Nga Ben Blushi: Shqipëria bëhet
Nga Ben Blushi
Gjatë shekullit të kaluar Shqipëria ka humbur shumë mundësi për tu kthyer në një vend me ekonomi të zhvilluar që garanton mirëqënie dhe progres për gjithë qytetarët e saj.
Natyra dhe pozicioni i saj gjeografik kanë qenë të vetmit aleate bujarë të mbijetesës, shtetformimit dhe ekonomisë së varfër të Shqipërisë.
Në të kundërt, qeveritë që kanë drejtuar vendin në 100 vitet e fundit në shumë pak raste kanë arritur të harmonizojnë burimet e mjaftueshme natyrore me zhvillimin dhe progresin e qëndrueshëm.
Si pasojë, Shqipëria ka qenë dhe mbetet vendi më i varfër në Europë dhe shpresa se shpejt do ndryshojë kahjen e zhvillimit duke krijuar institucione të besueshme dhe qeverisje të pastër dhe moderne jane ende shumë të mjegullta.
Mungesa e besimit tek administrimi i vendit i ka shtyrë shqiptarët të braktisin vendin në masë dhe sot ata mbeten populli që prodhon më shumë emigracion për frymë popullsie në Europë.Në 25 vitet e fundit më shumë se 30 për qind e qytetarëve të Shqipërisë janë larguar duke emigruar në perëndim, kryesisht për arsye ekonomike.
Pasuritë natyrore janë shfrytëzuar keq dhe janë kthyer në monopole të cilat nuk kanë garantuar më shumë vende pune,shërbime më cilësore dhe cmime më të lira.Emigracioni dhe rënia e besimit tek qeverisja vazhdon dhe gjatë vitit të shkuar, shqiptarët u renditën të dytët pas sirianëve për shkallën e largimit nga vendi.Vetëm gjatë vitit 2015 kemi humbur një qytet sa Elbasani me afro 100 mijë vetë, të cilët kanë emigruar, ose mesatarisht gati 300 shqiptarë ne ditë.
Varfëria është rritur dhe përbën sot kërcënimin më të madh për të ardhmen dhe ekonominë e Shqipërise. Asnjë ushtri, asnjë epidemi, asnjë ideologji dhe asnjë fuqi pushtuese ndoshta nuk e ka rrezikuar vendin më shumë se varfëria dhe injoranca që pjell ajo.
Shqiptarët e varfër janë sot evropianët që jetojnë më keq.
Sipas statistikave të besueshme janë më shumë se 15 për qind e shqiptarëve të cilët jetojnë në kufirin e dinjitetit me më pak se 2.5 dollarë në ditë dhe gati nje e treta e popullsise ose 31.2% sipas Bankës Botërore, nuk arrin dot të kapërcejë kufirin e të ardhurave 5 dollare në ditë e thënë në mënyrë më direkte, një familje me 5 anëtarë disponon cdo muaj vetëm 90 mijë lekë të në total, ose afërsisht 18 mijë lekë për çdo pjesëtar, pra edhe nën nivelin e pagës minimale.
Shqipëria është në prag të deflacionit i cili nëse vazhdon për disa muaj do të shkaktonte rënie cmimesh në kufinjtë e kostos, reduktim të shpenzimeve dhe konsumit, ulje të prodhimit të brendshëm, largim nga puna të shumë njerëzve të zënë në punë si dhe rënie alarmante të të ardhurave. Deflacioni është armiku kryesor i ekonomive.Vende me te zhvilluara se Shqiperia nuk kane arritur dot ta frenojne deflacionin per shume dekada duke e mbajtur ekonomine e tyre ne stanjacion,pra mungese rritjeje kostante.Shqiperia sot shpenzon pak,konsumon shume pak dhe prodhon akoma me pak.Alarmi eshte se kjo tendence mund ta ktheje stanjacionin,pra mpirjen e ekonomise ne nje semundje kronike.
Por si do arrijmë ta pengojmë ekonominë të hyjë në ngadalesim apo ne deflacion?
Duke shtuar shpenzimet, duke stimuluar konsumin dhe duke rritur prodhimin.
Shpenzim,Konsum,Prodhim.Kjo është e vetmja rrugë.
