Monika Kryemadhi: LRI dhe FRESSH jo rivalë, pavarësisht politikës

Monika Kryemadhi ka dhënë një mesazh përbashkues për rininë shqiptare. Mbi 2.000 FRESSH-istë kanë ngritur atë që e quajnë “Kamp i kampionëve”, si për të treguar se ata ishin kampionët në zgjedhjet e fundit.

“Ne synojmë të ndërtojmë një platformë për komunitetet që do ta kalojmë në programin zyrtar të FRESSH-it në shtator të 2017-s dhe që kjo hapësirë të shërbejë jo vetëm si një formë shpërblimi, për atë që bëri FRESSH-i për organizimin e fushatës”, thotë Eljo Hysko.

As 100 metër larg kampionëve, kampi i LRI-së këtë vit ka një specifikë të veçantë. Ai është mikpritësi i festivalit të përvitshëm që bashkon të rinjtë socialistë nga e gjithë bota.

“Jam shumë i lumtur që shoh vazhdimësi dhe rritjen e numrit të të rinjve në drejtimin politik të Shqipërisë”, shprehet Howard Lee, kryetar i IUSY.

Ky aktivitet bashkon edhe të rinjtë e FRESSH dhe LRI-së në ombrellën e internacionales së socialistëve të rinj, ku aderojnë si dy organizata me të drejta të plota.

“Nuk janë rivalë, janë miq pavarësisht pozicioneve politike që mbajnë. Sot janë si dy skuadra futbolli, nesër apo pasnesër ata mund të jenë në të njëjtën skuadër sepse e tillë është jeta”, thotë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Duket se një muaj pas një fushate armiqësore, së paku në këtë ngjarje buzë detit, tonet e ashpra janë lënë në Tiranë. LRI të mërkurën pasdite kishte të ftuar atë që partia e tyre e quan problemin numër një në vend, kryeministrin.

Por edhe Edi Rama kishte rezervuar për të rinjtë e Ilir Metës vetëm buzëqeshje. “Falenderoj për durimin heroik veçanërisht të Kejdit, që me shumë politesë qëndroi përballë meje. Duartrokitje”, u shpreh me humor Rama.

“Ajo që mendoj është që qoftë LRI-ja, qoftë FRESSH-i nuk kanë qëllimin për t’i futur shkopinjtë nën rrota njëri-tjetrit, por qëllimi duhet të jetë vlera që ato duhet të propogandojnë”, thotë më tej Monika Kryemadhi.

Vlerat për në Jalë dhe shkopinjtë në Tiranë duke filluar nga shtatori, kur ish-partnerët do kthehen sërish në rivalë të ashpër politikë.

SHKARKO APP