Në Shqipëri imami, prifti katolik dhe ai ortodoks pinë kafen sëbashku

Shqipëria ka shumë probleme, por një gjë e kanë arritur mjeshtërisht shqiptarët: Respektin për fenë tjetër, pranimin si pjesë e mozaikut kulturor. Elbasani është shembulli i tolerancës, por a mund të rrezikohet sot ajo?

Kur Gëzim Karaj, imami i Xhamisë Mbret në Elbasan gjatë rrugës për në shtëpi sheh At Nikolla Markun, priftin e kishës ortodokse në lagjen Kala, ai ndal makinën, e merr me vete priftin e lodhur nga mosha e sëmundja dhe vazhdon rrugën. „Kjo është normale për ne, jetojmë në një lagje. Ne diskutojmë me dëshirë me njëri-tjetrin, sigurisht që kemi mënyrën tonë si besojmë në zot, por kjo nuk ka pse na ndalon që të kemi marrëdhënie të mira ndërnjerëzore.”

Kisha e Shën Mërisë, e ku At Nikolla mban meshën e tij, dhe xhamia, ku predikon imami janë vetëm pak metra larg njëra-tjetrës në lagjen Kala. Kisha ortodokse, një nga objektet e kultit më të vizituara në Shqipëri, kisha e vjetër katolike, si edhe xhamia Mbret e ndërtuar nga fundi i shekullit të XV dokumentojnë historinë e Shqipërisë, ku u ndeshën Perëndimi dhe Lindja. Nga pergola e kishës ortodokse mund të shohësh edhe muret e kishës së vjetër katolike me rite bizantine. Për vite me radhë këtu mbajti meshën Josif Papamihali, nga Papa i shpallur para një viti si martir i kishës katolike.

Religion in Albanien, Elbasan (DW/Lindita Arapi)At Nikolla Marku

Harmonia fetare – Eksporti më i mirë shqiptar

Ish-drejtori i Komitetit të Kulteve dhe njohës i fesë, aktualisht aktiv në fushën e bamirësisë, Ilir Hoxholli thotë se Elbasani është një model i shkëlqyer i tolerancës fetare. “Nuk është e pazakontë të shohësh në Elbasan një prift katolik, një imam apo një prift ortodoks tek pinë bashkë kafe në lokalet e kalasë”, thotë ai. Kjo afri mes feve në Shqipëri “është eksporti më i mirë që ka vendi për të ofruar”, thotë ai. Madje edhe politika shqiptare mund të marrë një shembull nga mirëkuptimi mes feve.

Tradita e tolerancës

Tre shtëpi të zotit jetojnë si fqinje të mira pranë njëra-tjetrës në kalanë e Elbasanit, muret e së cilës të ndërtuara nga romakët, të shkatërruara në shekuj u rindërtuan sërish nga osmanët. Banorët e qytetit ecin të qetë përpara tyre, me natyrshmërinë e atyre njerëzve që diversitetin e shohin si pjesë normale të jetës. Jo larg shtëpive të zotit ka kaluar edhe e famshmja “Via Egnatia”, që lidhte Romën me Bizantin. Në këtë qytet kanë kaluar nëpër histori popuj, kultura, e fe të ndryshme, që kanë lënë gjurmët e tyre dhe mendësinë e multikulturalitetit.

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Lagjja Kala

At Nikolla Marku qëndron ulur në bordurën e bardhë nën gjethet e rrushit. Besimtarë hyjnë në kishë, qëndrojnë pak e presin të përshëndesin priftin e sëmurë. Por edhe miqtë myslimanë më pyesin, thotë ai. “Kjo harmoni, ky përqafim i feve është një dhuratë për ne. Por ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse vazhdojmë traditën e të parëve tanë. Unë jam rritur me rrëfenjat e një besimi të thejshtë, të qartë, të pastër.” Sëmundja ka lënë gjurmë tek At Nikolla Marku, të cilit i dridhet zëri kur flet, por kur kujton njërën nga momentet më të bukura të jetës së tij si prift, ai ndryshon. “Kur ra komunizmi e duhej të hapeshin shtëpitë e besimit, njerëzit në Elbasan nuk shkuan veçmas në kishë apo xhami, por të gjithë së bashku i hapën kishën dhe xhaminë. A nuk është mrekulli kjo?”