Çështja është si do të arrijmë të shtojmë shpenzimet,konsumin dhe prodhimin?
Si do ta mundim varfërinë?
Çfarë duhet të bëjmë që shqiptarët të mos emigrojnë masivisht por të besojnë se kanë punë, drejtësi dhe mirëqënie në vendin e tyre?
Si do të shfrytezojmë më mirë të mirat materiale duke i kthyer ato në burim mirëqënie për shumicën e popullit?
Si do të investojmë më shumë në arsim duke ulur shkallën e lartë të analfabetizmit dhe duke i kthyer shkollat tona në burime dijesh dhe profesionesh?
Si do arrijmë të hapim më shumë vende pune?
Si do arrijmë të jemi konkurentë duke prodhuar më shumë për të rritur eksportet dhe për të blere më pak duke reduktuar importet?
Si do arrijmë ta kthejmë ekonominë e Shqipërisë nga një ekonomi që vetem blen, në një ekonomi që shet?
Si do shtojmë eksportet dhe si do ti bëjmë prodhimet tona të konkurrueshme për tregjet e huaja?
Si do arrijmë të rrisim prodhimet tona bujqësore dhe të përgjysmojmë nivelin e mbi 800 milion eurove në vit që i harxhojmë duke blerë në tregjet e huaja ushqimet që konsumojmë?
Si do arrijmë të nxjerrim nga mjerimi më shumë se 10 për qind të familjeve shqiptare të cilat sot jetojnë me ndihmë ekonomike?
Si do mbrojmë administratën publike nga ndikimi i partive, duke garantuar qëndrueshmëri dhe besim tek qytetarët?
Si do të nxisim kthimin e trurit në një vend i cili cdo vit detyron gati 5000 fëmijë të largohen për tu shkolluar jashtë, shumica e të cilëve për të mos u kthyer më?
Si do të ulim shpenzimet e shëndetit duke rritur jetëgjatësinë dhe duke garantuar ilace dhe kurim për shumicën e popullit i cili sot është i pambuluar nga shërbimet shëndetësore?
Si do të harmonizojmë politikat fiskale duke balancuar taksat mes të pasurve dhe të varfërve dhe njëkohësisht duke mbrojtur biznesin?
Si do të arrijmë të kapërcejmë paragjykimet e investitorëve seriozë për Shqipërinë duke u siguruar atyre klime më të mirë biznesi, parashikueshmëri politkash fiskale, garanci juridike dhe fuqi punëtore të kualifikuar?
Dhe në fund fare si do arrijmë ti bindim shqiptarët se Shqipëria bëhet?
Dhe nëse bëhet a mund te bëhet nga vetë shqiptarët?
Duke besuar se Shqipëria bëhet, besoj se ka disa politika të cilat sot janë bërë të domosdoshme.Zbatimi i tyre kërkon guxim, drejtësi dhe vizion.
1.Paketa e dinjitetit
Sa më shumë të varfër të ketë një vend aq më pak të pasur ka.
Parimi kryesor i zhvillimit të një vendi është nxjerrja e sa më shumë të varfërve nga varfëria. Shqipëria ka sot më shumë të varfër për frymë popullsie se cdo vend tjetër në Evropë. Varfëria shton korrupsionin, prapambetjen kulturore, dobëson tregun e punës dhe ia vështirëson vendit thithjen e investimeve serioze. Shqipëria nuk ka menduar kurrë seriozisht për të varfërit dhe në këto 25 vjet vendi nuk ka patur asnjëherë në mënyrë të qartë politika të fokusuara për reduktimin e varfërise. Shqipëria nuk ka patur asnjëherë një shifër zyrtare të « minimumit jetik » mbi bazën e të cilës të ndërtonte politikat e mbështetjes për të varfërit dhe shtresat në nevojë. Kemi bërë politika asistencialiste ose « lemoshë » pa guxuar të bëjmë politika të vërteta sociale sipas modelit social europian.
Një paketë dinjiteti për të varferit do ti jepte Shqipërisë më shumë dinjitet.
