Monika Kryemadhi krah protestuesve: Edi Rama mos të guxojë të afrohet
Pas thirrjeve të shumta të banorëve të zonës së Unazës së re, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u është bashkuar në mëngjesin e sotëm.
Kryemadhi është ulur mes banorëve për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, për dëmshpërblimin që kërkojnë nga ana e bashkisë, para se ajo t’i nxjerrë jashtë nga banesat e ndërtuara prej vitesh tashmë.
Banorët i kanë përsëritur Kryemadhit kërkesën e tyre për dëmshpërblim në vlerën 100%, nga e cila, ashtu si kanë thënë edhe sot, nuk tërhiqen.
Pas takimit me banorët Monika Kryemadhi dha një deklaratë për mediat, ku i bëri thirrje Ramës që të mos afrohej dhe të prish banesat pa dëshmpërblim.
“Projekti në të cilën Edi Rama në unazën e re, do të vjedh paratë e shqiptarëve. Pronat e shqiptarëve, nuk i konsiderojnë. Ja ku është një pallat që i shikoni, nuk s’postohet rruga 10 metra, por zgjerohet këtej nga fukarenjtë dhe hallexhinjtë. Edi Rama duket ta kuptojë shumë, se shqiptarët e toleruan me votën. Po i bëj thirrje, atij një, Afrim Qendros 2 dhe kompanive që duan të ndërtojnë rrugë, të mos afrohen këtu. Këta qytetarë nuk kanë për të toleruar, këta që po shkatërrojnë banesat, për të fituar lekë. Ky njeri duhet ti dëmshpërblejë se kanë 27 vite që paguajnë taksat”, tha Monika Kryemadhi për mediat pas takimit me banorët.
Kryetarja e LSI Kryemadhi e cila iu bashkua sot protestuesve të Unazës së re ka paralajmëruar qeverinë që të mos prishë shtëpitë e tyre dhe i ka dhënë ultimatum kompanisë Salillari fituese e nje prej tre tenderave me vlerë 40 miliinë euro, që mos guxojë ta bëjë këtë akt.
“I bëj thirrje Salillarit që mos u ongoptë inshalla se i mori të gjitha, që mos u afrohet shtëpive të banorëve për ti prishur” tha ajo.
Banorët prej më shumë se 16 ditësh janë në protesta, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim 100 për qind të pronave të tyre.