Kjo harmoni fetare nuk është e re në Elbasan, ajo vjen si traditë nga historia e këtij qyteti. Përgjegjësi për mediat i bashkisë së Elbasanit dhe kreu i Unionit të Gazetarëve të Qarkut, Besim Dybeli thotë se „kjo tolerancë qëndron në rrënjët e Elbasanit, një qytet fillimisht i fesë greko-ortodokse, pastaj iu shtua edhe feja myslimane. Këtë e tregojnë edhe emrat sot. Disa ende kanë emrin ortodoks dhe mbiemrin mysliman. Kjo bashkëjetesëi fetare ka ardhur nga historia e përbashkët. Ne e kemi parë veten njëherë si shqiptarë, pastaj si myslimanë apo të krishterë”, thotë ai.

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Imami Gezim Karaj

Nga bashkëjetesa në dialog

Këtë bashkëjetesë pozitive mes katër feve të përfaqësuara, asaj myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashinjve, Elbasani e ka ngritur në një nivel tjetër. Në këtë qytet është ngritur e para Qendër e Bashkëpunimit Ndërfetar në Shqipëri (QBNFE). Aty përfaqësohen të gjitha fetë për të çuar përpara dialogun. Koordinatori i kësaj qendre, Sokol Lulgjuraj i besimit katolik është i bindur se „bashkëjetesë ka pasur gjithmonë, por jo dialog.”Kjo qendër e ngre mirëkuptimin ndërfetar në një nivel tjetër, në atë të bashkëpunimit përmes aktiviteteve të përbashkëta”, thotë Sokol Lulgjuraj.

Zyrat e Qendrës ndodhen në ish-hotel Turizmin e Elbasanit, në qendër të qytetit. Kryetari i qendrës, Dr. Arben Ramkaj i besimit mysliman dhe koordinatori Sokol Lulgjuraj bisedojnë për arsyet e marrëdhënies paqësore mes feve në Shqipëri. „Shqiptarët kanë jetuar gjithmonë mes Lindjes e Perëndimit. Kjo është unike, ata janë europianë në shumë tradita, dhe kanë ruajtur urat e komunikimit me Europën. Identiteti ynë multifetar ka karakter të theksuar kombëtar, thotë ai. Prandaj Elbasani si model gati unik, i suksesshëm mund të përhapet në rajon e më tej në këto kohë të trazuara, thotë Ramkaj me krenari.

Religion in Albanien (DW/Lindita Arapi)Kryetari i QBNFE, Dr. Arben Ramkaj dhe koordinatori, Sokol Lulgjuraj

Rreziku ekziston

Por a ka rrezik që kjo harmoni të pësonte krisje? “Nganjëherë vihen re tendenca të elementëve ekstremistë”, thotë Besim Dybeli, „por tradita e tolerancës fetare është shumë më e fortë se këto persona” është i bindur ai.

Dr. Arben Ramkaj kërkon megjithatë që zhvillime të tilla të shihen me vëmendje. “Ne e dimë që njëra nga pesë gjuhët zyrtare të IS-it është edhe shqipja. Kjo tregon për rëndësinë që i jep ai rajonit tonë, ku ka shumë myslimanë. Edhe nga Shqipëria e Kosova ka pasur persona që kanë shkuar në Siri të luftojnë. Prandaj Këshilli i Teologëve myslimanë përpiqet të bëjë të qartë gjithmonë që duhen dalluar zhvillimet gjeopolitike nga feja.” Arben Ramkaj thekson rolin pozitiv të klerit shqiptar për të krijuar një besim me karakter kombëtar. E në Elbasan ky karakter manifestohet në anën e tij më të mirë: Që feja mund të bashkojë  dhe jo të ndajë.(DW)

SHKARKO APP