Kjo paketë do të nënkuptonte pagesën nga shteti, pra falas, të minimumit të domosdoshëm të energjisë elektrike për të gjithë ata që jetojnë me ndihmë ekonomike. Kjo Paketë Dinjiteti duhet të garantojë furnizimin falas për shtresat në nevojë, që llogariten në afërsisht 100 mijë familje, apo 400 mijë qytetarë që jetojnë me më pak se 40 dollare në muaj, ose rreth 40 lekë për person në ditë. Atyre duhet t’u sigurohet nga shteti ndriçimi, ngrohja dhe konsumi i televizorit.
Paketa e Dinjitetit duhet të përfshijë edhe librat falas për fëmijët, kaloritë e nevojshme dhe vaksinimin falas, sepse, analfabetizmi dhe sëmundjet e të varfërve i kushtojnë shoqërisë disa herë më shtrenjtë, nëse nuk kurohen.
Paketa e Dinjitetit po ashtu duhet të parashikojë dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të varferit në jo më pak se 10 mijë lekë , para të cilat sërish shteti do t’i përfitojë në formë taksash mbi qarkullimin e mallrave.Këto te ardhura do të shtojnë konsumin, i cili në vitin e fundit ka rënë, duke e vënë në vështirësi ekonominë shqiptare. Shifrat e fundit të INSTAT për një inflacion në nivelin më të ulët historik prej 0.2% dëshmojnë se sa poshtë ka rënë konsumi në shoqërinë shqiptare, sa e rrezikuar është ekonomia jonë nga deflacioni, dhe mbi të gjitha këto shifra tregojnë se reduktimet kryesore në konsum kanë ndodhur në ushqimet, veshjet, etj. Pra, varfëria jo vetëm që është prezente, por edhe mund të rritet cka e bën të domosdoshme që Shqipëria të shpërndajë më shumë të ardhura për të varfërit duke u dhënë atyre mundësi shkollimi dhe punësimi.
2.Rritja e pagës minimale
Shqipëria është vendi që paguan më pak për orë pune në Evropë. Shtetet fqinje kanë paga minimale më të larta cka e ka vënë në kushte pabarazie tregun tonë të punës duke i shtyrë shqiptarët drejt emigrimit pa kthim.
Paga mesatare për orë pune në Europë është 24 euro për orë. Ne Maqedoni paga minimale për orë pune është 3.2 euro. Në Bullgari 3.7 euro. Në Kroaci 8.8 euro. Në Shqipëri ajo shkon maksimumi 1.5 euro në orë ose 54 për qind më e ulët se në Maqedoni. Në disa raste sidomos në idustrinë fason pagesa për orë pune nuk kapërcen 0.6 euro në orë c’ka i detyron shumë punëtorë shqiptarë të punojnë në kushte skllavëruese duke mos arritur dot të përballojnë cmimet e tregut si dhe nevojat për arsim, shëndet dhe transport.
Pagesat e ulëta të punës nuk kanë ndikuar aspak në rritjen e investimeve të huaja, të cilat janë reduktuar ndjeshëm dhe sot Shqipëria përfiton investime të huaja direkte më pak se të gjitha vendet e rajonit.
Rritja e konsiderueshme me të paktën 50 për qind të pagës minimale do t’i nxisë punëtorët të shtojnë konsumin dhe nivelin e tyre të jetesës si dhe do të rritë taksat për buxhetin e shtetit.
3.Reforma e rritjes së pagave
Një nga arsyet pse administrata shqiptare ka performancë të dobët profesionale është edhe niveli i ulët i pagave. Pagat e administratës dhe sektori privat në Shqipëri janë më të ultat në Evropë cka sjell emigracion,hezitim për tu kthyer në Shqipëri pas studimeve si dhe është burim i vazhdueshëm korrupsioni.
Gjatë dekadës së fundit pagat nuk janë rritur por vetëm janë indeksuar duke iu referuar relativisht shkallës së inflacionit.Në afër 13 vjet pagat janë rritur me 1.7 herë ndërsa cmimet me të paktën dy deri tre herë. Megjithë sakrificat e kuptueshme që do duhej të përballonte buxheti i shtetit në rast të rritjes së pagave një reformë pagash që merr parasysh ristrukturimin e administratës publike, kategorizimin e pagave, mbrojtjen e administratës nga politizimi dhe lëvizjet e shpeshta si dhe shton shkallën e kontrollit në funksion të antikorrupsionit është e domosdoshme madje emergjente. Shqipëria nuk mund të dalë dot nga varfëria nëse nuk merr parasysh një rritje të menjëhershme të pagave deri në masën 50 për qind në harkun e katër viteve.
