Morti që grekët e kthyen në thirrje antishqiptare në Atdheun tonë
Ceremonia mortore në Bularat të Gjirokastrës u shndërrua në vend thirrjesh ekstremiste kundër shqiptarëve.
Që herët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës erdhën sot autobusët dhe automjetet që sillnin personat që do të merrnin pjesë në ceremoninë e varrimit të Kostandin Kacifas.
Policia shqiptare ka kontrolluar pothuajse të gjitha mjetet dhe ka kthyer mbrapsht disa persona që mbanin me vete simbole iredentiste. Me pelegrinët ishte edhe eurodeputetja qipriote e njohur për qëndrimet e saj ndaj shqiptarëve.
Në Bularat u mblodhën të gjithë dhe ata qëndruan në sheshin kryesor dhe pranë banesës së Kacifas. Përveç flamujve grekë të vendosur në çdo rrugë, u shfaqën edhe simbole iredentiste, jo vetëm për të ashtuquajturin Vorio Epir, por edhe për Maqedoninë, shkruan tch.
Pas ceremonisë fetare, turma e të ardhurve nga Greqia ka shoqëruar arkivolin e Kacifas me këngë nacionaliste dhe thirrje antishqiptare.
Turma shpalosi edhe një flamur të madh ku shkruhet Vorio Epir, ndërsa degjoheshin edhe thirrjet “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”.
Kostandin Kacifas u vra nga forca elitë RENEA pas disa orësh rrethim, ditën kur në Bularat do të kujtohej “JO”-ja greke e Luftës së Dytë Botërore. Kacifas, me armë në dorë, qëlloi mbi policinë shqiptare. Kjo ngjarje u komentua në të gjitha ekstremitetet e saj, ndërsa po shfrytëzohet për t’i dhënë më shumë jetë tensioneve etnike të cilat Athina dhe Tirana zyrtare po mundohet t’i zbusin.
Avokat Spartak Ngjela shkruan pas kësaj ngjarje:
“Varroset me ceremonial një terrorist. Njëlloj si të vrarët e Mafies apo terrorizmit ndërkombëtar.
Një ceremoni varrimi që u fillua si heroike dhe përfundoi qesharake. Ca të çmendur që bërtasin; dhe pleq të Anadollit që as vetë nuk e dinë përse kanë ardhur në Shqipëri.
Janë për të qarë hallianë. Shteti grek në krizë që vjen dhe provokon shqiptarët në Shqipëri.
Por kanë fushë veprimi nga një kryeministër pa asnjë vlerë kombëtare, që me naivitet, njëlloj si Saliu, të dy bashkë menduan se mund të destabilizonin Shqipërinë me ca lapaculë anadollakë të ardhur nga Greqia”-thotë ndër të tjera Ngjela.