Monika Kryemadhi: Ne nuk jemi ushtarë as të PS-së dhe as të PD-së!
Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, shfaqet përditë e më tepër e vendosur për rrëzimin e kryeministrit Rama, pasi sipas forcës së saj politike, ai është shefi i mafias dhe grupeve kriminale. Kryemadhi është për një opozitë me të fortë në raport me qeverinë e krimit, siç deklaron, dhe kërkon përbashkimin e krejt forcave politike, medias së lirë dhe krejt shoqërisë shqiptare për gjetjen e një zgjidhje tjetër, duke krijuar fillimisht një QEVERI ANTIMAFIA. Në intervisten e mëposhtëme ajo flet për Ramën , Bashën, raportet me kryebashkiakun Erion Veliaj si forcë politike, për krimin dhe mafien e pushtetit,etj.
Brenda intervistës ajo ka sqaruar edhe shumë dilema publike e politike.
-Situata aktuale politike është mjaft e nxehtë. Opozita gjithashtu ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit, është fokusuar çështja te Dosja Habilaj, çështja Sota çështja Tahiri. Ka patur akuza dhe kundërakuza, si e shikoni këtë situatë?
Për shqiptarët është një situatë e vështirë qoftë ekonomike, qoftë politike, ndërsa për klasën politike do ta quaja një çorbë të ngatërruar, që si i miri dhe i keqi bëhen pis, dhe pavarësisht nga kjo do të mbajnë të gjithë përgjegjësi bashkë. Për arsyen sepse gjendemi përballë një fakti të kryer, përballë një fakti që vjen si rezultat i partenerëve ndërkombëtarë, nuk vjen si rezultat as si I Prokurorisë shqiptare dhe as I politikës shqiptare, as si rezultat I institucioneve shqiptare, por si rezultat I institucioneve ndërkombëtare, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës për mënyrën se si qeveriset Shqipëria dhe për mënyrën se si Shqipëria po bën politikë. Dhe vjen një moment që ata nuk durojnë më dhe shpërthejnë, I ofrojnë klasës politike një situatë të tillë në tryezën tonë, e cila është shumë e rëndë. Tregon se si jeta politike shqiptare është e kapur dhe tregon se si jemi të gjithë me këmbë dhe duar të lidhur, sepse nëse duam të reagojmë do ta kemi shumë të vështirë për të reaguar. Ndërsa për shqiptarët do të thoja se kjo është një fatkeqësi shumë e madhe, sepse shqiptarët nuk duan t’ia dijnë fare se çfarë problemesh ka klasa politike, kur shqiptarët duan punë, duan bukë, duan shkollë, duan mirëqenie, duan standarde, duke parë që shpenzimet e jetesës janë rritur jashtëzakonisht shumë. Të ardhurat e tyre nuk janë rritur, janë të njëjtat gjë si përpara katër vjetëve. Varfëria tashmë është ulur këmbëkryq dhe shqiptarët përveçëse ndihen të lodhur, të zhgënjyer e të rraskapitur, por ndjejnë dhe neveri për politikën. Edhe unë vetë herë pas herë, ndihem jo vetëm në faj, por e vendos veten time në pozitat e një njeriu që është jashtë jetës politike dhe e kuptoj se çfarë neverie ndjejnë shqiptarët për politikën.
Cili është roli I opozitës në këtë fazë?
Sigurisht që roli i opozitës është shumë I rëndësishëm dhe kërkon një opozitë të fortë, të strukturuar, të organizuar, sepse aq më e fortë është opozita, aq më e fortë është demokracia në vend. Aq me fortë është opozita, aq më I dobët është krimi që kap institucionet e shtetit. Duke pasur një opozitë të dobët, normalisht që qeveria do të bëjë çfarë ti dojë qejfi dhe nga ana tjetër segmentet e krimit të organizuar do ta kenë shumë më të lehtë për të uzurpuar dhe për të kapur institucionet e shtetit. Unë shpresoj dhe besoj te mënyra e funksionimit që tashmë kemi filluar të rakordohemi dhe të organizohemi. Nuk është e thjeshtë, sepse edhe situata është e tillë, në të gjithë këtë puzzle dhe kornizën që ka jeta politike shqiptare po mblidhen shumë faktorë, po mblidhet politika, po mblidhet parlamenti, po mblidhet shoqëria civile. Mediat janë gjithashtu të rëndësishme, të cilat po krijojnë figurën e plotë të opozitës.
