Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra: Do e padis Spartak Ngjelën. Këtë herë e teproi
Avokati Spartak Ngjela kërkoi ditën e sotme arrestimin e myftiut të Tiranës, Ylli Gurra. Në një shënim në facebook, Ngjela deklaron se avokati ka konsumuar veprën penale të nxitjes së urrejtjes fetare. Avokati shkruan në Facebook se Gurra është “barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit”, ndërsa shton se “unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm”.
Shkak për këtë qëndrim të Ngjelës janë bërë deklaratat e ditëve të fundit për Skëndebeun nga përfaqësues jo zyrtar të besimit mysliman. Gjithashtu një video në Facebook ku një person i quajtur Mehdi Gurra, pretendohet se deklaronte se myslimanët e Shqipërisë janë turq e nuk kanë lidhje me Skëndebeun.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, Myftiu Ylli Gurra thotë se deklaratat të cilat Ngjela i referohet nuk i përkasin as atij vete, as vëllait të tij biologjik, Mehdi Gurra.
Qëndrimi i Myftiut, Ylli Gurra:
“E para unë s’kam ndonjë vëllazëri biologjike me Mehdi Gurrrn që është nga një fshat i Tiranës, unë jam Ylli Faik Gurra nga Dragostunja e Librazhdit dhe avokati, për arsye nuk di se çfarë të vetat në raport me politikën, bën thirrje për ndasi dhe për myslimanë turq dhe ortodoksë grek por nuk ka asnjë lloj vërtetësie në këtë mes. Ne kemi qenë dhe jemi krenar që të jemi shqiptar.
S’kam pse të jap shpjegime sepse ai ka folur broçkulla që në fillim të herës. Nenet që ai ka referuar i duhet me i lexu për veten se s’ka lidhje aspak.
Në videon që avokati pretendon as nuk jam unë dhe nuk është vëllai im biologjik. Se di me sa gjykim ngrihet dhe bën thirrje për arrestimin dhe krahasimet që mund të bëje ai. Problemet e pritshmëritë e tij politike mos t’ja faturojë figurave publike. Të kishte lodhur veten të kishte pyetur dikë se kush është ky zotëria. Dihet kush jam dhe nga jam unë.
Po aq groteske ka qenë edhe ajo e Kastriot Myftarajt. Do më duhet ta kallëzoj, se si ngrihet e flet kështu, aq më tepër zotëria në fjalë që pretendon se është një nga flamurtarët e demokracisë e fjalës së lirë, një përbaltje deri në ekstrem. Sigurisht do ta padis sepse vërtet ka qenë i tepruar. Se di për çfarë shkelje të ligjit pretendon se deklarimi s’është i imi”, tha Myftiu Ylli Gurra.
Deklarata e Spartak Ngjelës për arrestimin e Myftiut
Nga Spartak Ngjela
“A kanë forcë shqiptarët të arrestojnë dhe të dënojnë myftiun Ylli Gurra? Ky është një barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit. Një osman barbar na quan turq ne shqiptarëve që jemi populli më i vjetër i Europës, pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë; Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Fan Nolit Gjergj Fishtës dhe të shënjtores së madhe Nënë Tereza? Si qënkemi turq mor, palaço ne që kemi shpëtuar Perëndimin nga barbaria osmane! Kjo është vlera më e madhe e shqiptarëve. Si ka mundësi që të lejohet një injorant agresiv që mbron tezën e Beogradit agresiv dhe Athinës agresive, pushtuese territoresh shqiptare, se shqiptarët janë turq? Ne kemi gjuhën më të vjetër në Europë, dhe kemi vrarë aq pushtues turq në 500 vjet, sa sot do të ishte dyfish popullsia e Turqisë. Nëse kjo prokurori e dominuar nga hordhitë otomane Berishë- Beograd, nuk respekton Kodin Penal për fyerje të tharmit shqiptar nga një barbar, kjo do të përbëjë krim që do ta ndjekë vetë prokurorinë e sotme kompetente shqiptare, menjëherë sa të formohet SPAK.
Ja krimet që ka konsumuar Ylli Gurra; Neni 265 i Kodit Penal: “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve raciale, nacionale ose fetare… dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.
Neni 268 i Kodit Penal: “Poshtërimi botërisht i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit… dënohet deri në dy vjet burg.
Neni 266 i Kodit Penal: “Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë… duke fyer ose shpifur për to….dënohet gjer në 5 vjet burgim. Nëse prokuroria shqiptare nuk e ka filluar çështjen penale kundër barbarisë antishqiptare, tregon se ka frikë nga antikorrupsioni dhe shpreson në destabilizim shoqëror në Shqipëri.
Nuk ka destabilizim në Shqipëri, le të lodhen së prituri të gjithë barbarët dhe të korruptuarit. Unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm. I ftoj të gjithë shqiptarët të denoncojnë shëmtimin barbar në Shqipëri përpara prokurorisë shqiptare. Sa më shumë denoncime, aq më i lartë patriotizmi shqiptar. Barbarët e kanë marrë gjithmonë humanizmin europian si dobësi. Por ky myfti ka shkelur ligjin shqiptar dhe ka fyer shqiptarët në vendin e vet. Po e ndjen veten turk, të marrë gjithë taborin e tij me ardhacakët, e të ikë në Anadoll; por pas dënimit. Kjo ka mijëra vjet që është toka e shenjtë e shqiptarëve”.