Ndre Legisi:Ruçi nga garant i Statutit është garant i stafetës së kryetarëve
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Ndre Legisi e quan një paçavure statutin, duke parë si po funksionon realisht organizimi i PS. Legisi flet për arsyet që e shtynë të bashkohet me lëvizjen e Ben Blushit për t’ju drejtuar Komisionit të Garancive Statutore. Ai akuzon Ramën se ka zëvendësuar anëtarët e kryesisë së PS-së si të deleguar nëpër rrethe, me deputetë si Koço Kokëdhima, gjë që sipas tij nuk mund të bëhet. Legisi gjithashtu “thumbon” edhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, për të cilin shprehet se “koha e ka treguar në të gjithë këtë periudhë që z.Ruçi më shumë se garant i statutit, ka qenë garant i kryetarit dhe ka ditur të transferojë stafetën nga një kryetar te tjetri, duke ruajtur pozicionin e vet”.
Pse vendosët të mbështesni zotin Blushi në këtë nismë?
Unë në pozicionin e anëtarit të kryesisë, por edhe si një socialist që nga themelimi i Partisë Socialiste, kam ndjekur sistematikisht respektimin e rregullave statutore në parti, për shkak edhe të pozicioneve që kam pasur si sekretar organizativ i PS-së dhe si sekretar në pozicione të tjera në atë parti si dhe anëtar i kryesisë. Kam përshtypjen që diçka më përpara se sa të sensibilizohej Blushi për këtë çështje, kam pasur opinionin tim lidhur me mënyrën se si zoti Rama e drejton Partinë Socialiste dhe si ai i respekton forumet e saj. I respektonte në kohën kur ai ishte në opozitë, për shkak se nuk është se kishte ndonjë punë përveçse ta organizonte partinë për të ardhur në pushtet dhe sapo vjen në pushtet, ai nuk do t’ia dijë fare nëse ekzistojnë apo jo ato forume. Besoj që media ka qenë prej kohësh e sensibilizuar në lidhje me mënyrën se si funksionon asambleja, kur mblidhet dhe si mblidhet, mënyrën se si ka funksionuar kryesia, mënyrën se si Edi Rama ka caktuar disa individë të pazgjedhur në strukturat e PS-së, si të deleguar nëpër qarqe, për të ndjekur dhe monitoruar procesin e zgjedhjeve në parti dhe të kongresit. Kjo është një gafë e jashtëzakonshme, për arsye se duhet të shpërndaheshin anëtarët e asamblesë e kryesisë që të monitoronin procesin. Unë jam anëtar i kryesisë. Blushi është gjithashtu anëtar i kryesisë. Ka të tjerë anëtarë kryesie, që natyrisht nuk janë të caktuar, por po marr rastin e mikut tonë, Koço Kokëdhima (e di që nuk i mbetet hatri), por nuk mundet që ai të zëvendësojë një anëtar të zgjedhur të kryesisë, pavarësisht se ai është deputet. Në statutin tonë, deputeti ka pozicionin e tij si i zgjedhur nga populli dhe janë përcaktuar roli dhe pjesëmarrja e tij në strukturat e partisë.
Anëtari i kryesisë ka pozicion tjetër, sepse mund të jesh deputet, por nuk je anëtar i kryesisë, ose anasjelltas. Pra, këto janë gjëra të përcaktuara. Nisur nga mënyra se si ai e koncepton organizimin e partisë, mënyra se si i afron dhe i largon njerëzit e zgjedhur në strukturë, unë mendoj që është e padrejtë. Unë jam person konkret që jam zgjedhur në kryesi, natyrisht me propozimin e Ramës edhe si sekretar, deri sa unë i paraqita dorëheqjen nga ky pozicion. Unë mendoj se kjo mënyrë organizimi që Rama bën është jostatutore. Unë i kam pasur këto qëndrime të miat përpara se sa të angazhohej Blushi në këtë proces. Kjo nuk do të thotë se unë jam më i avancuar se Blushi, por natyrisht që unë kam shprehur opinionet e mia dhe mbetem një socialist në punën time, natyrisht pa pretendimet për pushtet. Edhe këto pozicione që unë mbaj, nuk kanë lidhje me ndonjë pretendim timin për ndonjë pozicion, por ndihem vërtetë jo mirë kur shikon për shembull që statuti i partisë që është miratuar në kongres, që është dokument themelor i organizimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste, që është Kushtetuta e kësaj partie që kthehet në një paçavure, që përdoret dhe interpretohet sipas interesave të kryetarit. Ne nuk jemi nga ato parti që i kemi pas kryetarët nga 20 apo 25 vjet pa qarkulluar. Ne jemi një parti që patëm kryetar historik, patëm një kryetar tjetër, kur zoti Nano ishte në burg, ishte Servet Pëllumbi. Më vonë kemi pasur zotin Majko si Sekretar të Përgjithshëm, në kohën kur Nano dha dorëheqjen. Më vonë ka ardhur prapë Nano. Jo se them se ka qenë perfekte mënyra e funksionimit dhe organizimit të partisë, por ka pasur një debat brenda strukturave të PS-së. Ka pasur disa rregulla të shkruara, të cilat kanë funksionuar në 80-90% të tyre. Në këtë rast nuk ka funksionuar asgjë, as në 10% të tyre.
