Qentë e Tiranës !
Dikush mund të kujtojë se e kemi fjalën për “qentë e politikës”. Ata janë e keqja më e madhe e vendit; ata hanë, shqyejnë, kacafyten, pajtohen, ndajnë hisen e ditës dhe prapë lehin e hanë. Por nuk e kemi hallin këtë rradhë për këto soji qeni. Është fjala tamam për qentë, këtë kafshë të bukur, mike e njeriut, porse kur del jashtë kontrollit edhe kafshon, acaron njeriun dhe bëhet për ta sikterisur. Tirana ka plot qenë. Kudo nëpër pallate, lagje, sheshe, tek liqeni; me njërëz e pa njërëz të shoqëruar. Kemi shumë qenër!
Është një nga problemet me të cilat nuk ka banorë të kryeqytetit që të mos ndeshet përditë. Në hyrjet e pallateve, në rrugë, në lokale, në stacionet e autobusëve, në shëtitore, parqe dhe kudo ka një vend publik qentë janë kthyer në një tmerr për qytetarët. Nuk është vetëm çështje imazhi për kryeqytetin, por prania e kaq shumë qenve është kthyer në një rrezik publik në Tiranë. Tre ditë më parë një qen i racës “Pitt Bull” kafshoi një fëmijë. Më pas i ati fëmijës mori armën për ta vrarë dhe për pasojë u plagosën dy persona të tjerë. Kjo është vetëm një nga rastet e fundit me flagrante. Histori të ngjashme me sulme qenve në media janë bërë rutinë. Ka plot njërëz që marrin përdore qenë të mëdhënjë dhe dalin në qejfin e tyre, porse pa maska mbrojtëse dhe ndodhin që sulmojnë qytetarët rrugës. Je duke ecur në punën e hallin tënd dhe vetëm kur nga pas një qen të kap pantollonat apo shqyen ndonjë copë mishi.
Rastet e sulmeve nga qentë kalojnë edhe imagjinatën. Sipas të dhënave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mesatarisht në një javë ka 5 deri në 7 persona që plagosen nga qentë. Shifrat e sulmeve konkurojnë edhe ato të aksidenteve me makina, duke u kthyer një shqetësim dhe rrezik real për jetën e qytetarëve.
Problemi i parë janë qenë endacakë. Gjatë viteve të fundit, pavarësisht masave të marra nga pushteti vendor, numri i tyre sa vjen dhe është rritur. Përveçse i sheh në çdo cep të Tiranës, rreziku i tyre është disa herë më i madh. Në shumicën e rasteve këto kafshë mbartin sëmundje të rrezikshme, si tërbimi apo leshmanjoza, të cilat janë vdekjeprurëse për qytetarët nëse nuk jepet ndihma e parë në kohë. Bashka e Tiranës ka nisur para disa muaj një fushatë, por në vend të eliminimit është zgjedhur sterilizimi i tyre. Zgjidhja u bë e tillë për të mos shkaktuar ndjeshmëri në publik dhe ndaj shoqatave që mbrojnë të drejtat e kafshëve. Por ky debat mund të vlejë në Suedi, apo Francë, por jo në Tiranë. Zgjidha nuk është që të mos i lëmë të shumohen qentë, por t’i ndalojmë që të vrasin njerëz. Sterilizimi do të thotë që edhe për 5 apo 10 vjet në rrugët dhe sheshet e Tiranës të shohim përditë lukuni dhe kope qensh që sillen vërdallë. Imazhi i keq që japim si kryeqytet që do të hyj në BE është më e pakta. Më e rënda është ajo që çdo javë 5 persona rrezikojnë edhe vdekjen nga këta qenë.
Ndërsa fenomeni i qenve endacakë është deri diku i kuptueshëm në një shoqëri si e jona që po harron të merret me njerëzit dhe jo më me kafshët, por çudia ndodh me qentë që kanë pronar. Vitet e fundit është kthyer në modë mbajta e qenve në shtëpi, apo edhe më keq nëpër apartamente ku qytetarët mbajnë edhe raca të rrezikshme si “Pit Bull” dhe “Rottëeiler”, pa asnjë masë sigurie. Ka rregullore dhe dy institucione, Drejtoria e Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Bashkia e Tiranës që kujdesen për kushtet e mbajtjes së qenve të rrezikshëm. Sipas kësaj rregulloreje, kur qentë nuk mbahen të lidhur dhe nuk kanë maska, kafshët sekuestrohen nga policia.
Por kushdo është dëshmitar se masa të tilla nuk merren, madje tolerohen në mes të ditës. Mjafton një vëzhgim në ambientet publike, si tek Parku i Liqenit dhe Parku “Rinia” në qendër të qytetit. Janë dy zonat ku ka më shumë fëmijë, pensionistë dhe këmbësorë, por janë dhe zonat ku ka më shumë qenë të shëtiten pa asnjë masë sigurie, pa maska dhe pa zinxhirë nga pronarët. Rreziku është i pranishëm në çdo orë nga papërgjegjshmëria e pronarëve të këtyre kafshëve.
Por nuk janë vetëm zonat publike. E njëjta gjë ndodh në çdo pallat, ku jashtë standardeve të sigurisë mbahen qenë që janë një kërcënim për çdo banorë. Qeni është një kafshë miqësore dhe jo gjithmonë është agresive. Por mbajta e racave problematike dhe papërgjegjshmëria e pronarëve të tyre është një rrezik real për qytetarët nëse nuk merren masa.
Sipas institucioneve në vitin 2015 në Tiranë kishte rreth 10 mijë qenë endacakë. Thuajse një ushtri kafshësh që kërcënojnë qytetin me sëmundje. Duke shtuar këtu dhe mijëra qenë të tjerë që kanë pronarë, por që për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre janë po kaq të rrezikshëm, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Bujqësisë duhet të kishin shpallur me kohë alarmin.
Kemi shumë qenë në kryeqytet! Këtë radhë e kemi fjalën për qentë si kafshë, të cilët rrezikojnë banorët, pasi për “qentë e politikës” mjafton të hapni televizorin dhe frikësohen jo vetëm qytetarët, por edhe vetë qentë e rrugës!
Shumë qenë ka në Tiranë!