Mos i digjni pyjet!
Lajmet nga të gjitha rrethet vijnë, në zyrat e medias KOHA JONE, se po digjen dhjetra e qindra hektarë me pyje. Vlora mes zjarrit të filluar prej tre ditësh, Gjirokastra dhe Kelmendi mësohet që sot ndodhen në zjarre masive.
Në Lezhë dhe Mirditë zjarret kanë zbritur në rrugët rurale, ndërsa në Berat e Korçë, duke mos lenë menjanë Ksamilin dhe Sarandën tymi të shoqëron kudo udhës.
Në këto momente po digjet Karaburuni, një perlë e zonës së jugut.
Prefekti i Vlorës tha për mediat se ndonëse temperatura është e lartë, rrotull 41 apo 42 gradë, përsëri zjarret nuk vijnë nga këto temperatura, përjashtuar rastet kur problemi është rrjeti elektrik rajonal apo kombëtar.
Në të gjitha rastet, theksoi prefekti i Vlorës, zjarret vihen kastile nga barinjtë apo persona që duan të kthejnë pyjet në zona kullotore ose për ndërtime.
Kjo është kriminale!
Të djegësh një pasuri kombëtare, të rrezikosh jetën e njerëzve dhe pasuritë e tyre për interesa private të disa personave kriminal; kjo mbetet jo vetëm e dënueshme penalisht, por duhet krejt komuniteti në zonat ku ndodh të jetë vigjilent për denoncimin e tyre.
Toka po përjeton një valë ndryshimesh të mëdha nga ngrohja globale e ndaj gjelbërimi është një prej mundësive të ruajmë ekuilibrin në Tokë.
Ajo që po ndodh në këto ditë në Shqipëri, ku ndizet shkrepsja kastile për të vendosur zjarre, është jo vetëm kriminale, por tregon se edhe shoqeria ka probleme kulture, sepse shikojnë apo dëgjojnë se iks person do vërë zjarrin dhe nuk lajmërojnë policinë.
Por pasi fshati digjet apo zjarri iu vjen afër dritarëve të tyre bërtasin: DUAM NDIHME!

KOHA JONË SONDAZH

