Në Top Story pamë një Edi Rama tjetër
Në “Top Story” te Sokol Balla, kryeministri Rama dukej me peshëngarkuar nga hallet e një qeverisje ku do ta drejtojë vetëm timonin. Nuk mund të akuzojë më njeri apo parti. Edi Rama tashmë i mori të gjitha. Janë 74 deputetë të PS si dhe tre të PDIU që shkojnë te shifra 77 dhe PS-ja nuk ka më nevojë për askënd në qeverisje. Ndërsa në lidhje me reformat e mëdha kushtetuese apo me Kode dhe ligje që duan 84 vota mendoj se Edi Rama do ta gjejë udhën e mirëkuptimit me PD ose LSI. Monika Kryemadhi ka premtuar një opozitë reale, të fortë dhe sfiduese kundrejt kryeministrit. Ajo tha dje se jo 74 deputetë, por as 174 deputetë nuk e shpëtojnë Edi Ramën nga oponenca e LSI. Por ajo si politikane karriere dhe me shumë luajitet, ndonëse do jetë radikale në raport me qeverisjen, në raport me reformat integruese të Shqipërise për në BE do të manifestojë bashkëpunim PS-LSI. Vetëm për këto reforma integruese.
I pyetur mjeshtërisht nga Sokol Balla nëse do të ishte në seancën parlamentare të betimit të Presidentit Meta, kryeministri u përgjigj pa asnjë ekuivok se do të marrë pjesë. Realisht qoftë edhe sikur një deputet të shkojë në sallë, formaliteti nuk e pengon Ilir Metën të jetë president kushtetues. Ilir Meta është president i zgjedhur dhe i votuar nga 87 deputetë. Gjithsesi përgjigja e Edi Ramës mbylli çdo hamëndësim deputetësh apo diversion që dilte nga “kazanët” afër kryeministrisë. Edhe para se ta pohonte mbrëmë live kryeministri, nuk besohej se Gramoz Ruçi, si kryetar i ardhshëm i parlamentit, një burrë me një barrë mend e eksperiencë politike dhe shtetrore, të lejonte mospjesmarrjen në seancën e betimit të Kryetarit të Shtetit. Ai e njeh shtetin, siç njeh edhe luftën politike, por mbi të gjitha mbetet akoma “shtylla kurrizore e PS”. Nuk bën Ruçi gabime të tilla, të nisur nga shprehja popullore që “për inat të vjehrrës, shkoj e fle me mullixhiun” (jo Saliun!).
Edi Rama u shfaq jo shumë i gëzuar për fitoren, porse paksa i menduar se çdo bënte me të, ndaj tha disa herë se “po diskutojmë dhe akoma nuk kemi vendosur për ministrat”. Premtoji disa investime të mëdha publike, por mbetet të shikohet se sa do jetë në gjëndje për ti realizuar. Tani litarin e ka vetë në dorë për ta tërhequr ose për ta vënë lart në pemë, duke ia hequr karriken vetes nëse nuk i mban premtimet.
Ai pohoi prerë se Gramoz Ruçi do jetë kryetari i ri i Parlamentit, ndonëse me humor tha se nuk e ka pyetur akoma. Por kjo gjë u zyrtarizua. Pra numri dy i shtetit, pas Ilir Metës, do jetë Gramoz Ruçi. Duket si valle dyshe Skrapar-Tepelenë, por të dy janë malësorë dhe malësorët si rregull zbatojnë kodet e mirësjelljes kur kanë barrën e shtetit mbi supe.
Një tjetër gjë të cilën kryeministri e pohoi se donte të vazhdonte ishte marrëveshja e 18 majit me PD, por duket, se ajo është hedhur poshtë nga Lulzim Basha. Jo se e ka shumë për zemër Basha ta bëjë këtë gjë, por është dhe do jetë i detyruar nga zemërimi demokrat, sepse ai pakt e rrëzoi PD-në keqas dhe mund ta çojë si LDK e Kosovës në vend të tretë, bile edhe me poshtë. Ndaj duket se reformat do duan patjetër votat e LSI. U soll e u përdrodh paksa kryeministri në lidhje me pyetjen për LSI, por nuk sulmoi. E la një derë hapur! Kjo derë pritet të shikohet se si Monika Kryemadhi do ta mbyllë fort duke e përplasur apo herë pas here do kenë kanale komunikimi kur flitet për Integrimin e Shqipërisë në BE.
Mbrëmë pamë një kryeministër jo shumë futurist, por i menduar se çdo bëjë me gjithë këtë peshë të madhe që ka marrë me datë 25 qershor. Ai tha se janë vota të pastra, shumëkush tregon se u blenë nga bosët e drogës, por fakti mbetet se Edi Rama ka 77 vota nëpër duar që do i sjell si tespie. Jo tepsi, siç kishte qejf ta thoshte në fushatë. Ylli Manjani thotë se nga tepsia, Edi Rama, ka kaluar në govatë.
Edi Rama mbrëmë foli me gjuhën e një arësyeje, të cilën para fushatës e kishte paarësye, kur vendosi të ndahej në pabesi me LSI dhe ku shkoi në shtratin e “dashurisë së re” me PD, natën vonë, në flirt. Flirti rezultoi fatal për PD-në, çka vështirë se e bën më, Basha, rikthimin në shtratin e një dashurie të dështuar!
Tashmë kryeministri nuk ka asnjë shans për justifikim apo “dashni” të reja. Tani mbetet i vetëm në “ishullin e pushtuar” të mbreterimit të gjithçkaje e ku, po nuk diti të sillet mirë, mund të humbasë po gjithçka.
Spiten Prulli