Ndahet nga jeta Nicola Grauso, pionieri i informacionit dixhital italian, njeriu që iu gjend gazetës KOHA JONE kur e dogji pushteti

CAGLIARI – Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare botuesi dhe sipërmarrësi Nicola (Nichi) Grauso, një nga figurat më të rëndësishme të informacionit modern italian. Ish-pronari i gazetës L’Unione Sarda, themelues i Radiolina-s dhe Videolina-s, Grauso konsiderohet një pionier i komunikimit dixhital italian dhe evropian.

Në vitin 1975, themeloi radion e parë private në Sardenjë, Radiolina FM 98 MHz, një ndër të parat në Itali. Vetëm disa muaj më pas, hodhi themelet e televizionit të parë tokësor në ishull, Videolina.

Në vitin 1994, kur interneti ishte ende një territor misterioz, Grauso krijoi faqen Unionesarda.it, e para gazetë online në Evropë dhe e dyta në botë, pas prestigjiozes Washington Post. Pak kohë më vonë, nisi edhe shërbimi i parë si ofrues global i internetit në Itali: Video On Line.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vizionar dhe poliedrik, Grauso ishte aktiv edhe në politikë, si këshilltar rajonal i Krahinës Autonome të Sardenjës, me nismën e tij “Lëvizja e Re”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në shkurt të vitit 2024, Grauso u diagnostikua me një sëmundje të rëndë.

Në një nga intervistat e tij të fundit, dhënë për të përditshmen L’Unione Sarda, nuk e fshehu zhgënjimin për internetin që ndihmoi të ndërtonte dhe për mënyrën si po përdorej:
“E imagjinoja internetin si një hapësirë çlirimtare, shpëtimtare. Dhe pjesërisht ashtu ishte. Por nuk e prisja këtë evolucion. Sot blej online gjithçka që mund të merrja tek dyqani poshtë shtëpisë. Dhe kjo është e gabuar. Nuk duhet t’i nënshtrohemi verbërisht diktatit të botës dixhitale. Tokën tonë duhet ta mbrojmë pa fanatizëm, por me seriozitet, sepse diku tjetër ka njerëz që duan të vendosin për botën, edhe për tonën.”

Nicola Grauso, kur gazeta e famshme KOHA JONE u dogj dhe shkatërrua me 3 mars 1997 nga pushteti i kohës, pasi kishte parë redaksinë e gazetës në lajme në RAIUNO, erdhi direkt në Tiranë. Pasi takoi botuesin Nikoll Lesi dhe shikoi se si nuk kishte më as zyra, as kompjutera, pra asgjë, nxitoi dhe solli falas nga Sardenja (Itali) 10 kompjutera Macintosh e pajisje të tjera që shërbenin për të rinxjerrë në treg gazetën KOHA JONE.

Nicola Grauso mbetet në historinë e KOHA JONE si njeriu zemërbardhë, që ndihmoi gazetën për të rilindur në kushtet kur pushteti e kishte masakruar.

Redaksia e KOHA JONE i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së Nicola Grausos./Eridion Gjetja- Cagliari/

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?