Monika Kryemadhi: Rama bleu zgjedhjet, por me 16 mars do marrë përgjigjen
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nga Fushë-Kruja tha se parlamenti është jo legjitim. Sipas saj nëse votimi do të ishte i ndershëm, PS nuk do të kishte më shumë se 50 deputetë.
“Ai Parlament është jo legjitim. Kjo do të thotë se PS minimumi i ka 5 deputetë të vjedhur dhe 28 të blerë. Pra do të thotë që PS në atë parlament po të kishte qenë votim i ndershëm do të kishte më pak se 50 deputetë. Atëherë ky njeri që nuk çon para drejtësisë shkaktarët e këtij procesi, ky njeri që nuk thotë asnjëherë më fal, ky njeri që nuk konsideron as shtet, as parlament, as institucione. Ky njeri që shkriu me qëllim Gjykatën Kushtetuese, që opozita mos kishte mundësi të ankohet, ky njeri ka kapur shtetin dhe e përdor siç do vetë dhe e ndan me krimin e organizuar”.
Kryemadhi i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e opozitës në 16 mars. Ajo bashkë me Lulzim Bashën kanë deklaruar se me 16 mars do jetë protesta më e madhe në këto 28 vite dhe kjo datë do jetë data finale për rrëzimin e kryeministrit Rama duke krijuar të gjitha partitë parlamentare një qeveri tranzitore e cila të marrë në dorë çështjen e statusit për në BE në qershor si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, por jo me Ramën si kryeministër. PD dhe LSI janë dakort në parim se kryeministri të jetë nga radhët e PS-së, por i gjithëpranuar nga spektri politik.
Nga ana e tij kryeministri Rama nuk pranon deri më tani asnjë variant për zgjedhje, aq më tepër një qeveri pa atë si kryeministër.
Megjithatë data 16 mars pritet të jetë masive në njerëz dhe masiviteti do jetë fundi i qeverisë, pasi tregon se sa qytetarë janë kundër kryeministrit dhe natyrisht që të huajt do të shikojnë se nuk ka zgjidhje tjetër, veçse një qeveri të re për zgjedhje parlamentare gjatë këtij viti.
Burime sekrete tregojnë se PS dhe kryeministri po përgatiten fshehurazi për zgjedhje të parakohshme në maj të këtij viti.