Mosmarrëveshje thelbësore mes Danimarkës dhe SHBA-së për Groenlandën pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë
Danimarka dhe aleatët e saj evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë dhe Francën, po forcojnë praninë e tyre ushtarake në Groenlandë. Kjo vjen pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, të cilat përfunduan me “mosmarrëveshje thelbësore” mbi të ardhmen e territorit, dhe pas kërcënimeve të Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit. Një oficer ushtarak britanik është dislokuar tashmë me kërkesë të Danimarkës, si pjesë e një operacioni të përbashkët që synon të forcojë aftësinë e tyre për të vepruar në zonë.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, theksoi se askush nuk mund të parashikojë të ardhmen, ndërsa ministri i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen, konfirmoi se, megjithëse diskutimet me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio ishin “të sinqerta por edhe konstruktive”, “perspektivat tona vazhdojnë të ndryshojnë”. Ai shtoi se presidenti Trump e ka bërë të qartë pikëpamjen e tij, por Danimarka ka një pozicion tjetër, duke pranuar “mosmarrëveshjen thelbësore” por edhe “rënien dakord për të mos rënë dakord”.
Për të gjetur një rrugë të përbashkët, ministri i Jashtëm danez njoftoi krijimin e një grupi pune të nivelit të lartë, i cili do të takohet brenda pak javësh. Ky grup do të fokusohet në adresimin e shqetësimeve të sigurisë amerikane, duke respektuar “vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës”. Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, vuri në dukje se bisedimet u zhvilluan në mënyrë “respektuese” dhe se është në interesin e tyre të gjejnë rrugën e duhur.
Këto zhvillime pasojnë deklaratat e Trump në “Truth Social”, ku ai e quajti “të papranueshme” nëse Groenlanda nuk do të ishte “në duart e Shteteve të Bashkuara”, duke pretenduar se territori ishte “jetik për Kupolën e Artë” – një sistem mbrojtjeje raketore amerikan i ngjashëm me atë të Izraelit, të cilin ekspertët e kanë hedhur poshtë si të pamundur fizikisht. Ai gjithashtu i kërkoi NATO-s t’i thoshte Danimarkës të mbante Kinën dhe Rusinë larg Groenlandës. Parlamenti Evropian dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënuan “pa mëdyshje” deklaratat e Trump, duke theksuar respektin për dëshirat dhe interesat e groenlandezëve. Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu paralajmëroi për pasoja të paprecedentë nëse sovraniteti i një aleati evropian preket. Danimarka dhe aleatët e saj do të kenë një prani më të përhershme në Groenlandë, megjithëse një sulm amerikan ndaj ishullit konsiderohet hipotetik dhe i pamundur mes vendeve të NATO-s.
KOHA JONË SONDAZH

