Neni 13 kundër medias, Kryeministri Edi Rama tërhiqet. Të huajt heshtin. Pse?
Reagimet e forta të shoqatave të gazetarëve, Partisë Demokratike dhe sidomos të aleatit të PS-së, LSI-së kanë detyruar socialistët të heqin dorë nga neni që rikthen censurën në media. Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj deklaroi dje se neni në fjalë ishte keqkuptuar. Sipas tij, qëllimi i kësaj nisme nuk është kufizimi i lirisë së medias, por garantimi i pacenueshmërisë së punës së prokurorëve.
Neni 13 i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shkruan se dënohet me burg “çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave”…
Kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Xhafaj tha se mënyra sesi është formuluar pjesa e paragrafit që ka të bëjë me mediat, nuk ka qenë korrekte. Ai premtoi në emër të Partisë Socialiste se ky paragraf i nenit do të rishikohet gjatë punës në komision për të shmangur keqkuptimin.
Ky qëndrim i Xhafajt është një tërheqje që vjen 48 orë pasi mediat, shoqëria civile dhe vetë një pjesë e politikës e cilësuan këtë ligj si rikthim të neneve të diktaturës dhe të papranueshëm. Shoqatat e gazetarëve u shprehën se një ligj i tillë do të thotë burgosje të gazetarëve për çdo shkrim që prokurorët do e quajnë “influencë e papërshtatshme”. Lidhur me këtë nismë të qeverisë janë vënë në dijeni dhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e mediave. Kundër kësaj nisme u pozicionua edhe Partia Demokratike e cila deklaroi se do të votonte kundër një propozimi të tillë.
Po kundër këtij neni është dhe aleati kryesor i Partisë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i kësaj force politike, Ilir Meta tha dje se “në demokraci asnjë institucion nuk është i pakritikueshëm”. Më i drejtpërdrejtë ishte kreu i deputetëve të LSI-së dhe anëtar i komisioni të Reformës në Drejtësi Petrit Vasili. Në një deklaratë për media, Vasili shprehu habinë sesi një nen i tillë ishte futur në projektligjet e reformës në drejtësi. Duke e cilësuar si një draft të papranueshëm, Vasili tha se LSI-ja nuk mund të pranonte që një ligj i tillë të vihet në zbatim.
Por ndërsa Kryeministri dhe PS ka bërë një hap pas, kjo çështje nuk mund të mbyllet vetëm me shprehjen “ishte një keqkuptim”. Sepse realisht nuk kemi të bëjmë me një keqkuptim, por me një projekt që synonte censurimin e medias lidhur me aktivitetin e Prokurorisë Speciale dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas hartuesve të nenit, synohet që prokurorët specialë të mbrohen nga sulmet e pabaza në media. Por me këtë ligj, medias i hiqet e drejta të shprehet edhe për prokurorët që realisht mund të jenë të korruptuar. Në vend që t’i mbronte nga presionet e paligjshme, realisht ky nen u jep imunitet edhe prokurorëve të korruptuar, sepse në të gjitha rastet gazetarët i çon në burg, vetëm me një fjali: “influence e papërshtatshme”. Ndërkohë që për gazetarët dhe mediat që shantazhojnë ka ligje aktuale të tjera që garantojnë jo vetëm prokurorët, por çdo qytetar që i drejtohet gjykatave kur ndjehet i sulmuar padrejtësisht. Pse pikërisht e donin një mbrojtje të tillë sikur do jenë “Zeusi” këta prokurorë?! Pse nuk janë njërëz edhe ata? Nuk korruptohen edhe ata?! Prandaj është media si pushtet i katërt që kontrollojë e shkruaj për këdo që shkel ligjet, edhe për prokurorët specialë.
Ajo që është më flagrante në këtë histori ka të bëjë me faktin se dy prej forcave kryesore që janë pjesë e reformës në drejtësi, PD dhe LSI deklarojnë se nuk kanë pasur dijeni për këtë projekt. Nuk dinë se kush e ka hartuar dhe si është futur në nenet e draftit të ligjeve që do kalojnë në Kuvend.
Përveç mungesës së transparencës, justifikimi se ishte një formulim i gabuar nuk mjafton. Deri më sot është thënë nga PS se nenet e ligjeve janë hartuar bashkë me ekspertët e huaj të misioneve OPDAT (SHBA) dhe EURALIUS (BE). Nëse pjesë të këtij ligji janë futur nga ekspert e SHBA dhe BE, kjo do të ishte dhe më flagrante. Sepse ky nen bie ndesh jo vetëm më Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe me konventat ndërkombëtare për të drejta dhe liritë themelore të njeriut. Çfarë ekspertësh të huaj apo vendas janë këta që bëjnë një gafë të tillë ligjore, që nuk e bënë as edhe një student me korrespodencë i juridikut?
PS-ja tha se ligji do të riformulohet duke mos prekur lirinë e medias. Por të gjitha palët që janë pjesë e këtij procesi i detyrohen opinionit publik një sqarim, se kush e futi në mënyrë tinëzare nenin e famshëm 13. Mbi të gjitha, një sqarim duhet ta bëjnë edhe diplomatët që kanë marrë përsipër reformën. Sepse ky nen ngjan me atë të kohës së komunizmit që ndalonte lirinë e fjalës. Ose ekspert ndërkombëtarë nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë, ose pa dashje janë vënë në shërbim të Ramës për të kontrolluar mediat.
Në PS thonë se Fatmir Xhafaj nuk do të guxonte të bënte një gafë të tillë pa lejen e kryeministrit Rama. Ta kenë bërë të huajt, nuk e ha njeri! Por më mirë që u tërhoq kryeministri, pasi po përgatitej që media të fillonte grevën, duke mbyllur gazetat, radiotelevizonet dhe mediat online për një ditë në shenjë revolte ndaj nenit në fjalë.
Gjithsesi u tërhoq kryeministri.