A po prodhohen skandale nga opozita thjesht për qëllime politike?
Opozita fjalën ka, ka aksionin politik. Opozita nuk ka as firmën, as vulën siç e ka qeveria. Rasti I z.Tahiri tregonte hapur dëshirën dhe vullnetin politik që do të kishte mazhoranca për të treguar që është e gatshme për të realizuar një reformë në drejtësi dhe për të qenë e gatshme për të vendosur përpara drejtësisë krimin e organizuar. Unë nuk mendoj që opozita po krijon tymnaja sepse të gjitha çka kanë lidhje me dosjen Habilaj, apo mos arrestimi I tre drejtuesve të policisë nuk ka të bëjë me opozitën. Nuk tha opozita që të mos arrestoheshin, nuk i njoftoi opozita që të iknin dhe të arratiseshin nga Shqipëria. Po të kthehemi mbrapa në kohë, dhe të shikojmë se çfarë ndodhi me argumentin që jepte mazhoranca dhe me argumentin që jepte opozita për heqjen e imunitetit dhe ndalimin e z.Tahiri tregonte që situata do të ishte komplet ndryshe. E gjithë ajo zvarritje, e gjithë ajo paradë e madhe e mbrojtjes së Komisionit të Verifikimit të Mandateve, tregoi që ishte thjesht një fitim kohe që ju bë jo vetëm z.Tahiri, por edhe të gjithë dëshmitarëve që mund të ishin të penduarit, ose që mund të ishin dëshmitarët, ose që mund të ishin faktet dhe provat që implikonin jo vetëm ish-ministrin e brendshëm por edhe shumë institucione të tjera.
Për personat që janë aktualisht në kërkim domethënë janë arratisur, kush e ka dekonspiruar sipas jush, sipas informacioneve nëse keni të tilla?
Dekonspirimi fillon që në momentin që nuk iu dha e drejta Prokurorisë në komisionin verifikimit të mandateve,që në parlament gjë që ishte absurde. E dyta më pas vjen mënyra sesi është proceduar, unë nuk jam juriste por në aspektin politik, bërjen e një analize të tillë, tregon që është shumë e thjeshtë sepse personat të cilët janë përfshirë janë personat që kanë bërë veprat penale dhe e dinë më mirë. Se nuk ka marrë Saimir Tahiri shportat me kanabis dhe i ka cuar në Itali. Kanë qenë grupet kriminale që i kanë bërë por ka qenë policia ajo që po themi ka pastruar territorin ka krijuar zonë të pastër që të lëvizin në mënyrë të lirshme grupet kriminale dhe normal që kush ka qenë drejtor i policisë në Vlorë, Gjirokastër etj i ka gjërat shumë të qarta. Ne po dëgjojmë për tre apo katër veta të cilët janë arratisur por sa të tjerë mund të ketë të përfshirë të cilët janë të larguar dhe nuk janë.
Pra ju thoni që praktikisht e kanë ditur..
Unë mendoj që në momentin që filloj të diskutohej çështja Tahiri në Parlament, të gjithë janë larguar. Problemi qëndron sa ka qenë bashkëveprimi me drejtoritë e policisë për të mos lejuar personat e implikuar për tu larguar nga Shqipëria ose sa ka qenë e implikuar tashmë policia që i ka lejuar këta drejtues të policisë të largohen nga Shqipëria. Nuk di ça të them se nuk e di deri ku shkon bashkëpunimi i prokurorisë me policinë ndërsa policia mund të këtë çuar njoftime që këta persona mos të dalin jashtë Shqipërisë dhe ata kanë dalë pasi prokuroria ka çuar njoftimin, por unë jam koshiente që absolutisht personat janë njoftuar. Ne e kemi shumë të qartë rastin e Xibrakës, i cili njoftoi Genc Xhixhën për tu larguar.
