Myslim Murrizi: Zoti Berisha, do pendohesh për këta të “penduar” që po i rikthen në krye të PD!
Nga Myslim Murrizi
Për arsye personale nuk do të jem sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por siç thonë ”elita” drejtuese apo kupola që ka marrë në dorë frenat e Rithemelimit, unë nuk rri dot pa folur apo pa i bezdisur në rehatinë e tyre, ndaj po ju drejtohem publikisht edhe pse e di që nuk ju vjen mirë.
Kush harron shpejt, gabon shpesh dhe zhgënjehet shumë.
Që Foltorja të mos kthehet në Faltore, Rithemelimi në rikthim mbrapa, konservatorizmi, në Konservë të prishur, vota në emërim dhe partia në grupim njerëzish që ja fusin njëri-tjetrit, po Ju drejtohem publikisht kujdo që do dhe di të lexoj pa hile dhe pa mllef duke ju sjellë në kujtesë këtë vd turpi në historinë 34-vjeçare të PD-së.
I nderuar Doktor Berisha!
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, të nderuar demokrat kudo që jeni, por në veçanti ju delegat të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 dhe të 30 prillit 2022.
Po ju drejtohem publikisht me disa pyetje që kanë në thelb sjelljen me dy standarte jashtë statutore për një grup të ngushtë njerëzish që për hatër të pazareve të pista katapultohen jashtë çdo norme morale të artikuluar në çdo takim qysh nga data 9 shtator 2021, kur të gjithë këta në bllok përjashtuan Berishën dhe deputetët që mbeshtetën Berishën në fillimet e FOLTORES.
Po ju drejtohem Ju Doktor, se është e kotë të pyes Flamurin, Edin, Oertin, Luçianon, Albanën apo cilindo nga 25 anëtarët e kryesisë apo 12 sekretaret e zgjedhur me votim nga Këshilli kombëtar, pasi e di mirë që pothuajse të gjithë do të ngrenë supet dhe do drejtojnë gishtin nga ballkoni Juaj.
Hapja e partisë është domosdoshmëri, por shqyerja e saj nën emrin hapje është fatale. Jam dakort që Foltorja të jetë Faltore për cilindo që kërkon të kontriboj si opozitarë, por pa shkelur asnjë rresht të statutit dhe pa e bërë statutin qesharak apo letër pa vlerë sa herë që na duhet për të përkedhelur dikë.
Jam dakort që Rithemelimi të quhet edhe Rikthimi, por jo të kthehet përmbys çdo gjë e bërë për hatër të kenaqësisë së 10 personave sepse Partia është shumë më e madhe se kaq dhe anëtarësia është shumë më shumë e vlefshme se cilido prej nesh.
Jam dakort që mund të ndryshojmë programin dhe boshtin ideologjik të partisë dhe nga konservatore që u tha mund të qëndrojmë në qendër e djathtë, por jo nga konservatore ta kthejmë në parti konservash. Jam dakort që fraksionet të kenë përfaqësuesit e tyre në çdo organ drejtues, por jo fraksioneve tu lihet shumica dhe shumica të dalë fraksion.
Të gjitha sa thashë më lart duhen zgjidhur brenda një morali të pranuar se ndryshe morali që japim për veten dhe për çdo opozitarë është amoraliteti i theksuar dhe frikë apo zbythjë nga frika apo nga interesi nga çdo parim që është artikuluar prej 9 shtatorit 2021 ose tregojmë mungesë karakteri në çdo gjë që themi duke bërë zero besimin për tu qëndruar parimeve, moralit, karakterit, dinjitetit dhe së fundi statutit.
Me bindjen e plotë që nga ky shkrim do mërziten të “falurit” të “rikthyerit” dhe më shumë sesa këta vetë do mërziten servilet e pështirë, mjeranët, vemjet dhe “skllevërit” që nuk mendojnë kurrë, por duartrokasin çdo gjë që thotë lideri, që të duan kur të do lideri, të urrejnë e të shajnë kur nuk të do lideri, as ma ndjen fare siç nuk ma ka ndjerë në këto 34 vite, sepse kurrë nuk bëj “pazar” me LIRINE time për hatër të çdo karrigie të qelbur kudo që ajo mund të jetë, kur karrikes i vjen era qelbesirë.
I nderuar doktor Berisha.
E para duhet mbledhur një Kuvend Kombëtar i jashtëzakonshëm që të anulloj disa vendime të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021, sepse të gjithë këta janë të përjashtuar. E dyta në këtë Kuvend le të rizgjidhet një Këshill i ri Kombëtar sepse mbi 30 % e të zgjedhurve në 30 prill 2022, nuk janë as fizikisht e as politikisht aktiv e funksional. Sipas statutit të gjithë deputetët janë automatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar, por pasi të anullohet përjashtimi i tyre.
