreu i shtetit rrëzoi ligjin që falte taksat për kompanitë e mëdha duke e cilësuar atë si anti-kushtetues.

Sipas ligjit, rrëzimi i një ligji nga kreu i shtetit duhet të shqyrtohet me procedurë të qartë parlamnetare në Komisionin e Ekonomisë. Gjithashtu, përfaqësues të Presidencës duhet të paraqiteshin në komisione për të dhënë argumentet se përse ligji ishte antikushtetues.

Por ndryshe nga sa ka ndodhur 28 vite me dekretet e Presidentit, mazhoranca e PS votoi brenda  8 orëve rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit si dhe miratimin e ligjit ekzistues që u fal taksat kompanive të mëdha në vend. Ligji në fjalë është hartuat për një grup të vogël biznesmenësh dhe përveç se u përgjysmon taksat për fitimin në të ardhmen, përcakton se këta biznese duhet të marrin dhe taksat që kanë derdhur në buxhet gjatë viteve të kaluara.

Për këto dhe arsye të tjera, Presidenti kërkoi mos miratimin e tij duke e cilësuar si një ligj diskriminues për bizneset e ndershme. Por mazhoranca, me një vendim të paprecedentë duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, e miratoi ligjin brenda pak orëve.

Dokumenti i padisë së hartuar nga PD dhe LSI është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, atë të Krimeve të Rënda dhe të Tiranës.

SHKARKO APP