Mos mbyll veshët zoti Kryeministër!

Edi Rama shquhet për respekt për seksin femër. Edhe në administratën e kryeministrisë tregojnë se ka mbi 168 femra të reja, të cilat drejtojnë punët e shtetit. Këtë fakt e pohoi Monika Kryemadhi në një emision televiziv. Edhe në qeveri ka plot femra ministre. Edhe në pikat kyçe të institucioneve dhe administratës shtetërore janë në shumicë dërmuese, femra. Edhe zv/kryeministren. Edhe nga radhët e deputetëve, plot femra.

Në thelb është vlerësim i rolit të gruas në shoqërinë shqiptare. Por dje kryeministri nuk duroi sepse kritikat e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi e bënë që të manifestonte një lloj nervozizmi të hapur. Më saktë një fyerje. Në thelb, gjesti kryeministror në sallën e Kuvendit, ishte një manifestim inatçor edhe ndaj kryetarit të Shtetit, i cili pa u tharë boja e penës së Anastas Angjelit në sallën e Kuvendit dhe vula e kryeministrisë në zarfin e Edi Ramës, dekretoi menjëherë emrat e ministrave të qeverisë socialiste.

Monika Kryemadhi, si kryetare e forcës opozitare LSI, po fliste dje për programin e qeverisë së Edi Ramës. Çdo opozitë ka objeksionet e saj, kritikat apo sugjerimet të cilat mendon se janë më të drejta se ajo çka paraqitur qeveria. Nuk ka asgjë të keqe në këtë pikë. Edhe PS kështu ka vepruar ndaj PD, kur ajo ishte në opozitë. Por ajo çka dje ishte fyerje nga ana e kryeministrit kishte të bënte me gjestin e tij publik kur fliste Monika Kryemadhi. Kryeministri vuri kufjet e celularit në vesh dhe filloi të dëgjonte muzikë. Një gjest i pavend, në mos fyes jo vetëm për Monikën, por edhe për krejt femrat deputete në sallën e Kuvendit. Kryeministri Rama me sa duket ka nevojë që vetëm ta miklojnë, siç bëri me një urdi lëvdatash zv/kryeministrja e tij Senida Mesi, e cila në 10 minuta fjalim e përmendi 10 herë emrin e Edi Ramës si yllin e politikës ballkanike. Ndërkohë Monika Kryemadhi jepte alternativat e forcës politike që drejton, sipas asaj që mendon LSI. Edi Rama nuk duroi dhe mbylli veshët. Kur foli Lulzim Basha i mbajti veshët hapur dhe me një kënaqësi mashkullore e dëgjoi, ndonëse kryetari i PD-së e akuzonte.

Dje, kryeministri manifestoi arrogancë dhe bajraktarizëm.

Vepruat gabim zoti kryeministër!

Q.Xh

SHKARKO APP