Këshilli i ri Kombëtar pastaj të zgjedh Kryesinë e re dhe sekretariatet, e në këtë garë le të kandidoj kush të dojë, por kushdo që kërkon dhe aspiron për poste, duhet të vijë vetëm nëpërmjet votës se ndryshe tallemi me veten dhe me çdo demokrat e çdo opozitarë kudo që është. Sa për numrin e nënkryetarëve, anëtarëve të Kryesisë, sekretariateve nuk ka asnjë rëndësi nëse do jene 4-6-10 apo 25, por sejcili duhet të zgjidhet me votë. Po shkelëm statutin ose po e ndryshuam atë për çdo të zemëruar, atëherë do të zemërohen të gjithë ata që ndjehen të poshtëruar, të përdorur, të tradhëtuar apo të prerë në besë nga ajo çfarë ka shërbyer si kauzë në këtë periudhë, qysh më 9 shtator 2021.
Sinqeriteti im nuk ju bën dëm askujt dhe fatkeqesisht koha ka treguar që kam patur të drejtë në çdo reagim, qëndrim apo mendim timin të shprehur si brenda strukturave ashtu edhe publikisht, edhe pse larot politik sezonal më kanë etiketuar me ligësinë e gjuhës së tyre lëpirëse që nuk njeh kufij se çfarë lëpinë dhe sa lëpijnë. Pse Flamuri, Edi, Oerti, Luçiano dhe 20 anëtarët e tjerë të Kryesisë pranuan garën dhe votën e Këshillit Kombëtar ndërsa Gazi, Agroni apo Jorida e te tjerë duhet të “gradohen” pa votë?
Kush është ndryshimi mes tyre dhe çfarë kanë më shumë apo më të rëndësishme grupi i dytë nga të parët? Nëse kjo bëhet atëherë kush është morali që përcjellin për të tjerët? Apo kush shanë më shumë, kush mashtron më shumë, kush rreh apo ju hedh gaz lotsjellës demokratëve dhe kush e dredh më shumë për interesa të menderes së tij, respektohet, vlerësohet, gradohet dhe promovohet pa garë? Edhe pse dyshoj shumë në këtë “afrim” të tillë që nuk ka sinqeritet, në këtë bashkim mekanik dhe fallco që pas kësaj lëvizje ka qëllime të tjera, përsëri me sforco do ta pranoja nëse çdo gjë vjen nga gara dhe nga vota, ndryshe bëhemi më keq se çfarë kemi qenë dhe më keq se Rilindja.
Qofsha i gabuar, por qershori është afër dhe “ëndërra” e kujdo tinzari do dali në shesh megjithëse për kategorinë e tyre që lepijnë pa problem çfarë kanë pështyrë asgjë nuk është tabu. Unë jam rikthyer në Këshill Kombëtar me votat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të 30 prillit 2022, pasi ky Kuvend miratoi rezolutën që njihte si gabim fatal djegien e mandateve dhe faljen e 60 bashkive Ramës, por kurrë nuk do pranoja pa votim të delegatëve dhe pa u kërkuar ndjesë për lajthitjen kolektive të shkurtit 2019.
Jam rikthyer për të kontribuar në opozitë për një forcë politike të qëndrës së djathtë, që ka në themel të saj votën në çdo garë dhe që nuk bën pazar me moralin e asaj çfarë është thënë publikisht dhe është sanksionuar në statut. Heshtja vret më shumë se fjala, hipokrizia dhe konformizmi hipokrit, dëmton më shumë se çdo e vërtetë sado e hidhur që të jetë. Prandaj mos heshtni dhe mos ngrini duart lart e të duartrokisni për çdo shkatërrim të asaj që është arritur falë qendresës dhe sakrificës tuaj dhe të çdo demokrati në këto 11 vite të pështira dhe vështira të opozitës së pazareve të pista për interesa të ngushta të individëve skuthe që nuk kanë kufij morali dhe shtyllë kurrizore.
Ju bëj thirrje atyre anëtarëve të Këshillit Kombetar, që e dinë mirë se çfarë do të thotë të shkelësh votën e të jesh me dy standarte. Kjo letër e gjatë publike nuk është për ata që i servilosen Berishës e që nëpër tavolina i thonë njëri-tjetrit sesa të bashkohen se pastaj do jua fusi Doktori këtyre, e as për ata që shohin Gazin si perëndi dhe shpëtimtar e që i thonë njeri-tjetrit që Gazi është shumë i zoti dhe sa te fusi këmbët, por shifni kur t’ia fusi Berishës sa ti heqin mandatin Berishës.
Do të kërkoja shumë miqësisht që sejcili opozitarë, demokrat, anëtarë apo i zgjedhur në forumet drejtuese, ta lexojë me sytë dhe mendjen e tij, jo si vasal apo skllav i mendimeve të të tjerëve dhe do më jepni të drejtë shumë shpejt, sepse sot e di që do më shani siç keni bërë disa herë, por unë ju kam mirëkuptuar ngaqe nuk kam ndërmend të ndryshoj kurrë.
Vetëm kur shoh këto pamje ndjej keqardhje, se ku e kanë katandisur opozitën servilet që për karrigen e tyre të dhjerë, janë gati të bëjnë çdo maskarëllëk.