Besoj platformën e zotit Blushi e keni lexuar?
Përsa kohë unë e kam mbështetur, e di se çfarë shkruhet aty.
Prisni ndonjë vendim të drejtë për ju nga Komisioni i Garancive Statutore?
Unë nuk kam asnjë pikë dyshimi dhe zotit Blushi ia shpreha kur e takova. Nuk është se pres nga zoti Blushi gjëra të mëdha, por pres dhe mbështes luftën e tij për të vendosur rregulla të qarta loje brenda partisë ku unë aderoj.
Po nëse në kongres nuk do të ketë garë për kryetarin, nëse nuk respektohen këto pika të statutit, çfarë do ndodhë me ju?
Unë nuk di se çfarë mund të ndodhë, jo me ne, por me cilindo brenda Partisë Socialiste nëse statuti i partisë do të shkelet, nëse rregullat e lojës nuk do të respektohen. Por, një gjë e di mëse të sigurt, që unë zotin Rama e njoh më mirë se sa Bleri. Kam shumë vite që njihem me të dhe e di shumë mirë se sa institucional është zoti Rama, se sa beson zoti Rama statutin e partisë, rregullat e partisë, si funksionon zoti Rama brenda partisë dhe se si i ndërton skemat dhe strukturat, siç ndërtoi atë strukturën e famshme me të mençurit e partisë, me të urtit, në funksion të interesave të tij. Kështu që unë nuk pres gjëra të mëdha prej zotit Rama, megjithëse kam qenë një nga njerëzit që kam pasur pritshmëri shumë më të lartë për zotin Rama. Kam pasur pritshmëri, pasi siç e dini, zoti Rama kishte ëndrra dhe dëshira për të ndërtuar një shtet të së drejtës, për të kryer reforma, për të korrigjuar shumëçka ishte bërë gabim në këto vite që Shqipëria ka kaluar në demokraci. Por, për fat të keq unë nuk ndaj më një opinion të tillë me zotin Rama, për mënyrën se si ai ka zgjedhur deputetët, pavarësisht se ai e ka ditur shumë mirë se kush janë dhe pse i zgjodhi, mënyrën se si e ka organizuar, drejtuar Partinë Socialiste, mënyrën se si mendon që po qeveris. Nuk është qeverisja fasadë. Fasadat mund t’i përdorë në lyerjen e pallateve, por qeveria ka tregues, do të thotë sa vende pune ke hapur, sa njerëz ke futur në punë, sa biznese kanë ardhur, sa klimë pozitive ke krijuar për biznesin, sa shkolla ke më shumë, sa ujësjellës, sa reforma ke bërë. Janë tregues të matshëm dhe nuk mund të thuash kam bërë një gjë, që nuk e ke bërë në fakt.
A keni shpresë se do të jetë të paktën zoti Ruçi garant i statutit?
Unë mendoj që koha e ka treguar në të gjithëkëtë periudhë që zoti Ruçi më shumë se garant i statutit, ka qenë garant i kryetarit dhe ka ditur të transferojë stafetën nga një kryetar te tjetri, duke ruajtur pozicionin e vet.
Do të quhet i dështuar ky aksion nëse nuk arrihet të ketë zgjedhje për kryetarin?
Unë kam qenë nga ata persona që kam qenë me Nanon dhe me mocionin, kur ishim vetëm 7 veta, kur Nano ishte në burg dhe kryesia ishte pothuajse plotësisht kundër. Kam qenë me Metën, kur Nano deshi ta eliminonte politikisht dhe dolëm e krijuam LSI-në. Jam larguar prej Metës, kur ai u bë zv/ kryeministër i Saliut dhe ministër i Jashtëm. Po kështu, kam qenë me Ramën kur shkruante “Kurbanin”. Tani jam kundër. Kështu që ky është fati im dhe unë ndaj jam duke u marrë me bujqësi e bagëti. Nuk di të kem përshtatshmëri të tilla, siç bëjnë disa të tjerë. Kam qenë me Majkon, kur u bë Nano me Metën bashkë dhe mbeti Majko vetëm. Kështu ka qenë. Edhe tani jam me Blushin, sepse mendoj se Blushi ka të drejtë. Kam pasur mendjen time dhe i kam qëndruar, duke mos bërë asnjëherë kompromis me ndërgjegjen time. Unë mendoj që ka të drejtë/ Gazeta Shqiptare