Monika Kryemadhi: Të bashkohemi, të shporrim kryeministrin Rama dhe bandat e drogës

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kërkoi sot bashkimin e forcave mes opozitës dhe qytetarëve për të larguar qeverinë “Rama” dhe bandat kriminale në vend. Në një deklaratë të ashpër nga selia e LSI-së, Kryemadhi tha se ngjarjet e ditëve të fundit janë alarmante për të ardhmen e vendit.

Ajo ju referua mosarrestimit të 4 drejtuesve të policisë, ndaj të cilëve Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nisjen e procesit gjyqësor.

Kryemadhi akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit si personat që po mbajnë peng drejtësinë dhe po dëmtojnë në mënyrë skandaloze interesat e vendit.

Rendi nuk ekziston më në Shqipëri. Përfshirja në tregun e drogës së policisë së shtetit ka vërtetuar akuzat tona. Është pjesë e banditizmit të Habilajve. Ky veprim i sotëm është në mbrojtje të bandave të drogës. Sot e kësaj dite nuk janë ndaluar vëllezërit Habilaj, në kërkim. Vetëm Rama e Tahiri e dinë se ku fshihen, dinë lëvizjet e tyre. Ata kanë frikë se ndokush nga ata flet dhe nxjerr emrin e Ramës, përgjegjësin kryesor të kanabizimit të vendit. Ai ka më shumë frikë se tre policët e akuzuar, apo Haki Çako, njësoj të komplikuar në trafikun e drogës, ku fituan para për blerjen e votave më 25 qershor. Duhet të bashkojmë  forcat e të shporrim një herë e mirë këtë qeveri krimi. Heshtja e tyre nuk do i shpëtojë dot nga fajësia e rrënimit të Shqipërisë,” u shpreh Kryemadhi.

Në fjalën e saj, Monika Kryamdhi përshëndeti qëndrimin e SHBA në organizatën e OSBE. Ambasadori i SHBA në OSBE deklaroi se situata në Shqipëri është problematike, pasi një ish-ministër rezulton se ka përkrahu krimin e organizuar.

Kryemadhi tha se ky qëndrim i ambasadorit të SHBA është më i qartë dhe më  drejtpërdrejtë nga qëndrimet e tjera të rrumbullakosura që janë mbajtur nga ndërkombëtarët në Tiranë.

VIDEO/DEKLARATA E MONIKA KRYEMADHIT

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1446236422155762/

Deklarata e plotë për media e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

Urdhër-arrestet për 3 ish drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit janë faktet më të fundit alarmante për të treguar që rendi nuk ekziston më në Shqipëri. Përfshirja në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike të kupolës së Policisë së Shtetit vërteton edhe njëherë akuzat tona dhe të një pjese të medias se Narkoshteti nuk ka ndaluar aktivitetin e tij. Përkundrazi me fshehjen që po u bën 3 të akuzuarëve të drejtësisë po vërteton përpara shqiptarëve se vijon të jetë pjesë e banditizmit të Habiljave apo të bandave të tjera që kanë në pronësi drogën në Shqipëri.

Ky veprim i sotëm është në vazhdim të mbrojtjes së bandave të drogës dhe tregon edhe njëherë, se sot e kësaj dite nuk janë ndaluar nga policia 2 vëllezërit Habilaj, të cilët janë në kërkim. Askush më mirë se sa Edi Rama nuk e di se ku fshihen të kërkuarit e Drejtësisë. Ai së bashku me mikun e tij dhe bashkëpunëtorin e tij Sajmir Tahiri janë në dijeni të çdo lëvizje të tyre dhe janë në dispozicion të fshehjes së tyre.

Kjo për faktin e thjesht se kanë frikë, se nëse dikush nga ata flet, flet për çorbën që zien në kazanin e krimit, e cila do të nxjerrë në krye të saj emrin e Edi Ramës, njeriu që mban përgjegjësinë kryesore për kanabizimin dhe banditizmin e qeverisjes në Shqipëri. Njeriu që sot ka frikë më shumë se 3 policët e akuzuar për trafik, por edhe më shumë se sa vetë Haki Çako apo drejtues të tjerë të policisë që janë njësoj të implikuar në trafikimin dhe bashkëpunimin me bandat kriminale, me të njëjtat banda që garantuan fitoren me votat e blera, me paratë e krimit, të njëjtat banda që i japin sot garancinë Edi Ramës se do të vijojë të drejtojë Shqipërinë.

Ndaj sot më shumë se kurrë Fronti ynë Opozitar kundër krimit të organizuar dhe mafies që mban peng pushtetin e blerë më votat e drogës duhet të bashkojmë forcat dhe të shporrim njëherë e mirë nga pushteti këtë lloj politikani që është përlyer në pazare dhe trafiqe me banditë.

Sot Edi Rama dhe oborri i tij heshtin për skandalin e radhës, hesht ish-ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm I Policisë, por ta kenë të qartë se heshtja e tyre nuk do ti shpëtojë dot as nga fajësia dhe përgjegjësia që kanë për katastrofën ku po çojnë Shqipërinë. Sot dua të përshëndes deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë në këtë situatë për të cilën ndodhet Shqipëria.

LSI ka të njëjtin qëndrim të palëkundur se korrupsioni dhe kriminaliteti ngelen pengesat më të mëdha për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo deklaratë e cila flet me emra të përveçëm dhe vendos gishtin mbi plagë është e kundërta e gjuhës së rrumbullakosur që kemi dëgjuar rëndom për këtë situatë kritike ku krimi dhe droga janë ulur këmbëkryq në qeverisjen e Rilindjes.

SHKARKO APP