Mendoni që nuk do bëhen më të gjallë këta persona?
Problemi është sa policia do të jetë e aftë për të lëshuar një urdhër arresti në vendet ku ata janë sepse ata dihen shumë mirë ku janë i di dhe policia i di dhe prokuroria.
Ju e dini ku janë?
Unë kam përshtypjen se këtej vërdallë do jenë në rrethinat e Shqipërisë, rreth kufirittë Shqipërisë.Nuk e kam idenë tamam por afër janë dhe nëse policia shqiptare do të jetë e vendosur për ti ndaluar dhe për ti arrestuar jam e bindur që e bën sepse ka bashkëpunim qoftë me Greqinë, qoftë me Turqinë apo dhe me Italinë.Edhe me Australinë mund ta realizojnë po të duan.
Ju edhe në këtë studio pak muaj më parë keni akuzuar policinë, se është përfshirë më blerjen e votave..
Argumenti i LSI ishte i drejtë.
Mazhoranca nuk e pranon këtë…
Mazhoranca nuk e pranon këtë po na dalin deputetë që kanë përfshirë fëmijë gra e burra në transportin e kanabisit.
Kush janë këta znj.Kryemadhi?
Mediat e kazanit i kanë cilësuar sot..
Po thoja që keni folur pra për blerjen e votave nga ana e policisë që kanë qenë të përfshirë sipas jush por mbi të gjitha ministri aktual i brendshëm ka premtuar Vetting në Polici. Besoni në këtë proces.
Unë besoj te z.Xhafa dhe besoj që është një punë shumë e vështirë por ashtu sikurse besoj te vullneti i mirë që ka ai për të realizuar diçka ashtu dhe nuk besoj tek vullneti i z.Rama për të mos e lejuar z.Xhafa për të bërë Vettingun në polici sepse ai nuk mund të bëhet duke qenë Haki çako drejtor i përgjithshëm i policisë. Deri sa ai të jetë drejtor i përgjitshëm harrojeni që mund të ketë Vetting në Polici.
Nuk besoj se z.Xhafa ka qenë i detyruar për tu bërë ministër i brendshëm..
Unë nuk besoj se ka qenë i detyruar se pozicioni politik që ka z.Xhafa nuk ka të bëjë as me detyrimin të tij ndaj z.Rama apo anasjellas. Unë mendoj që Ministri i Brendshëm ose ministri i rendit publik siç e quajmë ne është një post politik por mos harrojmë që policia e shtetit drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i policisë dhe jam shumë skeptike përsa i përket Vetingut në Polici që ka të bëjë, kur personi i parë që duhet të mbajë përgjegjësi, ka drejtora policie që janë sot në kërkim, të larguar, të arratisur, drejtorit të policisë nuk i ndodh asgjë. Sigurisht që është i kapur nga kryeministri që është koka e krimit të organizimit në Shqipëri ose më fal mund të them që është peng i krimit të organizuar.
Së fundmi po flitet githmonë e më tëpër për procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri, mandati i z.Llalla mbaron në fillim të dhjetorit. Debati dihet tani për të mos humbur minuta, duket mazhoranca me votat e veta të zgjedh atë që quhet kryeprokuror i përkohshëm. Keni një qëndrim ju për këtë process?
