Dosja “Dako” trondit qeverinë Rama

-Vangjush Dako është një “minierë floriri” për publikun, nëse flet. Ndërkohë prokuroria ka filluar të tundë prangat, sepse edhe në mazhorancë disa e duan të “pjekur” Gjushin e Durrësit. Frika e PS-së mbetet se mos ndërkombëtarët kanë dosje dhe regjistrime të tjera, të cilat hedhin në erë qeverinë, jo vetëm prej Dakos.

Hetimet për trafik droge dhe goditjen e një grupi të rrezikshëm kriminal në Shijak kanë nxjerrë në skenë emrit të kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kreu i një prej bashkive më të mëdha të vendit dhe anëtari i Kryesisë së PS-së, sipas përgjimeve të Prokurorisë, dyshohet se është përfshirë në skema që kanë të bëjnë me blerjen e votës dhe punësime të paligjshme me anëtarë të asaj që njihet si banda e Shijakut. Prokuroria po heton edhe për këto vepra penale, në dosjen me 40 të arrestuar, por nuk ka specifikuar nëse hetimi është direkt për emrin e Vangjush Dakos.

Kryebashkiaku i Durrësit është një nga miqtë personal të kryeministrit Rama. Pas ish-ministrit Tahiri, dikur, Vangjusht Dako mbetet miku personal i Edi Ramës.

Pavarësisht veprimeve të prokurorisë, dalja e një pjese të përgjimeve për operacionin “Vol-Vo 4” ka dhënë efektin e parë dhe është një goditje jo e vogël për mazhorancën dhe qeverinë. Dako, një nga njerëzit me më shumë pushtet në Durrës, edhe në Tiranë, pranoi se ka pasur kontakte me anëtarët e bandës së Shijakut. Pranoi se kishte folur për vota, por jo për pazare. Edhe pse në bisedat me të cilat u njoh publiku nuk ka vepër penale që mund të sjellë pasoja për kryebashkiakun, të paktën për momentin, efekti te qeveria ishte shkatërrues. Konfirmimi i ndërhyrjes së elementëve kriminal në favor të PS në zgjedhje për blerje votash, vë në pikëpyetje mënyrën sesi Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet. Nëse deri dje denoncimeve të opozitës, PS-ja u përgjigjej se “kaq takat keni”, nga sot kemi një njeri të rëndësishëm të qeverisë që flet për vota të blera. Kaq mjafton për opozitën që të shtojë dhe argument tjetër të fortë në bojkotin që ka vendosur me qeverinë. Për shumë më pak prova se kaq, në vitin 2010 opozita e drejtuar nga PS nisi fushatën e famshme “Hap kutitë ose largohu”, një vit pasi zgjedhjet ishin njohur dhe pranuar nga ndërkombëtarët. Ndaj dhe në reagimin e djeshëm kreu i PD-së, Lulzim Basha kërkoi një hetim të plotë të dosjes së operacionit të fundit, vetëm për çështjen e vjedhjes dhe blerjes së votave.

Por në publikimin përgjimeve, pyetja që shtrohet më së shumti është përse u godit tani Vangjush Dako. Detaje nga dosja e hetimit të bandës së Shijakut janë përmendur në media dy vite më parë. Opozita dy vite më parë bëri një denoncim ndaj Dakos, por askush se mori parasysh. Ndërkohë që vet kryebashkiaku i Durrësit i mohoi lidhjet e tij më elementë kriminalë duke bërë dhe padi ndaj kreut të PD. Hapja e dosjes sot ka më shumë se një arsye dhe të gjitha e vënë në siklet mazhorancën. Prokuroria ka pasur materiale, por çuditërisht nuk ka nisur asnjë hetim. Pasi hetimet u shtynë për dy vite nga një prokuror te tjetri dhe pasi humbën disa herë dosjet e Prokurorisë së Durrësit, operacioni u vu në lëvizje nga ndërkombëtarët. Zhvillimi i ngjarjeve tregon se mazhoranca është më e interesuara që kryebashkiaku i Durrësit të mos prekej. Me daljen e përgjimeve në media qeveria ndodhet para dilemave jo të vogla. Nëse e mbron Vangjush Dakon, siç ka bërë me rastet e tjera, kryeministri Edi Rama mund t’i kthet në bumerang. Faktet janë se ka mbrojtur disa kryebashkiakë, ministra dhe deputetë, por në fund kanë përfunduar nën hetim ose në burg. Këtë herë Edi Rama nuk po prononcohet.

Nëse akuzat vërtetohen, nuk kemi të bëjmë vetëm më lidhje okulte me krimin, por edhe vjedhje votash dhe mandate deputetësh. Ndërkohë nëse PS distancohet nga Vangjush Dako duke e lënë të përballet vetëm me drejtësinë, pasojat mund të trondisin jo vetëm PS në Durrës, por edhe qeverinë në Tiranë. Vangjush Dako është ndër kryebashkiakët me jetë gjatë të PS dhe një nga njerëzit me më shumë ndikim në kryesi, por edhe te disa ministra të kabinetit Rama. Ai është edhe mik personal i kryeministrit.

Në gjithë këto vite bashkëpunimi, të vërtetat që di kryebashkiaku i Durrësit mund të jenë përvëluese për qeverinë “Rama”. Në intervistën që dha në emisionin “Opinion”, veç argumenteve të tij që rrëzonin lidhjet me të arrestuarit, Vangjush Dako u kujdes që të jepte dhe mesazhet e duhura për Edi Ramën. Që nga përdorimi i shprehjeve, të njëjta me kryeministrin, por edhe tek pranimi i idesë se do të largohej nga drejtimi i Bashkisë dhe do të pranonte çdo post tjetër politikë për PS. Pra mesazhi ishte se mos më hidhni në kosh se do flas!

Kryeministri Edi Rama që zakonisht flet 5-6 herë në ditë për gjëra shumë më të parëndësishme sesa akuzat ndaj një kryebashkiaku të tij, këto tre ditë ka zgjedhur të hesht. Publikisht nuk e ka marrë në mbrojtje, por as nuk është distancuar. Pas skandaleve të Tahirit, Babales, Xhisilës, mënyra sesi do të reagojë qeveria për përgjimet e Dakos do përcaktojë jo vetëm fatin politik të kryebashkiakut të Durrësit, por edhe të qeverisë.

Vangjush Dako është një “minierë floriri” për publikun, nëse flet. Ndërkohë prokuroria ka filluar të tundë prangat, sepse edhe në mazhorancë disa e duan të “pjekur” Gjushin e Durrësit. Frika e PS-së mbetet se mos ndërkombëtarët kanë dosje dhe regjistrime të tjera, të cilat hedhin në erë qeverinë, jo vetëm prej Dakos.

SHKARKO APP