Nexhmija Hoxha, kryeministrit: Mos bëj fashistin me mua!

E veja 97 vjeçare e Enver Hoxhës thotë se po veprohet me metoda fashiste për t’i nxjerrë në rrugë pa asnjë alternativë nga një godinë e vjetër e përshtatur si banesë pas dëbimit të familjes Hoxha nga Blloku në fillim vitet ’90

“Si mund të merren vendime të tilla pa na dhënë asnjë mundësi, asnjë alternativë? Çfarë do të bëjmë ne në këto kushte, ku të shkojmë ne, ku të sistemohemi? Na thonë që duhet të zgjidhim trafikun e makinave në Tiranë. Patjetër të zgjidhet po jo kështu. Më duket një veprim tipik fashist dhe banorët këtu që po protestojnë kanë plotësisht të drejtë. Por meqë përmendet emri im, po ju them se kam edhe problemin e ruajtjes së asaj pak trashëgimie që më ka mbetur nga Enveri, që mezi e mblodha kur na degdisën këtu” – thotë Nexhmije Hoxha në një bisedë me gazetarin e DITA.

Rustem Peçi, aktualisht Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, i cili banon në të njëjtën godinë është dhe më i ashpër në reagimin e tij:

– Nexhmija ka të drejtë, këto janë fashistë. Meritojnë etiketime më të rënda se kaq. Kjo është një qeveri që ka dëshmuar se i mungon dhembshuria vecanërisht për ata më të dobëtit. Po janë ata që ia kanë dhënë votat Edi Ramës. Mirëpo ta di mirë se ai që të ngre, edhe të rrëzon. Janë treguar shumë hipokritë, vecanërisht me ne. Si mund të veprohet në mënyrë të tillë? Disa na përmendin Bllokun dhe privilegjet e dikurshme. Im atë, Shefqet Peçi, pavarësisht meritave që kishte për kohën e luftës dhe më pas, nuk ka jetuar asnjëherë në ish-bllokun e famshëm. Edhe tani nuk po kërkojmë të kthehemi as në atë bllok dhe as në blloqet e rinj me vila luksi që kanë ndërtuar për veten milionerët  pushtetarë dhe oborrtarët e tyre. Nuk mjafton që shpenzohen paratë tona dhe durimi ynë me muzera antikombëtarë dhe kampe gënjeshtrash, nuk mjafton balta që hidhet mbi luftën dhe heronjtë e dëshmorët e saj. Do na flakin dhe në rrugë tani, në këtë moshë? Këto veprime janë neofashizëm i kulluar”

 

SHKARKO APP