Unë personalisht si individ gjithmonë kam qenë person që nuk më kanë interesuar zgjedhjet apo individët në këtë proces qoftë në gjyqësor. Qoftë në gjyqësor apo qoftë në prokurori duke pasur parasysh që gjithnjë është një institucion ose një sistem ku disa njerëz janë të kënaqur e disa jo. Unë do të thoja që reforma në Drejtësi u bë me moton e të ashtuquajturit depolitizim, për ta çliruar pra nga kthetrat e korrupsionit e nga ndikimet. Por në të vërtetë ndodhi që reforma në drejtësi nuk paska qenë gjë tjetër veçse një instrument kalimi. Ndodhi një gjë e tillë që hodhi poshtë pra e rrëzoi. Ne sot e kësaj dite nuk kemi ende një Këshill të Lartë të Prokurorisë. Njerëzit nuk e dinë pse nuk u mblodh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. E di ju pse? Sepse shoqëria civile nuk ka kandidatë. Informacioni Soros është një nga fondacionet që ka investuar më shumë nga të gjithë në shoqërinë civile. Tani nuk paskan një kandidatë për ta çuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë? Janë dy rrugë. E para, ose nuk kanë një listë të pastër me integritet dhe kredibilitet, pra të palyer qoftë me korrupsion, afera apo lidhje të dyshimta. E dyta, e kanë bërë të qëllimshme që të mos bëhet e të mos ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mënyrë të tillë që të kenë një instrument për të kapur institucionin e Prokurorisë thjesht sa për të kaluar këtë situatë që ka të bëjë me çështjen Habilaj. Me këtë duan t’i tregojnë shqiptarët që parlamentin e qeverinë e morën, por do marrin edhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Fondacioni është i përfshirë në këtë pjesë?
A e ka bërë fondacioni Soros reformën në Drejtësi? Sigurisht që po. Politikanët kanë marrë çfarë u kanë sjellë dhe u paguan nga fondacioni Soros. Problemi qëndron këtu. Ky fondacion që kishte gjithë këto kapacitete të mëdha për t’i propozuar dhe për të qenë ekspertë në reformë, nuk paskan një anëtar për ta propozuar për bordin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo ose është e qëllimshme ose kanë qenë aq të nxituar për t‘i bërë veprimet, por nuk kanë bërë llogaritë që nuk kanë asnjë kandidat në të gjithë Network-un ose nuk gjejnë dot kandidat të kontrollueshëm.
Basha thotë se nuk lejojmë që Rama të zgjedhë prokurorin e ri. Si do pengohet ky proces apo është thjesht një deklaratë politike?
Ne kemi komunikuar shpesh këto kohët e fundit me z. Basha për të ndjekur të gjitha hapat që duhen njëra pas tjetrës. Sigurisht që jemi në komunikim edhe me ekspertë ligjorë, duke pasur parasysh edhe situatën në të cilën ndodhemi. Ka disa variante. Ajo që është më problematike me Kushtetutën e re, të miratuara me rregullat e reja më 22 korrik i 2016-ës. Ajo thotë që mandatin e prokurorit të përgjithshëm e deklaron të mbyllur Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe përderisa ne nuk e kemi, kush e deklaron këtë? Varianti tjetër është që mund të presim një shpjegim nga Gjykata Kushtetuese ose mund të shkojmë drejt komisionit të Venecias për të diskutuar e për të marrë një shpjegim tjetër. Një variant tjetër është bllokimi i parlamentit, nxjerrja e njerëzve në rrugë etj.
Me gjithë këto variante nuk e pengoni dot nëse mazhoranca dëshiron ta bëjë. Ajo i ka votat dhe mund ta bëjë.
Edi Rama tani nuk mund të bëjë çdo gjë. Ai është një njeri që nuk është normal nga trutë e kokës.
A nuk jeni pak e ashpër me kryeministrin?
Absolutisht që jo. Unë jam e vërtetë me të. Këto që mendoj unë i thotë edhe shumica e shqiptarëve. Atë nuk e ka votuar shumica shqiptare, por pakica. Shumica e vendosën për t’i mbyllur gojën sepse ndoshta nuk shikojnë alternativë përballë tij.
Mos vallë Rama ka pasur të drejtë kur thotë populli nuk është budalla, prandaj nuk votoi LSI-në?
Jo, populli nuk është budalla. Populli i mori disa miliona euro, ku në fakt ishte gjaku dhe djersa e tyre. Ishin para të vjedhura në koncesione. Që i kishin humbur ato para, që iu ishte vjedhur me koncesion, që i ishte marrë me paratë e drogës. Kështu që, po të bëjmë bilancin e të vdekurve dhe trupave të mbytur që gjejmë në bregdetin e Vlorës është një kosto shumë e madhe, që kanë intimiduar dhe kanë deformuar votën e shqiptarëve. Po të shohësh numrat dhe raportet, po të shohësh që sot që Shqipëria drejtohet nga një grup i vogël njerëzish, janë pakica as 20 % e shqiptarëve, po të shohësh mënyrën se si ka funksionuar. Janë 74 vota që i bie diku te 35 % e 42 % të shqiptarëve.
