Nëse Kryeministri Rama merr sot Kavajën, nesër “pushton” Shkodrën
-Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë: “Sot Kavaja në ditën e ngadhënjimit të saj”, ndërkohë PD-ja bën thirrje për rrethim të bashkisë me popull që të mos hyjë Rilindja.
-Nëse në Devoll, një zonë përgjithësisht e majtë, opozitarët nuk rezistuan gjatë, në Kavajë reagimi pritet të jetë shumë i fortë. Zhvillimet në Kavajë do të jenë paralajmërim për qytetet e tjera ku socialistët kërkojnë të marrin bashkitë si në Berat, Lezhë apo Shkodër. Nëse sot merret Kavaja, kryeministri do të turret drejt Shkodrës.
Partia Socialiste ka programuar që sot, datë 30 korrik, të zhvillojë ceremoninë e marrjes së pushtetit vendor në Kavajë, të dalë nga votimet e kontestuara të 30 qershorit.
Në orën 10:00 PS-ja ka njoftuar se do të mbajë mbledhjen dhe konstituimin i Këshillit të ri Bashkiak të Bashkisë Kavajë. Po sot, pas këshillit, pritet të marrë detyrën e kryetarit kandidati i PS, që ka fituar në zgjedhjet partiake të 30 qershorit. Skema e PS për të marrë pushtetin vendor në Kavajë pritet të sjellë reagime të forta nga ana e opozitës. Demokratët e Kavajës paralajmëruan dje në mbrëmje protestë të fortë dhe bllokim të procesit të betimit të kryebashkiakut të ri.
Në njoftimin e shpërndarë në faqen zyrtare të degës së PD, demokratët deklarojnë se qytetarët e Kavajës do të jenë në shesh për të bllokuar procesin fars të marrjes së Bashkisë, si dhe do të zbatojnë dekretin e Presidentit të Republikës, i cili anuloi 30 qershorin. “Asnjë hap pas! Të nderuar qytetarë dhe qytetare të Kavajës! Ditën e nesërme me 30 korrik, në orën 09:30 ju ftojmë të gjithëve përballë bashkisë së qytetit të protestojmë dhe të bllokojmë procesin ilegjitim të farsës së votimeve të 30 Qershorit! Të gjithë së bashku në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës ti themi ndal instalimit të diktaturës në vendin tonë. Bashkia është e qytetarëve”,- thuhet në njoftimin e demokratëve të Kavajës. Po dje në mbrëmje, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar për protestë masive në këtë qytet. Duke publikuar një video nga protestat masive të mëparshme, Berisha shkruan në rrjetet sociale: “Nesër (sot) Kavaja në ditën e ngadhënjimit të saj! Rama ik! Fitore!”. Protesta e PD do të nisë 30 minuta para se në bashkinë e Kavajës të vijnë këshilltarët e PS dhe kandidati i saj për të marrë detyrën. Kryebashkiaku i PD-së, Isa Sakja së bashku me mbështetësit PD-së në këtë qytetet, pritet që të zhvillojnë një protestë masive. Tubimi pritet të mos jetë i zakonshëm edhe për shkak të asaj çfarë përfaqëson Kavaja për demokratët dhe opozitën. Në qytetin e Kavajës u zhvilluan përplasjet më të forta me policinë, pas Shkodrës, për të mos lejuar farsën e 30 qershorit. Mijëra demokratë dolën në rrugë gjatë muajit qershor dhe kërkuan që të mos hapeshin qendrat e votimit. Nëse nuk do të ishte qëndrimi zyrtar i opozitës për të mos përdorur dhunë, në Kavajë në 30 qershor do të kishte përplasje të ashpra që do t’a bënin të pamundur zhvillimin e votimeve vetëm me kandidatin e PS. Tashmë që farsa e 30 qershorit është certifikuar nga anëtarët e PS në KQZ, demokratët e Kavajës ndodhen para faktit që socialistët do të synojnë të marrin edhe zyrtarisht drejtimin e bashkisë. Ajo çfarë e bënë këtë proces jo vetëm anti ligjor, por edhe moralisht të dënueshëm është rezultati i votimeve moniste. Kandidat i PS që garoi me një kandidat anonim të “opozitës” ka marrë 6 mijë vota. Pra një kandidat i PS që ka marrë gati 5 % të votave do të drejtojë një bashki me rreth 80 mijë banorë. Pakica do të drejtojë shumicën e qytetarëve. Në ditët më të mira të saj në Kavajë, PS ka marrë 20 mijë vota, ndërkohë PD-ja ka qenë gjithmonë forca që ka dominuar në gjithë fushatat. Për shkak të votave opozitare dhe historisë politike të Kavajës, marrja e pushtetit sot pa zgjedhje nga ana e PS do të jetë një provokim i fortë politik që do të sjellë dhe reagime.
Njëherazi rrëzimi i pushtetit të PD në Kavajë me zgjedhje farsë është dhe një test për gjithë PD-në dhe opozitën. Nëse në Devoll, një zonë përgjithësisht e majtë, opozitarët nuk rezistuan gjatë, në Kavajë reagimi pritet të jetë edhe më i fortë.
Zhvillimet në Kavajë do të jenë dhe paralajmërim për qytetet e tjera ku socialistët kërkojnë të marrin vendimin si në Berat, Lezhë apo Shkodër. Nëse bie Kavaja, ka rënë forca e PD-së e cila ngrinte zgupthi krejt regjimet. Në Kavajë dhe në Shkodër filloi levizja antiregjim komunist. Historia, me sa duket, po përsëritet.
/Mili Xhani/