“Kandidatin e Ramës për ministër nuk e njeh njeri në lagje, jo më në Ballkan”
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj e sheh me shumë rezerva, bile me mosbesim total, emrin e propozuar nga Edi Rama për postin e ministrit të Jashtëm. Në një intervistë për “News 24”, Mustafaj thotë se Gent Cakaj është një emër që nuk ka asnjë profil për diplomacinë dhe Ministrinë e Jashtme.
Duke theksuar se nuk ka asnjë rezervë për faktin se Cakaj vjen nga Kosova, Mustafaj shtoi se kjo nuk e pengon që të shprehë shqetësimin për mënyrën sesi Edi Rama e mendon politikën e Jashtme.
“Për mua fakti që vjen nga Kosova nuk është minus. Por Cakaj nuk ka asnjë profil të dallueshëm dhe as përvojë të spikatur. Ai nuk njihet në Kosovë për ndonjë kontribut dhe aq më pak në Ballkan apo në arenën diplomatike”,- tha ndër të tjera Besnik Mustafaj.
Ish-ministri i Jashtëm e cilësoi si “papërgjegjshmëri sjelljen e Edi Ramës me diplomacinë”. Ai shtoi se në situatën aktuale kur nga Tirana duhet profesionalizëm dhe qëndrime të matura diplomatike, duhej që në këtë institucion të kishte emra dhe njerëz më përfaqësues në diplomacinë mbarëshqiptare.
Duke komentuar risinë e emrave të ministrave që vijnë nga Kosova, Mustafaj u shpreh se “Veton Surroi do të ishte një ministër i Jashtëm që mund ti jepte diplomacisë vëmendjen e duhur për raportet e shqiptarëve në Ballkan”.
Ai shtoi se “kandidati për ministër nëse do të ishte inteligjent nuk duhet të pranonte këtë post”. Ndërsa e cilësoi dhe si gafë faktin që Cakaj ende nuk është dekretuar nga Presidenti dhe shpërndan kartëvizita sikur të ishte ministër.
Ish-ministri Mustafaj nuk është i vetmi që ka rezerva për kandidaturën e Gent Cakaj. Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho u shpreh se emri i zgjedhur nga Rama nuk ka përvojë dhe në situatën ku ndodhet Shqipëria dhe Kosova duhen diplomatë karriere që kanë jo vetëm përvojën, por edhe lidhjet e duhura në arenën ndërkombëtare.
Emri i Gent Cakaj nuk është dekretuar ende nga Presidenti i Republikës për postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Dhe me sa duket nuk do firmoset asnjëherë.