Negociatorët e detit, specializuar në Greqi
-Dy emrat e lakuar në listën e ministrit Ditmir Bushati janë profesionistë në fushën e tyre dhe mund të jenë dhe patriotët më të mëdhenj në Shqipëri, por rezultojnë të specializuar në Greqi dhe kjo ngre pikëpyetje që tani për negociatat.
Pas më shumë se një jave hezitimesh, kërcëllitje dhëmbësh nga inati dhe përpëlitjesh, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme vendosi t’i dërgojë Presidentit të Republikës Ilir Meta, emrat e personave që do të negociojnë për ndarjen e detit me Greqinë. Presidenti Ilir Meta i ktheu përgjigje negative ministrit Ditmir Bushati disa ditë më parë lidhur me dhënien e plotfuqishmërisë për nisjen e negociatave. Arsyeja e refuzimit ishte mungesa e emrave të negociatorëve, si dhe paqartësitë ligjore që kanë të bëjnë me emërimin e marrëveshjes së re të Greqisë, por edhe se nuk kishte asnjë informacion zyrtar se ç’po bisedohej me palën greke. Pavarësisht justifikimeve të ministrisë në plotësimin e dokumentacioneve në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cili i referohej dhe Presidenti Meta, ministria e Jashtme u detyrua të zbatojë ligjin kushtetues. Por prapë nga nxitimi apo keqdashja ka futur emra të kontenstuar. Bile për njerin akuzat shkojnë shumë larg nga opozita.
Ditmir Bushati ka paraqitur në presidencë 12 emrat e personave që do vendosin për marrëveshjen historike me Greqinë. Grupi i negociatorëve do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Armand Skapi nga Ministria e Jashtme dhe Ylber Dogjani, komandant i Flotës Detare. Anëtarët e tjerë të grupit janë: Artur Meçollari nga Ministria e Mbrojtjes, Aida Hajna, zv.drejtore e Policisë, Elira Koka Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Ferdi Hyraj nga Instituti i Gjeografisë, Luan Përzhita nga Instituti i Arkeologjisë, Lorenc Çela nga Drejtoria e Institutit te Gjeohapësirës, Qirjako Qirko, Ambasador në Londër, Arsen Mullahi ushtarak i lartë i Flotës Detare, Viktor Doda, doktor shkencash në gjeologji dhe Ardjan Bylyku drejtor i AKBN.
Emrat e njerëzve që do të negociojnë me palën greke janë të rëndësishëm për shkak se një pakt i tillë kërkon jo vetëm profesionistë të fushës, por edhe persona me integritet të lartë moral. Partia Demokratike, ish-zyrtarë të shërbimeve inteligjente dhe mediat kanë ngritur alarmin dje për dy prej emrave që janë zgjedhur në ekip nga ministri Ditmir Bushati. Akuzat janë për bashkëkryetarin e delegacionit, Armand Skapi dhe për përfaqësuesin e ministrisë së Mbrotjes, Artur Meçollari.
Armand Skapi është drejtor i Drejtorisë së Traktateve dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme dhe një nga profesionistët më të kualifikuar të këtij institucioni. Por te kualifikimet e tij qëndron edhe problemi që ka hapur debat. Sipas jetëshkrimit në faqen online të Ministrisë së Jashtme, Skapi ka kryer një trajnim për të Drejtën Ndërkombëtare të Detit në Rodos të Greqisë. Praktikisht leksionet për ndarjen e detit me Greqinë bashkëkryetari i grupit të negociatorëve shqiptarë e ka kryer pikërisht në Greqi. Një fakt i tillë nuk është automatikisht penalizues për negociatorin shqiptar, por gjithësi ngre ndryshime të arsyeshme për kriteret e përzgjedhjes së emrave. Çfarëdo vendimesh që të marrë drejtori i zgjedhur nga ministri Bushati do të paragjykohet dhe kjo nuk u shërben negociatave dhe qëndrimit të palës shqiptare.
Në listën e gjatë me 12 emra, Partia Demokratike ka shprehur rezerva të forta për një tjetër pjesëtar të ekipit shqiptar. Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, Artur Meçollari aktualisht oficer i lartë i Flotës Detare shqiptare, në vitin 2012 është shkarkuar nga detyra për çështje që kanë të bëjnë me sekretin shtetëror. “Denoncoj vendosjen në krye të grupit të një ish-spiuni të FA të ushtrisë i larguar pas dokumenteve të pakundërshtueshme të shërbimit informativ të ushtrisë dhe të dhënave të tjera. Ky spiun Artur Meçollari nuk i është drejtuar gjykatës sepse të dhënat kanë qenë fakte”,- deklaroi dje ish-kryeministri Sali Berisha. Akuza e ish-kryeministrit është e rëndë dhe ka detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të reagojë duke e cilësuar si trillim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Meçollari është pjesë e ushtrisë shqiptare dhe ka marrë nga NATO çertifikatën më të lartë së sigurisë që jepet vetëm për informacione tepër sekrete.
Një çështje kaq teknike si kjo e detit me Greqinë dje është bërë krejtësisht politike. Pas akuzave të Berishës, Partia Socialiste me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla mori në mbrojtje ushtarakun Artur Meçollari. Sipas Ballës, oficeri është shkarkuar nga detyra për shkak të konflikteve që ka pasur me të afërm të Sali Berishës, të cilët në vitet 2010-2012 kërkonin të privatizonin bazën detare të Bisht-Pallës. Për PS-në, Artur Meçollari i ka fituar gjyqet e shkarkimit dhe është profesionist dhe patriot.
Por edhe pas deklaratës së Ministrisë dhe reagimet ndaj oficerit shqiptar nuk kanë munguar. Ylli Zyla, ish-kreu i Shërbimit Inteligjent Ushtarak (SHIU) tha dje se kishte “informacione të konfirmuara për përfshirjen e Artur Meçollarin në veprimtari spiunazhi”. Kjo është akuzë tepër e rëndë. Dosja që ka sjellë shkarkimin e Meçollarit në vitin 2012 është hartuar pikërisht nga shërbimi sekret që drejtohej nga në ato vite nga Ylli Zyla. Ish-kreu i SHIU-t nuk dha detaje për çfarë nxjerrje sekretesh është larguar nga detyra Meçollari, por tha se “në cilësinë e ish-drejtorit të SHIU mund t’iu them se emri në fjalë është i papërshtatshëm në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë”.
Ai ka thënë se nëse futet zyrtarisht në listë Artur Meçollari atëhere do të publikojë materiale sekrete ndaj tij. Të gjitha këto akuza politike ngrenë jo pak dyshime për integritetin e emrave që do të negociojnë. Fakti është që negociatori kryesor është arsimuar në Greqi dhe mbi ekspertin e detit ka akuza serioze për spiunazh. Këto të fundit mund të jenë dhe sajesa politike, por Ministria e Jashtme e ka pasur gjithë informacionin e duhur për emrat para se ti niste në presidencë. Dy emrat e lakuar janë profesionistë në fushën e tyre dhe mund të jenë dhe patriotët më të mëdhenj në Shqipëri, por rezultojnë të specializuar në Greqi dhe kjo ngre pikëpyetje që tani për negociatat.
Imagjinoni sikur në palën greke të dilte ndonjë ekspert grek i specializuar në Shqipëri. Do ta digjnin të gjallë nëse futej në delegacion. Ndërsa ne nuk pot hemi “djegie”, por sëpaku të kenë integritet publik dhe të mos kontenstohen, pasi çdo element i marrëveshjes me vonë do shikohet me dyshim.
Gjithsesi do jetë Presidenti i Republikës që do ta gjykojë listën.
Q.Xhani