Mos u merrni me Ruçin dhe Xhafën! Shikoni LSI si sulmon, vetëm Ramën

Me publikimin e emrave të ministrave dhe të kryetarit te ri të Parlamentit, Kryeministri Edi Rama nuk lë më dilema për modelin e qeverisjes që do të ndjekë. Kabineti i ri është një gërshetim i bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramës, me imazhin e femrave të reja që nga drejtoresha apo këshilltare u katapultuan si ministre. Në listën e emrave ka mjaft tema për debat, por në fund kjo mbetet zgjedhja e Kryeministrit dhe këta janë njerëzit me të cilët ai beson se mund të qeverisë më mirë. Pasi Rama ka rreshtuar ‘ushtarët’ e betejave të ardhshme politike, mbetet të shihet se cili është modeli me të cilin do të reagojë opozita e vendit. LSI është e qartë se kush duhet të jetë objekti i saj: sulmi direkt dhe pa asnjë mëshirë e kompromis kundrejt kryeministrit.

Edi Rama e bëri punën e tij. Ndaj ajo që ka ndodhur më Partinë Demokratike këto 48 orët e para të publikimit të kabinetit është shqetësuese për mënyrën sesi po ideohet opozita e re e PD. Në reagimet e para, Partia Demokratike ka harxhuar më shumë kohë të sulmojë Gramoz Ruçin, si kryetar i ardhshëm i Kuvendit dhe jo Edi Ramën. Më shumë deklarata ka kundër Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, sesa ndaj fakti që Edi Rama nuk prezantoi program, projekt ekonomik. Kryeministri Rama, mjeshtërisht, edhe këtë herë nuk përmendi premtime, asnjë për be; përkundrazi vetëm kërkoi që ministrat të jenë të kujdesshëm në komunikimin me popullin(!) dhe i paralajmëroi që nëse nuk dëgjojnë popullin mund të shkarkohen.

Tamam slogane dhe dinakëri për të gënjyer popullin se, uji del i pastër nga burimi, pra nga Kryeministria dhe nëse turbullohet e ka fajin ministri X.

Çuditërisht selia blu nuk sulmon direkt kryeministrin, pra “Sulltanin” , por merret me “Ali Pashë Tepelenën e II-të”, Gramoz Ruçin dhe Njeriun që bëri reformën e drejtësisë, bashkë me Ilir Metën, pra me Fatmir Xhafën.

Të dy deputetët e rëndësishëm të PS-së që do të jenë në poste kyçe drejtuese sulmohen si përfaqësues dhe pasardhës të regjimit komunist. Për Gramoz Ruçin, deputetët e PD-së, po nxjerrin nga arkivat si zbulime të rëndësishme, fakte që njihen publikisht që pas viteve ‘90. Po akuzohet për masakrën e Shkodrës dhe faktin që ka qenë zyrtar gjatë regjimit komunist. Ndaj demokratët mendojnë se është fyerje emërimi i tij në postin e numrit dy të shtetit.

Është e kotë ti hysh një debati të tillë në vitin 2017. Para se të bëhen “zbulime” të tilla nga PD, ka një pyetje që duhet t’i përgjigjen vetë demokratët. Gramoz Ruçi ka në politikë që nga viti 1991, atëherë përse kujtohen sot ta shohin si ish-komunist? Për shkak të pozicionit të rëndësishëm që ka pasur në PS, të gjitha marrëveshjet politike e reformat, Sali Berisha dhe të tjerë në PD i kanë bërë më Gramoz Ruçin. Natyrisht kur kishte interes Berisha dhe PD. Përse deri dje ishte politikan korrekt dhe i fjalës së mbajtur në PS, ndërsa sot që u bë Kryetar Kuvendi, demokratët e shohin si përfaqësues të ish-komunizmit .Gramoz Ruçi mbetet shtylla kurrizore e PS. Edhe Rama me mençuri e ka çuar aty. Jo se vdiste për Rucin.