Kështu duke respektuar dhe mbajtur parasysh kufizimet buxhetore, Qeveria duhet të rrisë kufirin e pagës minimale, ti rrisë ato fillimisht në sektorin publik, cka do të pasohet shpejt nga rritja e pagave në sektorin privat, pagat mund të rriteshin menjëherë në masën 10 për qind vitin e parë, 10 për qind vitin e dytë dhe repektivisht 15 për qind në secilin nga dy vitet e tjera.Kjo rritje pagash e balancuar me një politikë më të kujdesshme fiskale, do të rriste me shpejtësi konsumin duke i dhënë dinjitet dhe duke forcuar shtresën e mesme të vendit që mbetet shtresa mbi te cilën ekperimentet e shpeshta kanë dhënë goditjen më të fortë.
Është e vërtetë që rritja e menjëhershme e pagave mund të kishte ndikim në rritjen e lehtë të inflacionit në vend por duke marrë parasysh se për shkak të rënies së konsumit inlacioni është nën nivelin e pranueshëm 3 për qind, kjo rritje mund të balancohej pa i shkaktuar dëm ekonomisë kombëtare dhe buxhetit.
Rritja e pagave do të ishte një mundësi e madhe për të afruar në administratë studentet shqiptarë që janë diplomuar në perëndim të cilët besojnë se aftësite e tyre mbeten të nënpaguara nga tregu i punës vendas.
4.Si do të shtohen të ardhurat
Shpenzimet për paketën e dinjitetit, arsimin, dhe rritjen e pagave në sektorin publik nuk do vijnë nga rritja e taksave dhe as nga rritja e borxhit publik.
Borxhi duhet të përdoret vetëm për investime ndërsa ekuilibrimi real i taksës progresive si dhe mirëadministrimi i të ardhurave duhet të shkojnë drejtpërsëdrejti per të rritur pagat,ndihmën ekonomike dhe pensionet.
Kjo rritje do të përballohet duke ndryshuar mënyrën e përdorimi të fondeve publike si dhe duke luftuar evazionin fiskal.
Paketa e Dinjitetit nga e cila do të përfitojnë 10 mijë lekë të reja më shumë në muaj rreth 80 mijë familje shqiptare ka një kosto prej 12 miliard lekë në vit.
Rritja e pagave në sektorin publik me 50% në katër vite kërkon rreth 33 miliard lekë në vit në katër vitet e ardhshme.
Rritja e shpenzime për arsimin nga 2.6% e buxhetit në 5% kërkon rreth 12 miliard lekë në vit.
Nga kjo rezulton që duhen rreth 57 miliard lekë në vit për të përballuar këto politika. Buxheti i shpenzimeve për vitin 2016 është parashikuar në 453 miliard lekë.
Një pjesë e këtyre fondeve keqpërdoren ose nuk shpenzohen siç janë planifikuar. Duke u përqëndruar tek mirëadministrimi financiar, planifikimi realist, zbatimi rigoroz i buxhetit dhe duke futur në sitë çdo zë shpenzimesh, do të kurseheshin 5%-6% të shpenzimeve të buxhetuara (pa përfshirë pagat e administratës) ose rreth 20 miliard lekë në vit.
Sa i takon të ardhurat tatimore ato planifikohen për vitin 2016 në 377 mld lekë.
Ekonomia informale ne Shqipëri,që përkthehet në evazion fiskal dhe deficit buxhetor është në nivele të larta.Nëse informaliteti reduktohet mund të mblidhen rreth 37 miliard lekë më shumë në vit dhe të rriten të ardhurat në 10% pa rritur taksat.
5.Mbështetje e shtresës së mesme
Shtresa e mesme mund të jetë faktori kryesor i rritjes në Shqipëri.
