Kryemadhi: Fund farsës me reformën zgjedhore. Dekriminalizim i votës
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka takuar sot raportuesin për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein. Gjatë takimit, drejtuesja e LSI-së ka vënë theksin në nisjen e punës për reformën zgjedhore e cila duhet të garantojë votën e lirë.
“Mbështesim një reformë të vërtetë zgjedhore. 25 qershori ishte një histori e shëmtuar e deformimit të votës së shqiptarëve. Dekriminalizuam parlamentin, tani misioni ynë të dekriminalizojmë votën e shqiptarëve”,- është shprehur kryetarja e LSI.
Kryetarja e LSI-së ka theksuar se reforma zgjedhore nuk duhet të jetë vetëm modifikimi i radhës i ligjeve, por duhet të shërbejë dhe për integrimin e vendit. “Është momenti që ti jepet fund farsës me reformën zgjedhore. Pa rivendosjen e votës së lirë, Integrimi i vështirë. LSI do të mbështesë në Kuvend gjithçka lidhet me Integrimin Europian”,- tha Kryetarja e LSI.
Qëndrimi i kryetares së LSI-së vjen pas propozimeve të Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit për ndryshimin e ligjit elektoral. Kreu i PD Lulzim Basha, në një dalje publike, vuri tre kushte për vënien në zbatim të kësaj reforme. “Votimi dhe numërimi elektronik; ulja e rolit të kryetarëve dhe partive në proces; dhe dhënia e më shumë pushtet qytetarëve. Pasi ky është një proces që nuk u takon vetëm partive politike, por gjithë qytetarëve, ndaj duhet t’i angazhojmë të gjithë për të dhënë kontributin e tyre”, ka pohuar më herët Basha.
Pas deklaratës së Lulzim Bashës mbi reformën zgjedhore ka ardhur edhe reagimi i Kryeministri Rama me anë të një statusi në “Facebook”. Rama shkruan se idetë e një pale nuk janë kusht për palën tjetër, ndërsa thotë se reforma zgjedhore është pjesë e paketës së 18 majit. “Reforma zgjedhore brenda paketës së 18 majit dhe nis nga Vota e Shqiptarëve jashtë kufijve. Plus:Idetë e një pale s’janë kusht për tjetrën!”, shkruan Rama në Facebook.
Qëndrimi i PS dhe PD ka ngritur shumë pikëpyetje mi mënyrën sesi do të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Janë disa variante që janë propozuar në PD, në mënyrë jo zyrtare. Në rastet e kaluara reforma zgjedhore është realizuar nga PS dhe PD duke synuar dëmtimin e partive të tjera, konkretisht Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili tha se LSI-ja është pro çdo reforme që synon më shumë transparencë dhe procese zgjedhore me standarde, por jo për vazhdimin e “tangos zgjedhore PS-PD”.