Nesër seanca e Parlamentit, opozita merr masa për gazin lotsjellës (VIDEO)
Mazhoranca ka përcaktuar orën se kur do të zhvillohet seanca plenare të martës. Sipas informacioneve në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, seanca pritet që të zhvillohet në orën 10:00. Vendimi për orën u është njoftuar deputetëve gjatë mbledhjes së grupit të PS që u zhvillua paraditen e kësaj të hëne, por nuk përjashtohet mundësia e një lëvizjeje të orarit. Mazhoranca e ka mbajtur sekret orën e seancës, për të mos i dhënë mundësi opozitës që të organizohet për protestat. Mësohet gjithashtu se gjatë mbledhjes së grupit i është kërkuar ministrisë së Brendshme që të garantojë sigurinë fizike të deputetëve të mazhorancës. Kjo për faktin se opozita ka paralajmëruar se do të protestojë pavarësisht se I është refuzuar leja nga policia.
Seanca e nesërme, në çfarëdo ore që do të zhvillohet pritet të ketë tensione. Kjo për shkak edhe të lëvizjeve të mazhorancës për të zëvendësuar listën e deputetëve që dogjën mandatin. Burime nga PS, thonë se në seancën plenare të së martës pritet që të bëhet edhe betimi i katër deputetëve të rinj të LSI që do të marrin sot mandatin nga KQZ. Një hap i tillë i mazhorancës duket se do të tensiononojë dhe më shumë situatën. Deputetët që kanë shprehur dëshirën për të marrë mandatin, janë emra që nuk përfaqësojnë opozitën dhe aq më pak LSI. Një pjesë e tyre janë aktualisht nëpunës administrate të PS, ose njerëz që kanë bërë pazare personale duke pranuar marrjen e mandatit. Rasti më emblematik është i Lefter Maliqit, i cili aktualisht është drejtues në administratën e burgjeve dhe thotë se do të marrë mandatin për të përfaqësuar interesat e opozitës. Por edhe kandidatët e tjerë që kanë pranuar të jenë në Kuvend tashmë figurojnë si njerëz në listën e pagave të mazhorancës.
Kurdo që do të zhvillohet seanca e radhës, opozita është përgatitur për protestë masive. Në protestat e fundit, Policia e Shtetit përdori jashtë kritereve ligjore gazin lotësjellës duke dëmtuar fizikisht protestuesit dhe qytetarët, si dhe duke shpërndarë protestat.
Por duket se për tubimin e radhës opozita ka marrë masat për të përballur aksionin e policisë. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka refuzuar t’i japë leje Partisë Demokratike për zhvillimin e protestës së paralajmëruar për nesër përpara Parlamentit dhe teksa opozita është e vendosur që të protestojë, LSI ka nxjerre një video ndihmese për protestuesit, si te mbrohen nga gazi lotsjellës i policisë. “Kjo video tregon mënyrën për tu mbrojtur ndaj lëndëve helmuese luftarake të Edi Ramës! Përgatitur nga të rinjtë e LSI, Gjithmonë gati ?”- shkruan kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi në faqen e saj në FB, teksa ka postuar edhe këtë video.
https://www.facebook.com/floidakerpaci/videos/2107089392741767/