Fatkeqësisht barra fiskale për shtresën e mesme ështe rritur në vitet e fundit.Sot një ekspert banke tatohet më shumë se pronari i bankës. Një gazetar paguan më shumë taksë se botuesi i tij. Një profesionist që punon në një biznes privat si administrator, taksohet shumë më shumë se pronari i kompanisë. Pra një njeri i arsimuar, i cili fiton 1000 euro, paguan më shumë taksë se dikush që fiton 1 milion euro. Respektivisht ai që e ka rrogën mbi 1000 euro paguan 23 % taksë ndërsa ai që fiton 1 milion euro taksohet 15 %. Ky është një deformim progresiv i taksës progresive.
Taksa progresive u aplikua keq duke u kthyer në një ngarkesë të pajustifikuar fiskale për një shumicë profesionistësh të arsimuar afërsisht 11 mije, të cilët përbëjnë motorrin ekonomik të vendit si dhe përfaqësojnë mendimin e tij të pavarur. Taksa progresive thjesht u ideologjizua dhe u deformua në një slogan elektoral pa vlera praktike. Koncepti “kush fiton më shumë paguan më shumë” përfundoi thjesht si një barrë për shtresën e mesme dhe profesionistët më të kualifikuar e shkolluar që ka ky vend duke përjashtuar realisht ata që fitojnë me shume, pra pronarët e kapitalit.
Shtresa e mesme parimisht mbetet aleate e të gjitha reformave.Sa më shumë njerëz të dalin nga varfëria aq më e madhe është shtresa e mesme dhe aq më shumë kontribuon ajo në një progres të qëndrueshëm dhe në detyrimin per arsimim.
Padrejtesisht sot në Shqipëri taksohet më shumë mendja se kapitali.Më shumë ideja se pasuria. Më shumë puna se prona.
Përgjatë historisë ne kemi vuajtur më shumë se kushdo nga eksodi i mendjes.Kjo tendencë vazhdon.Njerëzit e arsimuar kërkojnë të ikin. Mungesat për specialistë, sidomos mjekë dhe infermierë, në disa vende të Evropës do ta zbrazin edhe më shumë Shqipërinë nga shtresa e saj e mesme.Vetëm gjatë ditëve të fundit Gjermania ka hapur mbi 5000 vende pune për mjekë dhe infermiere shqiptarë. Nëse ky ritëm ikjeje vazhdon Shqipëria do të vuajë për personel të kualifikuar në harkun e dhjetë viteve.
Në këto kushte ndryshimi i taksave për shtresat e mesme të shkolluara është një emergjence kombëtare. Sistemi i taksimit progresiv duhet të zbutet për shtresën e mesme e cila përvecse do inkurajohej të mos emigronte do kishte edhe më shumë mundësi për shkollim, strehim duke rritur të ardhurat e tatueshme si dhe sigurimet bazë për pensionet e pleqërisë dhe të shëndetit. Sa më e madhe të jetë shtresa e mesme aq më pak të varfër ka, cka është një parim të cilit Shqipëria nuk mund ti shmaget.
6.Taksim progresiv real
Sistemi i taksave në Shqipëri nuk ka arritur dot të krijojë më shumë barazi.Ende raporti i taksimit mes të pasurve dhe të varfërve nuk është i drejtë dhe i justifikuar cka e thellon pabarazinë dhe nxitin uljen e besimit te politikat e drejta dhe të arsyeshme. Një kompani që shfrytëzon natyrën, ujin, ajrin, tokën dhe pasuritë mbi dhe nëntokësore duhet të kontribuojë më shumë për buxhetin e përbashkët. Kjo do të rriste mundësinë e investimeve të shtetit për infrastrukturë për paga më të larta dhe pensione më të denja. Koncepti bazë në këtë drejtim ndotës-pagues, është totalisht i neglizhuar, duke favorizuar pronarët e mëdhenj dhe zotëruesit e kapitalit.
Shkalla e taksimit progresiv që u prezantua tre vjet më parë nuk është aplikuar sic duhet duke deformuar thelbin e vet.Taksa progresive është zbatuar vetëm për të varfërit dhe punëtorët por jo për të pasurit të cilët ende taksohen në mënyrë të sheshtë. Taksimi progresiv është aplikuar vetëm mbi punën por jo mbi fitimin dhe aq më pak mbi dividentin pra mbi fitimin neto të shoqërive.