Për Fatmir Xhafën, riemërimi në krye të ministrisë së Brendshme ka rihapur të njëjtin debat. Me të njëjtat akuza të ashpra u sulmua dhe disa muaj më parë nga PD për lidhje me regjimin komunist. U sajuan dhe disa intervista në media, me ish-të përndjekur që deklaronin se ishin dhunuar nga Xhafaj gjatë diktaturës. Ndërkohë që rezulton se Xhafaj nuk ka punuar asnjë ditë si hetues. PD shkoi deri atje sa deklaroi se për të hyrë në ministrinë e Brendshme, Xhafaj do të kalonte mbi trupat e tyre!! Në fund, Presidenti Bujar Nishani e dekretoi me procedurë normale Xhafajn pa gjetur asnjë fakt që provonte akuzat e opozitës dhe PD harroi shpejt ato që kishte deklaruar. Në media qarkullon një foto e Xhafajt gjatë viteve të rinisë kur ka dalë në krah të diktatorit Enver Hoxha. Kjo foto, sipas PD, është e mjaftueshme për lidhjet e ministrit të Brendshëm me komunizmin. Por para se ti bëhet gjyqi publik një politikani të PS, përse në PD nuk flasin kurrë për dhjetëra fotot e Sali Berishës me drejtuesit e regjimit komunist. Berisha ka dalë në foto në varkë me Hoxhën dhe në zyrë me Hysni Kapon. Ndërsa Fatmir Xhafën e morën në podium, asokohe, si djalë të ri që ishte simpatik dhe duhej një portret i tillë. Me këtë logjikë, demokratët duhet ta kishin shkarkuar me kohë Berishën. Rastet brenda PD për lidhje të tilla me ish-drejtuesit e sistemit mund të gjenden pa fund.

Në vitin 2017 është absurde që politika e ditës e forcës më të madhe opozitare në vend të bjerë në nivele të tilla. Debatin mbi anti-komunizmin PD e ka humbur që pas themelimit të saj dhe sot është vonë të akuzoj pa fakte njerëz që të vetmen lidhje me komunizmin e kanë se kanë jetuar në ato vite.

Në stuhinë e akuzave të PD, këto ditë është shqetësues fakti se mes shumë të metave që ka qeveria e Ramës, Ruçi dhe Xhafaj, për selinë e PD janë problemi  kombëtar! Ruçi dhe Xhafaj janë zyrtarët më pak të akuzuar për korrupsion gjatë gjithë karrierës tyre në PS. Në mos aspak të akuzuar. Akuza politike ka patur, pasi në kohë fushate edhe kalohet caku. Ndërkohë që mes kabinetit të ri të Ramës ka emra që janë akuzuar për koncesionet dhe demokratët nuk thanë asnjë fjalë. Ka ministra që PD i bëri target qitje në vitet e opozitës së parë, por e pakuptimtë kjo heshtje në vitet e opozitës së dytë.

Kjo është qeveria që nuk ka program financiar dhe ekonomik. Nuk ka as bilanc investimesh dhe as projekte. Është qeveria e parë që edhe pse thotë se ka mision futjen e vendit në BE, zhduk nga lista ministrinë e Integrimit. Është qeveria që po përgatit spastrimin më të madh në administratë dhe projektin më të dyshimtë për institucionet. Mes këtyre dhe shumë problemeve të tjera, PD sheh vetëm dy emra dhe i sulmon jo për punën që bëjnë apo do të bëjnë, por për historia të vjetra që s’janë faktuar kurrë. Në këtë pikë, LSI ka qenë më e qartë nga PD. Opozita bëhet kundër Ramës dhe kundër frymës qeverisëse. Marrja më emra të veçantë dhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me qeverisjen është vetëm zhvendosje e vëmendjen nga çështjet reale.

Një qëndrim i tillë i PD-së është ose mungesë koordinimi në përcjelljen e mesazheve, ose një strategji fine për të mos u marrë me thelbin e problemeve. Nëse vazhdon ky model opozitarizmi, ka shumë mundësi që Rama-Basha vazhdojnë të qetë pazarin, ndërsa PD-ja merret me Ruçin dhe Xhafën.

PD le të marrë, pa xhelozi, modelin e të bërit opozitë frontale dhe ballore nga LSI. Monika Kryemadhi ka kërkuar një FRONT OPOZITAR kundër kryeministrit Rama dhe jo kundër Gramoz Ruçit. Ajo është e qartë se ku duhet shënjestruar. PD merret me ato që akoma nuk kanë filluar punë në drejtimin e Kuvendit apo me Fatmir Xhafën, që për pak javë në krye të ministrisë së Brendshme nisi shkatërrimin e grupeve kriminale dhe spastrimet në polici që lidheshin me krimin.

Lulzim Basha le të shikojë Kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi se si bëhet opozitë.

Këtu do jemi dhe shikoni se si forca e LSI do jetë opozitë e fortë dhe intelektuale në sallën e Kuvendit, dhe me protesta ballore dhe radikale, jashtë parlamentit.

S.P.

SHKARKO APP