Mustafa Nano:Doja që një si Blushi të kishte në çdo parti.Pse heshti Rama?
Liderët dhe sjellja e tyre brenda dhe jashtë partisë kanë qenë temat që u diskutuan në emisionin “Zululand” të gazetarit Mustafa Nano.
A duhet të jenë më të njëjtët politikanë që kanë 25 vite që po ciklohen e riciklohen me idetë se mund të sjellin ndryshimin, por që në të vërtetë nuk po bëjnë ndonjë revolucion në shoqërinë shqiptare?!
Mustafa Nano iu drejtua me një pyetje retorike të ftuarit të tij, publicistit Mark Marku: Ku i çon mushka politikanët tanë që rrinë dhe kërkojnë pushtet edhe pas 25 vitesh në politikë?! Këtë lloj dëshire, ambicje që politikanët shfaqin, Marku e lidh me sëmundjen psiqike. Ashtu sikurse Nano edhe ai i shtron si përgjigje një tjetër pyetje: A janë normal politikanët tanë? Dhe sipas Markut nuk janë normal, sepse politikanët duhet t’a kuptojnë që ka një cikël në politikë dhe duhet t’ia lënë vëndin njerëzve të tjerë. “Duhet të bëjnë diçka të mirë edhe të ikin”, tha Marku.
Madje ai tha se “politikanët shpikin mosha në politikë që janë jashtë kufinjve të njerëzores”, dhe ndoshta e ka për ishkryeministrin Sali Berisha. Po pse politikanët që janë prodhuar në këto 25 vite nuk janë normalë. Ndoshta sipas Markut politikanët tanë “nuk pranojnë asnjë gjë, prishin shumë shpejt kontratën me individin apo qytetarin dhe kërkojnë që të na habisin me qeverisjen e tyre”. Dhe nga gjithë ky anormalitet rrjedh edhe mungesa e demokracisë brenda partive aty ku fillon edhe komunikimi.
Shembulli i fundit ku u ndal Nano dhe Marku ishte ngjarja e Ben Blushit në Elbasan. Publicisti Marku vuri një shenjë paralele mes historisë së Dritëro Agollit në vitit 1991 dhe rastit Blushi. “Ajo që i ndodhi Blushit në Elbasan, është ajo që i ndodhi Dritëro Agollit në ’91, kur tha në Kongresin e Partisë së Punës: ne kemi gabuar dhe duhet të reformohemi. Besoj e mban mend se si reagoi salla? Aman, Dritëroi e mbaroi fjalën, ndërsa Blushin se lanë të fliste, u agresua, e kërcënuan dhe nuk pati ndërhyrje. Të paktën, Rama duhet të ndërhynte ta linte të fliste. Është kthim mbrapa 25 vite, është fatëkeqësi”. Edhe Nano shprehu shqetësim për këtë rast.
“Është rasti i parë që mua më shqetëson seriozisht Rama. Më trembi mosreagimi i tij. Të paktën duhet të ndërhynte. Fakti që nuk reagoi më shqetësoi”, tha Nano. Por Marku tha se me ngjarjen e Elbasanit u vërtetuan tezat e Blushit që s’ka demokraci në parti.
Mark Marku: Ngjarja e Elbasanit vërteton se Blushi ka të drejte.
Muç Nano: Rama më trembi me heshtjen” pavarësisht se s’kam asnjë lidhje, por do doja që një si Blushi të kishte në çdo parti. Ai po thyen monopolin e kryetarit” – tha Marku duke u mbështetur edhe nga Nano i cili tha se : “Ai po kundërshtohet edhe për faktin se është më normali”