Ndikimi rus? Meta i përgjigjet mazhorancës: Mos e katandisni si rrezikun anglo-amerikan

Kreu i shtetit Ilir Meta ka reaguar sot për krizën politike në vend. Në një prononcim për mediat, Presidenti u shpreh se shkaqet e krizës në vend janë të brendshme dhe kërkojë reflektim nga gjithë klasa politike.

Presidenti ka komentuar dhe deklaratat që vijnë nga zyrtarët e lartë të mazhorancës, që lidhin krizën politike me ndikimin e Rusisë në Shqipëri.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fak të keq në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë.

Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në BE dhe NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshme.

Nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë“,- deklaroi ndër të tjera, Presidenti Ilir Meta.

Prononcimi i plotë për median i Presidentit Meta: 

Pyetje: A jeni i gatshëm për të iniciuar dialogun mes palëve dhe si e vlerësoni dhunën e ushtruar ndaj protestuesve?

Presidenti Meta: Tema që sapo pata kënaqësinë të merrja pjesë me Monsinjor Vincenzo Paglia-n ishte për të promovuar kulturën e dashurisë dhe kundër kulturës së mënjanimit. Besoj që kjo është e vlefshme edhe për temën më të mprehtë për të cilën ju më pyesni.

Pyetje: Zoti Meta, a do të ndërmerrni një iniciativë për një tryezë të përbashkët?

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarët se Presidenti ka bërë të gjitha veprimet e tij prej kohësh për të evituar këtë krizë serioze, jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale por tashmë edhe përfaqësimi. Është për të ardhur keq që palët kanë nxituar dhe nxitojnë për ta thelluar këtë krizë, por përsëri është detyra ime të bëj thirrje për reflektim nga të gjithë, sepse duhet të shikojmë interesin e vendit dhe të qytetarëve tanë të cilët kërkojnë normalitet, por njëkohësisht dhe të vazhdojmë të shtojmë kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në këtë rajon ende me sfida të rëndësishme. Kjo situatë e brendshme nuk na ndihmon në këtë drejtim.

Pyetje: A keni një koment mbi qëndrimin e ndërkombëtarëve?

Presidenti Meta: Mendoj se klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari, siç ka ndodhur deri tani dhe çështjet duhet të zgjidhen me dialog në mënyrë transparente, në mënyrë parimore, larg pazareve dhe keqpërdorimeve qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari.

Pyetje: Zoti President, a ju ka mbërritur raporti i SHISH, që flet për një rrezik të influencës ruse të Shqipëri?

Presidenti Meta: Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe.

Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë. Faleminderit!

SHKARKO APP