Pra janë shumicë?
Jo nuk janë shumicë sepse në Elbasan janë me qindra mijëra karta identiteti të Fabrikave të Peshkut që ua mbajnë punëtorëve që të mos shkojnë të votojnë. E pastaj rrethet e tjera me rradhë e mos të hyj pastaj te thasët me para që ndaheshin nga bagazhet e makinave të ministrave dhe ish-ministrave.
Po përse këto gjëra nuk u evidentuan nga ju gjatë kohës së fushatës?
Janë evidentuar. Po të shikoni, kemi çdo ditë prononcim të z. Luan Rama me fakte, me targa makinash. Po të jeni të bindur se reagimi sot, as nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, as nga Prokuroria e Përgjithshme, ne kemi akoma një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për z. Rama që iu bëri thirrje policëve, hidhni kapelet dhe dilni mblidhni votat për PS. Kemi denoncime pafundësisht të makinave të cilat janë me targa të vjedhura, targa e një makine që nuk ekziston kurrë, të cilat jo vetëm bënin shpërndarjen e parave, por të mbushura me armë që kërcënonin dhe intimidonin njerëzit.
Kthehemi pak mbrapa në kohë kur ishit në bashkëqeverisje me PS, përpara kishit një opozitë shumë të fortë që paralajmëronte protesta. Sot çfarë opozite jeni?
Unë mendoj që nuk është thjesht çështje emri, çështja e opozitës, është dhe çështje aksioni politik. Mos të harrojmë që jemi në muajin e dytë të qeverisë Rama 2. Për mua nuk ka bërë ndonjëherë, të ketë ndodhur që brenda dy muajve të qeverisë të kemi një situatë që po të shikoni edhe nga sondazhet dhe dëgjesa, njerëzit mund të mos jenë agresiv për të shprehur mendimin tyre, por brenda vetes janë të egër përsa i përket problemeve të varfërisë, të arsimit, të shëndetësisë, probleme të papunësisë. Rama sot dilte fliste, do hapim 80 mijë vende pune të reja që janë te Zyrat e Punës. Po të shkojmë nesër në ndonjë zyrë pune, do të shohësh që është thjesht një demagogji, një fasadë, një mpirje truri që iu bëhet shqiptarëve nëpërmjet mediave, nëpërmjet publicitetit e cila çdo ditë dhe më shuam, jo vetëm i neverit shqiptarët por edhe i bën të pashpresë dhe po shkojnë drejt largimit. Ajo çfarë them unë që është më e tmerrshme, vet institucionet shqiptare bënin sondazh që 55 % e fëmijëve që janë në shkollë 9-vjeçare, duan të ikin nga Shqipëria. Kjo do të thotë që ky komb për 5 vite vdes, nuk ekziston më. Sepse të mendosh që një fëmijë 13-vjeç të thotë, unë do iki, nuk dua të rri më në Shqipëri, nuk ka ëndrra, nuk ka shpresë, nuk ka dëshirë.
Kështu thonë dhe ata të LRI?
Ata janë më të egrit, jo për tu larguar, por për të bërë diçka. Sigurisht që janë të shokuar. Unë nuk besoj më te institucionet, sepse në momentin që unë bëj një padi për Kryeministrin, të cilin e ke me zë dhe me figurë, që iu thotë policëve hiqni kapelet dhe shkoni mblidhni vota për PS.
Po flisnin për shpresën e humbur, etj, ju bëni përgjegjëse vetëm z. Rama për këtë?
Jo bëj dhe veten time. Sigurisht që jam përgjegjëse. Ndoshta vjen si rezultat i mungesës së eksperiencës, ndoshta vjen si rezultat i tundimit. Të gjithë njerëzor jemi, askush nga ne nuk është hyjnor. Diku jemi tunduar nga pushteti, nga shoqëria, lidhjet tona familjare, nga momenti, nga ngjyra. E gjitha kjo ka bërë që kjo klasë politike, për hir të një stabiliteti fiktiv, ka ndërtuar një destabilitet për shqiptarët.
