Nëse Irani i mbijeton luftës me SHBA-në dhe Izraelin, shtetet e Gjirit Persik do të përballen me një Iran më radikal

-Botuar në radion “Europa e Lirë”-

Të gjendur në mes të luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, aleatët e Amerikës në Gjirin Persik po përballen me një zgjedhje të vështirë: të mbajnë pozicionin e tyre mbrojtës apo t’i bashkohen luftës kundër Republikës Islamike.

Irani ka gjuajtur mijëra dronë dhe raketa ndaj ushtrisë amerikane dhe ndërtesave diplomatike dhe dëmtuar infrastrukturën kyç të energjisë në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Bahrejn dhe Kuvajt që kur nisi lufta më 28 shkurt. Duke ngufatur Ngushticën e Hormuzit, një arterie kryesore për furnizimet botërore me naftë dhe gaz, Teherani po ashtu ka dëmtuar fqinjët e tij sa u përket eksporteve të tyre kyç.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke u përballur me atë që e cilësojnë si kërcënim ekzistencial, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – ekonomitë dhe fuqitë ushtarake më të mëdha të Gjirit – po e shqyrtojnë ndryshimin drejt pozicionit më sulmues, sipas raportimeve të mediave, një lëvizje që ekspertët thanë se mund t’i ekspozojë ato ndaj një hakmarrjeje edhe më të ashpër iraniane.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ekspertët thanë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pak të ngjarë që t’i bashkohen drejtpërdrejt luftës, por mund të zgjerojnë mbështetjen e tyre logjistike për SHBA-në dhe t’i bëjnë presion ekonomik Iranit.

“Në praktikë, ‘bashkimi në luftë’ do të nënkuptonte më shumë mundësi për forcat amerikane për të përdorur bazat dhe hapësirën ajrore, zbatim më të rreptë ndaj rrjeteve tregtare dhe financiare iraniane në Gjirin Persik, dhe veprime mbrojtëse ushtarake të kufizuara – jo një fushatë të hapur bombardimesh mbi Iranin”, tha Christopher Davidson, studiues i politikës së Lindjes së Mesme dhe bashkëpunëtor në Universitetin Durham në Mbretërinë e Bashkuar.

‘Të shantazhuar’ nga Irani

Kjo duket se tashmë po ndodh. Riadi së voni pranoi që forcat amerikane të përdorin bazën ajrore Mbreti Fahd, që gjendet pranë Detit të Kuq në jugperëndim të mbretërisë, raportoi më 23 mars The Wall Street Journal.

Kjo do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm. Arabia Saudite, sikurse fqinjët e saj arabë, kishte premtuar se hapësira ajrore dhe objektet ushtarake të saj nuk do të përdoren për të sulmuar Iranin.

Irani ka akuzuar shtetet e Gjirit, shumë prej të cilave kanë baza ushtarake amerikane, për ndihmë në përpjekjet ushtarake të Amerikës. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha më 25 mars se ka “dëshmi që tregojnë se amerikanëve u janë ofruar shërbime nga vendet rajonale”.

Riadi urdhëroi dëbimin e atasheut ushtarak iranian dhe katër punonjësve të Ambasadës më 21 mars, duke u thirrur në ato që i quajti sulme të vazhdueshme mbi territorin saudit.

Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, u tha gazetarëve se “durimi i shtetit ndaj sulmeve të Iranit nuk është i pakufishëm”. Ai shtoi se: “Çdo besim që vendet e Gjirit nuk janë në gjendjen të përgjigjen është një llogaritje e gabuar”.

Në tre javët e fundit, dronët dhe raketat iraniane kanë goditur rafineritë kryesore të naftës në Arabinë Saudite, eksportuesen më të madhe në botë të naftës. Irani ka sulmuar po ashtu edhe Ambasadën amerikane në Riad.

Ndërkaq, në javët e fundit Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shënjestruar institucionet e lidhura me Iranin, duke mbyllur një spital, një klub shoqëror dhe disa shkolla.

Javën e kaluar, Emiratet mbyllën Spitalin Iranian, një institucion shëndetësor i lidhur me shteti, që gjendej në Dubai. Me rreth 700 punonjës dhe i menaxhuar nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, spitali ishte një nga institucionet shëndetësore më të vjetra në vend.

Në kritikën më të ashpër që ka ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Jashtëm, sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan shkroi në X më 22 mars se shteti “nuk do të shantazhohet nga terroristët”, që duhet se ishte referencë për Iranin.

Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj ish‑ambasadorit francez në SHBA, Gerard Araud, i cili kritikoi deklaratat e bëra nga këshilltari presidencial të Emirateve, Anwar Gargash, i cili tha se fokusi i Abu Dabit nuk duhet të jetë arritja e një armëpushimi me Teheranin, por kufizimi i “kërcënimit bërthamor, raketor, dronëve dhe kërcënimit të rrugëve detare” nga Irani.

Dronët dhe raketat iraniane kanë shkaktuar gjithashtu shkatërrime në Katar, Bahrejn dhe Kuvajt, duke dëmtuar objekte nafte dhe gazi dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po ashtu kanë goditur infrastrukturën civile të Iranit, përfshirë depot e naftës dhe një fabrikë për desalinizimin e ujit.

“Shumë të cenueshëm” ndaj kundërsulmeve

Pavarësisht retorikës përshkallëzuese, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pak gjasa të rrezikojnë të hyjnë në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Iranin, thanë ekspertët.

“Të dy vendet kanë infrastrukturë shumë të cenueshme ndaj sulmeve iraniane – centrale energjetike, impiante për desalinizimin e ujit dhe ndërtesa të larta banimi”, tha Simon Henderson, drejtor i programit për Gjirin Persik dhe Politikën e Energjisë në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt.

“Të dyja po ashtu kanë komunitete minoritare myslimane shiite me prirje proiraniane”, shtoi ai.

“Përfshirja më e madhe në luftë vetëm sa do ta përkeqësonte situatën e tyre”.

Nëse Republika Islamike i mbijeton luftës me SHBA-në dhe Izraelin, shtetet e Gjirit Persik do të përballen me një Iran edhe më radikal, thanë ekspertët. Por, nëse regjimi kolapson, kjo mund të shkaktojë kaos dhe ai të përhapet në rajon.

Skenari më i mirë për shtetet e Gjirit nuk është ndryshimi i regjimit, por “një mbështetje kryesisht indirekte dhe e kalibruar me kujdes për SHBA-në, e cila rivendos parandalimin ndaj Iranit, thellon lidhjet e sigurisë me Uashingtonin dhe kufizon ndikimin iranian pa shkaktuar përshkallëzim të madh mbi naftën e Gjirit”, tha Davidson nga Universiteti Durham.

“Rezultati më i keq është përfshirja më e thellë, sidomos ofensive, nga Arabia Saudite apo nga Emiratet ndihmon në nxitjen e një cikli të sulmeve iraniane dhe të bashkëpunëtorëve të tij që dëmtojnë objektet e energjisë, pengojnë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, largojnë investimet dhe i tërheqin ata në një luftë të gjatë dhe të kushtueshme rajonale”, shtoi ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?