Mosdekretimi i Lleshit, Presidenti Meta: Amatorët të lexojnë Kushtetutën
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka folur për herë të parë lidhur me mosdekretimin e ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshi. Meta tha se të gjithë ata që e atakojnë për firmën e tij, duhet të lexojnë Kushtetutën për kompetencat e Presidentit.
“Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën. Të gjithë amatorëve dhe dilentantëve të njëanshëm i ftoj të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit.
Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial por formal dhe se presidenti ka detyrë të firmosë një propozim … kam një pyetje tjetër: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër? Sepse dhe kjo nuk është shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutë. Më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë”, u shpreh Presidenti Meta.
Prononcimi i Presidentit për gazetarët
Pyetje: A do ta dekretoni Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm? Kryeministri paralajmëroi një ditë më parë se do ta dërgojë te ju sërish emrin e tij.
Presidenti Meta: Forumi “Tirana Connectivity” i mbajtur sot ishte i mrekullueshëm dhe besoj se interkonektiviteti duhet të rrezatojë kudo.
Pyetje: A keni një arsye ligjore për mosdekretimin e z. Lleshi si ministër? Jo bindje, arsye ligjore…
Presidenti Meta: Përsa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti.
Dhe të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, kam një pyetje tjetër:
A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë.