Myslimanët:Të shtyhen zgjedhjet, jo me 25 qershor. Basha-Rama a besojnë në Zot?

-“Nëse Lulzim Basha dhe Edi Rama besojnë në Zot, duhet të ndryshojnë datën. Nuk ka festë kur politikanë rrihen, gënjejnë dhe blejnë vota” 

Marrëveshja politike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, përveç debateve politike ka prodhuar dhe një debat delikat që nuk ka lidhje direkte me zhvillimet politike. Data 25 qershor në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare përkon me festën e Fiter Barjamit të besimtarëve myslimanë. Një datë e tillë është vendosur brenda 48 orëve të negociatave Rama-Basha, por siç duket dy liderët politikë, për shkak edhe të ngarkesës që kanë pasur, kanë harruar këtë detaj që nuk ka lidhje direkt me politikën. Por ndryshe mendojnë përfaqësues të besimtarëve myslimanë dhe imamë të xhamive të ndryshme në vend.

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari foli dje me tone të ashpra për caktimin e një dite feste fetare të rëndësishme për besimtarët, si datë të zgjedhjeve. Në një prononcim për median Sytari u shpreh se shenjtëria e kësaj dite nuk duhet të preket nga politika. Ai bëri thirrje që Komuniteti Mysliman Shqiptarë të reagoj lidhur me këtë gabim.

Imamë të xhamive të Tiranës, ish-nënkryetari i KMSH dhe studiues të kulturës islame të pyetur dje nga “Koha Jonë” kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Imami i xhamisë së “Rrugës së Kavajës” në Tiranë Ahmet Kalaja tha për gazetën se “Ky është turp i madh”. Sipas tij, “politika duhet të reflektoj për këtë datë dhe ta ndryshojë”. Kalaja shtoi se Fiter Bajrami nuk është ditë pazaresh. “Dita e Fitër Bajramit te ne myslimanët gëzon shenjtëri të veçantë është ditë pushimi në kalendarin vjetor të myslimanëve, po edhe të festave zyrtare të shtetit shqiptar. Ndërmarrja e një hapi të tillë nga parlamenti do të ishte një ogur i keq i martesës së brishtë dhe një tregues se torta e qeverisë teknike është e helmuar, jo e bekuar”,- tha Kalaja. Imami Kalaja e cilëson si një fyerje që u bëhet myslimanëve. Ai thotë se “forcat politike kanë kohë për të reflektuar deri të hënën edhe këtë ta marrin në konsideratë përndryshe për ne do të jetë tepër ofenduese, jo më ditë gëzimi e feste po një ditë e hije zezë diskriminuese”.

Imami Armand Ali shprehet se nuk e di arsyen se përse politika ka zgjedhur një ditë të shenjtë për myslimanët për të zhvilluar zgjedhjet. Ndërkohë, ish-nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Ermir Gjinishi shprehet se nuk do të ndikojë në ritualin fetar të besimtarëve myslimanë.

Studjuesi i kulturës islame, Olsi Jazexhi shkon edhe më tej në kritikat e tij. Ai thotë se vendosja e kësaj date tregon injorancën e Bashës dhe Ramës në çështjet fetare. “Pasi kanë agjëruar për 30 ditë, në këtë ditë ata presin që të gëzojnë. Por për fat të keq, caktimi i ditës së zgjedhjeve parlamentare në ditën e Bajramit, do të ndikojë në helmimin e atmosferës që kjo festë duhet ti sjellë besimtarëve”,- thotë Jazexhi. Sipas tij, zgjedhjet në Fiter Bajram janë njëlloj sikur të zhvilloheshin në ditën e Krishtlindjeve.

Në jo pak raste, ligjvënësit dhe klasa politike në Shqipëri në rastet kur aktivitet apo edhe zgjedhjet kanë rastisur të jenë në njëjtën ditë me festat fetare, të gjithë besimeve, me mirëkuptim dhe si shenjë respekti kanë vendosur ndryshimin e axhendës politike. Në këtë rast, për shkak se marrëveshja u bë gjatë pak orëve dhe u pa si një mënyrë për shmangien e krizës ky “detaj” është harruar.

Por veç aspektit të ndjeshmërive fetare, dita e zgjedhjeve e vendosur nga Rama dhe Basha ka dhe një problem ligjor. Ish-kryetari i Kuvendit dhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi i ka kërkuar dje Presidentit  Bujar Nishani të mos e dekretojë datën 25 qershor.  Sipas tij, data vendoset 9 muaj para zgjedhjeve.

 

MYFTIU I SHKODRËS, IMAM MUHAMED SYTARI

“As në kohën e komunizmit nuk bëheshin zgjedhjet në ditën e Bajramit”

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari ka fajësuar liderët politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha për datën e zgjedhjeve, që është përcaktuar me datë 25 qershor.

Reagimi i myftiut vjen pasi data e zgjedhjeve përkon me datën e parë të festës së Bajramit të Madh, festë kjo për besimtarët mysliman. Sipas myftiut ky fenomen nuk ka ndodhur as në kohën e komunizmit, edhe pse feja ishte e ndaluar.

Jemi befasuar nga 2 drejtuesit kryesor kur dëgjuam se caktuan zgjedhjet ditën e Bajramit. Një fenomen që as në kohen e komunizmit nuk ka ndodhur edhe pse feja ishte e ndaluar. Natyrshëm ne presim reagimin e KMSH, por kjo është e pafalshme ndaj shenjtërisë së kësaj dite. Festat tona janë të shenjta e solide që prekja e tyre duhet të jetë kufi i ndaluar për të gjithë”,- ka thënë Sytari.

 

IMAMI I XHAMISË SË “RRUGËS SË KAVAJËS”

Ahmet Kalaja: Ky është turp i madh. Politika të reflektoj, Fiter Bajrami nuk është ditë pazaresh

Marrëveshja politike e  vendosi 25 qershorin si datë të zgjedhjeve. Në të njëjtën ditë është dhe festa e Fiter Bajramit. A ka sjellë problem për besimtarët zhvillimi i zgjedhjeve në një datë të tillë?

Unë Ahmed Kalaja, nuk e besoj kurrë që data e zgjedhjeve do të jetë më 25 qershor!  Gjithmonë ritheksoj faktin se prononcimet e mia këtu s’ka përse të komentohen si mbështetje apo pozicionim politik apo partiak jo se nuk lejohet pozicionimi fetarisht, po niveli edhe “dashamirët”, do e shfrytëzonin si rast të majmë për të nxjerrë mllefet, zilitë e xhelozitë e tyre të kalbura e si pasojë të bëhej lajm apo të ndërmerreshin qëndrime të caktuara.

 Kur e dëgjoja si lajm aspak se kam marrë seriozisht sepse kjo nuk mund të ndodhë; nuk mund të ndodhë as duhet të ndodhë që dita e Bajramit dita e festës, gëzimit, lumturisë e shpërblimit hyjnor të bëhet objekt pazaresh, paçavuresh. Dita e Fitër Bajramit te ne myslimanët gëzon shenjtëri të veçantë është ditë pushimi në kalendarin vjetor të myslimanëve po edhe të festave zyrtare të shtetit shqiptar. Ndërmarrja e një hapi të tillë nga parlamenti do të ishte një ogur i keq i martesës së brishtë dhe një tregues se torta e qeverisë teknike është e helmuar jo e bekuar.

Forcat politike kanë kohë për të reflektuar deri të hënën edhe këtë ta marrin në konsideratë përndryshe për ne do të jetë tepër ofenduese, jo më ditë gëzimi e feste po një ditë e hije zezë diskriminuese e asaj pjese të popullsisë autoktone që patën dorë vendimtare ne pavarësinë e këtij kombi edhe në shtetformimin e tij të parë që po edhe udhëhoqën me largpamësi institucionet e para të shtetit të brishtë të sapo formuar etj etj.

 Akoma nuk e besoj se nuk është për tu besuar!!!!!  Apeloj si qytetar, si besimtar, që forcat politike të reflektojnë; Apeloj zërat besimtarë pavarësisht besimeve brenda partive të reflektojnë; Apeloj qytetarët besimtarë brenda forcave politike të reflektojnë pavarësisht besimeve të reflektojnë; Apeloj të gjithë pa përjashtim për reflektim civil qytetar sa më të vërtetë, pasi do të ishte turp i madh.

 Po sikur të apelojnë besimtarët që të mos jenë pjesë e votimeve në ditën e shenjtë të tyre; Prandaj Kujdes.  Faleminderit për mirëkuptimin edhe durimin.

Studiuesi i kulturës islame: Sikur Lulzim Basha dhe Edi Rama të besojnë në Zot, mendoj se ata do ta kishin shtyrë ditën e zgjedhjeve

Olsi Jazexhi: Politika shqiptare ka vendosur të lëshojë djajtë në ditën e Bajramit

Marrëveshja politike e  vendosi 25 qershorin si datë të zgjedhjeve. Në të njëjtën ditë është dhe festa e Fiter Bajramit. A ka sjellë problem për besimtarët zhvillimi i zgjedhjeve në një datë të tillë?

Selam aleikum! Caktimi i ditës së zgjedhjeve në 25 qershor, në ditën e Bajramit të Ramazanit nga partitë politike shqiptare dhe negociatorët e tyre amerikan, mendoj se tregon dy gjëra. E para injorancën që ka politika në lidhje me fetë dhe në veçanti me Islamin, dhe e dyta papërfillshmërinë që si Partia Demokratike ashtu edhe ajo Socialiste kanë në lidhje me besimtarët myslimanë dhe adetet e tyre. Dita e Bajramit të madh është ditë e shenjtë për besimtarët myslimanë. Pasi kanë agjëruar për 30 ditë, në këtë ditë ata presin që të gëzojnë. Por për fat të keq, caktimi i ditës së zgjedhjeve parlamentare në ditën e Bajramit, do të ndikojë në helmimin e atmosferës që kjo festë duhet ti sjellë besimtarëve. Dita e Bajramit është ditë gëzimi, paqeje, ushqimi dhe lehtësimi. Por duke e ditur që pushtetarët tanë në ditën e zgjedhjeve rrihen, shahen dhe zihen me njëri tjetrin, korruptojnë, gënjejnë dhe vjedhin vota, ata ditën e Bajramit kanë vendosur ta kthejnë në ditë zie. Caktimi nga Edi Rama dhe Lulzim Basha i ditës së zgjedhjeve në 25 qershor është njësoj sikur ata ti kishin propozuar zgjedhjet në 25 dhjetor, ditën e Krishtlindjeve, apo në 1 janar, ditën e vitit të ri.

A ndikon ne ritualin fetar dita e zgjedhjeve, duke pasur parasysh qe shpesh here zgjedhjet kane pasur tensione?

Siç e them edhe më lartë, ditët e zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë janë ditë sherri, tensioni, pazaresh dhe korrupsioni. Ato janë dita më e zezë e Shqipërisë pas-komuniste dhe janë pasqyra më poshtëruese e sistemit që Shqipëria ka instaluar në këto dekadat e fundit. Ditët e zgjedhjeve janë ditët kur pushtetarët e korruptuar zihen e shtyhen me njëri tjetrin, mashtrojnë fukarej, blejnë vota e mallkojnë, në mënyrë që ti sigurojnë vetes mandate për 4 vitet e ardhshme. Zgjedhjet në ditën e Bajramit i ngjajnë ndodhisë biblike të Jezu Krishtit dhe matrapazëve që shisnin në tempullin e Jeruzalemit. Ashtu sikur Krishti u ndie i fyer kur pa xhambazët që bënin tregti në tempullin e Jeruzalemit, ashtu do të ndihen edhe muslimanët në ditën e Bajramit.

