Miratohet rritja e çmimit të ujit në Tiranë. Luan Rama: LSI nuk votoi

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 31 vota pro projektin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 40 përqind. Projekti është hartuar nga ekspertët e Bashkisë së Tiranës, UKT-së dhe USAID dhe do të dërgohet për miratim në Entin Rregullator të Ujësjellësit (ERRU). Bashkia miratoi projektit me argumentin se në këtë mënyrë Tirana furnizohet me ujë 24 orë në ditë brenda 5 viteve.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bojkotuan votimin. Ndërkohë, që në sallë në momentin e votimit 25 këshilltarë të PS, 3 të PDIU, 1 FRD dhe 2 këshilltarë të LSI. Këshilltarët e LSI kanë marrë vendim personal dhe nuk kanë qenë në mbledhje me miratimin e partisë.

Zv/kryetari i LSI, Luan Rama në një reagim urgjent  tha se dy personat që ishin në mbledhje dhe votuan pro, Genta Mezini e Agim Kraja, nuk përfaqësojnë qëndrimin e LSI.

 “Qëllimi politik dhe institucional është qëndrimi që u shpreh nga Eriona Bixha. Agim Kraja nuk përfaqëson LSI-në sepse ai ka qenë dikur me monarkinë, është kthyer ka ikur. Ne zgjodhëm rrugën institucionale. Ofruam seriozitet dhe zgjidhje ligjore. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e LSI. Jemi koherentë në qëndrimin tonë. Kemi një konstante të pandryshueshme që është shërbimi ndaj qytetarëve. Individë të veçantë mund të luajnë. Genta Mezinin nuk e njoh fare kush është, nuk e njoh për këshilltare të LSI-së. Koordinatorja e këshilltarëve të LSI-së, Erjona Bixha e bëri të qartë para se të fillonte mbledhja qëndrimin e këshilltarëve të LSI-së çdo lëvizje tjetër nuk ka të bëjë me qëndrimin e LSI-së”, deklaroi Rama.

Ndërkohë kundër miratimit ka qenë dhe Partia Demokratike. PD pretendon se ky vendim është marrë në shkelje ligjore, pasi korumi i mbledhjes nuk ka qenë i saktë.

 Këshilltarët e LSI në mënyrë zyrtare kërkuan dje nga Bashkia që para miratimit të këtij vendimi të merreshin parasysh 3 kërkesa. Kërkesat lidhen me kompensimin e rritjes së çmimit të ujit për familjet në nevojë dhe kompensimin e bizneseve që ofrojnë produkte të shportës.

Para nisjes së mbledhjes së Këshillit, Bashkia e Tiranës njoftoi mediat se kryebashkiaku Veliaj ka pranuar të gjitha kërkesat e LSI.

Këshilltarët e LSI të drejtuar nga koordinatorja Eriona Bixha kërkuan që kryebashkiaku Veliaj te përfshinte pranimin formal të kërkesave në planin e biznesit për rritjen e çmimit. LSI kërkoi që në rrugë institucionale, Bashkia të jepte qëndrim zyrtar për pranimin e kërkesave.

Kjo gjë nuk ndodhi gjatë orëve në vijim dhe zyrtarisht LSI u largua nga mbledhja e Këshillit Bashkiak ku u mor vendimi.

Në mbledhjen e sotme të këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se plani i biznesit do të garantojë një sërë investimesh që do të mundësojnë furnizimin pa ndërprerje. Në planin e biznesit të Bashkisë së Tiranës  parashikohen që 10 milionë euro të investohen për shtimin e burimeve të ujit, ku është identifikuar burimi i Gurit të Bardhë në Burrel që do t’i shtohet Tiranës, 5 milionë do të investohen për përpunimin dhe filtrimin e ujit, 50 milionë do të investohen në sistemin e transmetimit për të garantuar uljen e kostos dhe zhdukjen e humbjeve pasi sistemi do të jetë i papenetrueshëm, 50 milionë të tjera do të investohen në rrjetin e shpërndarjes që do të shtrihet në mënyrë kapilare në çdo lagje, sidomos në ato informale dhe ato të krijuara pas viteve 1990 si dhe 40 milionë të tjera do të investohen në kanalizime.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se përmes këtij vendimi qytetarët do të shpëtojnë nga depozitat dhe nga kostot shtesë që janë detyruar të paguajnë përveç faturës së UKT. “Të shpëtojmë nga pompa që është kosto më vete, të shpëtojmë nga blerja e ujit në markete që është kosto më vete, të shpëtojmë nga të gjitha ato shpenzime, energjia elektrike për të përdorur pompën. Të gjitha këto janë kosto, sepse njerëzit mendojnë se kosto është vetëm fatura e UKT”, tha ai. Veliaj deklaroi se shembulli i suksesit është Bashkia e Korçës, e cila pas ndryshimit të tarifës së ujit, siguroi realizimin e një sërë investimesh, duke siguruar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë.

Kreu i Bashkisë deklaroi se ata që sot kritikojnë, pavarësisht se e rritën çmimin e ujit të pijshëm me 125 për qind, si pasojë e keqmenaxhimit ulën kohën e furnizimit me ujë për qytetarët. “Investimet për herë të parë në 27 vjet janë rritur me 109%, pra kemi bërë 2-fishin e investimeve që janë bërë ndonjëherë në një vit normal. Ndërkohë orari i furnizimit, e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë dhe e kemi sot Tiranën me 13 orë ujë në ditë. Lulzim Basha dhe Sali Berisha e rritën çmimin e ujit fshehurazi, pa pasur burrninë të vinin këtu siç jemi ne në Këshillin Bashkiak dhe ta diskutonin, por fshehurazi e miratuan vetëm me vendim bordi 125 %”, tha ai.

Këshilltarët që votuan

PS-25

PDU-3

LSI-2

FRD- 1

SHKARKO APP