Monika Kryemadhi: Front Kombëtar Opozitar kundër krimit të organizuar
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se misioni i kësaj force politike është të jetë në opozitë me keqqeverisjen dhe me krimin e organizuar. “
“LSI nuk do të jetë në opozitë me PS dhe Rilindjen, por është në opozitë me krimin e organizuar dhe keqqeverisjen. Kjo qeveri nuk mund të jetë e majtë. Shqipëria ka nevoje akute për një opozitë të fortë. Ne duhet t’ua kthejmë qeverisjen shqiptareve me përgjegjshmëri dhe drejtësi për ta”,- u shpreh kryetarja e LSI-së.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar (KDK), Kryemadhi është ndalur në projektet dhe nismat konkrete të LSI-së. Kryemadhi u shpreh se LSI do të jetë opozitë e alternativës dhe jo opozitë e sharjeve dhe nihilizmit.
“Shqipëria ka nevojë për një opozitë të shëndetshme për të dhënë zgjidhje për krimin dhe varfërinë që po kap vendin”,- tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së ka folur dhe për nevojën e bashkimit të gjithë faktorëve opozitarë. Ajo propozoi krijimin e një Fronti Kombëtar kundër krimit të organizuar.
Në fjalën e saj në KDK, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi i dha sinjale të qarta kryedemokratit Lulzim Basha se ishte gati për bashkëpunim me të, kur foli për atë “frontin e gjerë opozitar”, të cilin e ka quajtur domosdoshmëri edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kryemadhi tha se do pranonte në këtë front çdo forcë politikë të majtë apo të djathtë për t’i bërë ballë rrezikut të krimit që sipas saj, ka kapur policinë dhe po shtrin duart tek drejtësia. “Koha nuk pret më, të krijojmë frontin e gjërë opozitar, qofshin ato me forca të majta dhe të djathta. Unë mendoj ta quajmë Front kombëtar kundër krimit të organizuar”.
VIDEO
https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1397945616984843/