Në anën tjetër, zgjedhjet që do bëhen në 25 qershor do u prishin edhe ritualin fetar besimtarëve. Ata nuk do gëzojnë ditën e pushimit, paqen, mbulesën mediatike që kjo festë gëzon tradicionalisht. Edhe udhëheqësit fetar musliman, nuk do të mund të përçojnë mesazhet e tyre të paqes dhe dashurisë, pasi në 25 qershor mesa duket do lëshohen djajtë e politikës, të cilët do të sulmojnë njëri tjetrin. Në këtë ditë, kur besimtarët pas 30 ditësh agjërimi do të donin të dilnin dhe hanin dreka me familjet e tyre dhe kujtonin Allahun, do shohin nëpër ekrane televizive fytyra të egra që shajnë dhe mallkojnë njëri tjetrin.

A mendoni se duhet shtyre data e zgjedhjeve në një datë normale?

Sikur Lulzim Basha dhe Edi Rama të besojnë në Zot, mendoj se ata do ta kishin shtyrë ditën e zgjedhjeve, të paktën një javë pas Bajramit. Unë lutem dhe uroj që katoliku Edi Rama ta lexoj këtë intervistë dhe të kuptojë që zgjedhjet në datë 25 qershor do të jenë njësoj sikur ti kishte lënë për Krishtlindje apo Vitin e Ri. Uroj që edhe udhëheqësi e Partisë Demokratike të reflektojë. Të tregojnë pak mëshirë për ata qindra-mijëra besimtarë myslimanë që në këtë ditë do të donin pak mëshirë dhe rehati.  Megjithatë, unë kam pak shpresa që do reflektojnë.

FLET IMAMI I XHAMISË SË UNAZËS SË RE

Imami Armand Ali: Kush beson s’ka pse voton

Marrëveshja politike e  vendosi 25 qershorin si datë të zgjedhjeve. Në të njëjtën ditë është dhe festa e Fiter Bajramit. A ka sjellë problem për besimtarët zhvillimi i zgjedhjeve në një datë të tillë?

Unë nuk merrem me politikë dhe nuk dua të flas për politikë. Madje as nuk shkojë në votime. Si besimtar do të festojë Ditën e Bajramit. Ata që janë besimtarë s’kanë pse të votojnë. Sa për ata që e kanë vendosur këtë datë nuk di çfarë të them nga cilat qëllime janë nisur.

 

ISH-NËNKRYETARI I KOMUNITETIT MYSLIMAN SHQIPTAR

Ermir Gjinishi: Nuk besoj se 25 qershori u zgjodh qëllimisht

Marrëveshja politike e  vendosi 25 qershorin si datë të zgjedhjeve. Në të njëjtën ditë është dhe festa e Fiter Bajramit. A ka sjellë problem për besimtarët zhvillimi i zgjedhjeve në një datë të tillë?

Nuk besoj se kjo është bërë më qëllim. Të gjithë gjithë janë të vetëdijshëm se data 25 nuk u zgjodh qëllimisht. Ishte një krizë politike që prodhoi një marrëveshje ku data besoj është rastësisht. Mendoj se besimtarët  mysliman duhet të jenë të kënaqur që kriza politike mori fund dhe vendi hyri në normalitet. Të mos harrojmë se ishin të gjithë krerët e besimeve fetare ata që bën thirrje për gjetjen e një marrëveshje politike sa më parë.

A krijon ndonjë problem për besimtarët dhe ritualin fetar?

Jo, nuk krijon asnjë problem. Falja bëhet në orën 6 të mëngjesit dhe nuk ndikon në procesin zgjedhor. Përkundrazi, mendoj se është një rast i mirë për tu bërë thirre që pas detyrës si besimtar të kryejnë dhe angazhimin si çdo qytetar normal për të votuar.

SHKARKO APP