Ndihmojeni ministrin Fatmir Xhafa të spastrojë krimin mafioz në Polici

Sot ambasadori amerikan Lu ka shpërthyer hapur mu përpara kryeministrit Rama dhe ministrit të brendshëm Xhafa.

Fatmir Xhafa është ministër i brendshëm. Eshtë ministri më me integritet në kabinetin Rama. Eshtë ministri që ka mbështetje të fortë ndërkombëtare. Mbetet ministri që ka detyrën më të vështirë. Këtë e di mirë ministri Xhafa.  Por pas turpërimit që iu bë uniformave blu në Elbasan, nuk ka pasur asnjë të ndëshkuar në radhët e policisë. Jo vetëm për atë ngjarje, por edhe për degradimin e rendit dhe sigurisë në katër vitet e kaluara nuk pati asnjë ndryshim rrënjësor në radhët e policisë. As për kanabisin ku policia bëri pazar me grupet e drogës, as me drejtuesit që bënin sehir ose merrnin pjesën e tyre të eurove.

Fatmir Xhafaj largoi nga detyra më shumë se 33 drejtues të policisë menjëherë sapo erdhi në krye të Ministrisë së Brendshem. Por Xhafaj la në detyrë Drejtorin e Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Haki Çako vazhdon të mbajë detyrën që kishte, si një kockë e fortë për dhëmbët e ministrit të ri. Haki Çako siç ka meritën për punët e mira në polici, ashtu edhe duhet të flasë pse grupet kriminale kanë lidhje me disa drejtues policie në Policinë e Shtetit. Haki Çako duhet të shkarkojë dhe arrestojë çdo drejtues policie që ka lidhje me grupet kriminale. Por ai duket se ka mbështetjen e hapur të kryeministrit Rama dhe ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Haki Çako do jetë kocka e fortë prej hekuri që mund të thyejë dhëmbët e ministrit të brendshëm, ndonëse Fatmir Xhafa ka dhëmbë prej çeliku amerikan.

Sot Donald Lu ishte në zyrën e Fatmir Xhafës pasi bëri një panorame “të tmerrshme” që i bëri shoqërisë shqiptare, të dominuar nga 20 familje kriminale dhe 4 klane të fuqishme. Akuzë alarmuese për politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Donald Lu u ngjit në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për t’ia bërë edhe njëherë të ditur mbështetjen për Vetingun në Polici. Ministri Fatmir Xhafaj ka detyrën më të vështirë që ka patur ndonjë ministër i brendshëm që prej vitit 1991. Ka përpara një mal me krim të organizuar, por më e keqja mbetet se e ka atë mu në Policinë e Shtetit.

Mbështetja e Donald Lu-së i duhet Fatmir Xhafës për kokat e mëdha të policisë, përgjegjësit për kultivimin masiv të kanabisit vitet e kaluara dhe për fuqizimin e krimit, në raste si ato në Elbasan. Donald Lu nuk është kursyer në mbështetjen, madje e ndihmoi Fatmir Xhafën të veprojë për të zbatuar Vetingun e tij në polici. Sa do t’ia arrijë Ministri i Brendshëm, kjo mbetet për t’u parë.

Por ministri Fatmir Xhafa ka nevojë që e gjithë politika të jetë me të për spastrimin e krimit nga radhët e policisë, pasi nëse nuk ka mafie në polici, për atë mafien tjetër në jetën e përditshme politike, ai e shkrin me arrestime.

Lexoni më poshtë fjalimin e plotë të ambasadori amerikan Lu për 4 bandat kriminale shqiptare

I nderuar ish Presidenti Moisiu, Kryetar Zaganjori, Ministre Gjonaj, Ministër Xhafaj, Zoti Sadushi, kolegë ambasadorë, zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjës. Sot në këtë sallë shoh dy grupe. Grupi i parë është afër skenës, ata janë disa të huaj dhe disa, me respekt, të moshuar me shumë përvojë në sistemin e drejtësisë. Për mua grupi i dytë është më interestant. Grupi i dytë ata janë të rinjtë, larg skenës, me fytyrat plot me optimizëm dhe plot vetëbesim. Ata të gjithë japin shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo duartrokitje është për ju.

Si të gjithë ju, edhe unë jam këtu për të njohur rolin e rëndësishëm të Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e brezit të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por nëse më lejoni, dëshiroj të shtoj diçka specifike për të diplomuarën tuaj, të ndjerën Fildes Hafizi, si dhe diçka për sfidën e ardhshme madhore të sistemit gjyqësor shqiptar – krimin e organizuar.

Pata mundësinë të merrja pjesë në ceremoninë e diplomimit në Shkollën e Magjistraturës vitin e kaluar. Atje, pata kënaqësinë të bisedoja me Fildes Hafizin për përkushtimin e saj për ta bërë më të mirë sistemin gjyqësor shqiptar. Si të gjithë të diplomuarit, ishte një e re e shkëlqyer dhe e talentuar që donte t’i shërbente vendit të saj.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë e la në baltë Fildesin. Sistemi dështoi ta mbante të shoqin e saj të rrezikshëm në burg. Dështoi ta mbronte kur ai u lirua. Fildesi, si të tjera gra në Shqipëri që janë viktima të dhunës në familje, meritojnë diçka më të mirë nga sistemi i drejtësisë.

Vdekja e Fildesit nuk duhet të shkojë dëm. Ajo duhet të jetë frymëzim për të gjithë të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës për të vazhduar punën e saj për t’i dhënë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar. Ajo e la këtë përgjegjësi për të gjithë ne.

Ndërkohë që festojmë 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës sot, kjo na ofron një çast për të reflektuar mbi zhvillimin e bërë dhe rrugën përpara.

Të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për hapat përpara që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të fillojë javën që vjen. Ka qenë rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por ky proces do të bëhet si duhet dhe me profesionalizëm, duke iu dhënë shpresë shqiptarëve se do mund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre.

Shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë larguar kriminelët nga parlamenti. Në këtë drejtim, Kuvendi i 2017-ës është më i mirë se Kuvendi i 2013-ës. Më në fund, shqiptarët, në qeveri dhe në opozitë, duhet të jenë krenarë për përparimin domethënës kundër kultivimit të kanabisit.

Por sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara Shqipërisë – lufta kundër krimit të organizuar. Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen.

Çfarë dimë lidhur me problemet e krimit të organizuar në Shqipëri?

Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave.  Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuterì, makina të vjedhura dhe telefona celularë.  Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët.

Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg.

Si do t’i mundim drejtuesit e fuqishëm të krimit të organizuar?

Drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. Në vitin 2016, policia arrestoi 1,349 persona për kundravajtje të lidhura me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero.

Në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘20 dhe ‘30 pati një epidemi të krimit të organizuar. U krijuan task-forca elitë të agjencive të ndryshme për të vënë në shënjestër drejtues të mafias si Al Capone.  Kishin prokurorë, policë, dhe ekspertë të krimit financiar që punonin së bashku. Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente shqiptare të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar.
Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë luftë e egër. Në vitin 2014, Shqipëria pati 72 bomba në makina dhe shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze. Populli shqiptar duhet të kërkojë veprim, por duhet të dijë se të arrish rezultate kundër drejtuesve të fuqishëm kriminalë kërkon durim, guxim dhe sakrifica.

Besojmë se është koha që qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar.
Besojmë se disa nga ushtarët më të rëndësishëm në këtë luftë do të jenë të diplomuar të Shkollës së Magjistraturës.

Faleminderit.

 

 

SHKARKO APP