Stabilitetin fiktiv ia ngarkoni Ilir Metës?
Sigurisht. Për hir të stabilitetit politik ku jemi ne sot? Jemi peng i krimit të organizuar.
Flasim pak për Bashkinë e Tiranës. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak ju nuk keni dhënë votat dhe Veliaj ka shkarkuar 4 administratorët që vinin nga radhët e LSI-së. Cili është qëndrimi juaj?
Qëndrimi im është shumë i thjeshtë. LSI-a nuk i dha votat vetëm për palmat. Shqiptarët duhet të kujtojnë që palmat e rrugës Tiranë-Durrës nuk janë pronë e Bashkisë së Tiranës por e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Dhe 2.5 milionë euro për palmat që janë mbjellë nuk i ka paguar as Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve por Fondi i Zhvillimit Shqiptar. Dhe kjo është e paligjshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në atë kohë nuk e ka pranuar. Dhe sot nëpërmjet një buxheti prej 60 milionë lekë të vjetra që gjoja do të mbjellin pisha në vend të palmave kërkohet të mbulohet kjo. Ky Kryeministër është arrogant dhe një njeri duhet të zbatojë ligjet e shtetit.
A kundërshtuat atëherë?
Sigurisht që e kemi kundërshtuar. E ka kundërshtuar ministri i Transporteve, Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve. E kemi ndryshuar me fakte dhe kjo është me letra. Tani ku vjen imoraliteti i Bashkisë së Tiranës për këtë gjë? Sa çerdhe bëri Erion Veliaj me kontribut qytetar? Për 50 mijë euro nuk bënte dot ai një kontribut vullnetar me të gjitha bizneset e Tiranës për të mbjellë pishat. Për çfarë e sjell ai pikë më vetë këtë çështjen e pishave. Nuk ka bërë ndodhur asnjëherë kjo. Ose kërkon të mbulosh ndonjë hetim që po bëhet për t’i shpëtuar fytyrën shefit tënd. Sepse ia ka kërkuar Edi Rama.
Mund të ketë një hetim për palmat?
Po sigurisht që mund të ketë sepse është e paligjshme ajo që është bërë para disa vitesh. Një arsye tjetër mund të jetë edhe fakti që kërkon të tregojë që meqenëse LSI ka dalë kundër palmave t’i kërkon që me votat e LSI-së të miratosh mbjelljen e pishave. E bleu dhe një tjetër dje. Le t’i blejë të gjithë këshilltarët. Por nuk është kjo zgjidhja.
Znj. Kryemadhi u prish koalicioni në nivel lokal, ai lloj bashkëpunimi që ju kishit?
Ne ua kemi thënë të gjithë këshilltarëve, çdo gjë që është në të mirë dhe në funksion të qytetarëve votat të jenë gjithmonë në mbështetje. Por ajo që ndodhi me pishat është qesharake. Të njëjtën gjë bëri edhe me ujin e pijshëm. I kishte çuar letrat për ujin e pijshëm që më 26 qershor ndërkohë që ne numëronim votat dhe e sillte më 26 korrik vendimin për të rritur çmimin e ujit.
Do të bashkëpunoni me kryetarin e Bashkisë apo jo?
Unë e kam thënë që bashkëpunoj edhe me Edi Ramën në momentin që sjell Statusin e Minatorit të 19 votat e LSI-së i ka. Do të sjellë bashkia projekte për rrugë? I ka votat. Por jo të më marrë për budalla. Ne nuk jemi ushtarë as të PS-së dhe as të PD-së. Ne jemi Lëvizja Socialiste për Integrim, kam votat e mia. I kam marrë e vetme fare përballë një presioni të jashtëzakonshëm, përballë me bandat, përballë me imoralitetin politik. Nuk kemi marrë pak, kemi marrë 225 mijë e 73 vota.
(Intervista e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili për TV News 24)