Një kompani fitimprurëse në telekomunikacion, sistem bankar, aktivitet minerar apo farmaceutik sot paguan 15 për qind tatim mbi fitimin të cilin ia faturon konsumatorit dhe 15 përqind tatim mbi dividentin që e përfiton të gjithin vetë. Ky sistem taksash nuk e ka favorizuar aspak klimën e investimeve në Shqipëri dhe të gjitha pretendimet se investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri për shkak të taksave nuk janë vërtetuar.
Sistemi i taksave duhet rishikuar duke vendosur kufij të qartë fitimi të cilët nisin të rriten progresivisht mbi xhiron 20 milion euro në vit dhe me rradhë 30, 40 e deri në 100 apo mbi 100 milion euro duke e cuar taksimin e këtyre xhirove progresivisht deri në 40 për qind cka është sërish nën normën europiane të taksimit për kompanitë e mëdha. Një sistem real i taksimit progresiv do të shmangte largimin e më shumë se 600 milion eurove në vit nga Shqipëria duke i kthyer këto të ardhura në kontribute për buxhetin e përbashkët, për investimet, pagat dhe pensionet.
7.Detyrimi për t’u arsimuar
Shoqëria duhet të detyrohet të mësojë. Një shoqëri e paarsimuar është e destinuar të dështojë dhe të prodhojë varfëri, korrupsion dhe emigrim. Arsimi duhet konsideruar si ekonomi.Vetëm përmes ndryshimit në arsim ne mund të jemi konkurues në një rajon që sot investon pa përjashtim më shumë se ne në shkolla. Çdo vend i rajonit investon më shumë se 5 % të buxhetit në arsim, ndërsa ne kemi mbetur në kuotën 2.2-2.8 %. Kuota e detyrueshme e shpenzimeve në arsim duhet të jetë e detyrueshme jo më pak se 5 për qind. Në fund të fundit ky është një angazhim që Shqipëria e ka marrë në kuadrin e Objektivave të Mijëvjecarit që në vitin 2000.
Sot katër fëmijë në dhjetë nuk shkojnë në shkollë të mesme. Familjet e varfëra dhe në nevojë sidomos në fshat nuk i cojnë fëmijët në shkollë të mesme për të kursyer kosto të tepërta ose për ti mbajtur fëmijët si ndihmës në punë. Është e domosdoshme që cikli i mesëm, pra gjimnazi në Shqipëri të bëhet i detyrueshëm. Ndjekja e shkollës nuk duhet të konsiderohet një e drejte fakultative por një detyrim që cdo fëmijë dhe familje i ka shoqërisë.Prandaj detyrimi per shkuar në shkollë nuk është vetëm një e drejtë por edhe një detyrim i sanksionuar me ligj dhe i kontrolluar me ligj.
Madje ndihma ekonomike për familjet në nevojë duhet të kushtëzohet me pjesëmarrjen e femijëve në shkolla. Detyrimi për të ndjekur shkollat do rrisë cilësinë e dijes për shtresat e varfëra dhe do ta bëjë shoqërinë më të arsimuar dhe më të kulturuar. Në këtë mënyrë shumë fëmijë do shkojnë në shkollë duke mos marrë rrugë të gabuara në mosha të vogla për shkak se shteti i braktis, ndërsa familjet nuk kanë mundësi të përballojnë shkollimin e tyre. Një shoqëri fiton më shumë nëse i mban fëmijët në shkollë se në rrugë.
Qeveria dhe pushteti vendor duhet perfundimisht të kenë kompetenca të ndara sa i takon administrimit të arsimit publik. Pas reformës territoriale emërimet në arsim, pra mësuesit, duhet të caktohen nga 61 bashkitë e reja dhe jo nga Ministria e Arsimit, e cila duhet të përcaktojë kriteret që pushteti lokal duhet t’i ketë detyruese. Ministria e Arsimit sot konsumon shumicën e kohës, energjive dhe burimeve njerëzore me emërime, çka e ka kthyer atë në një dispeceri politike. Decentralizimi i emërimeve në arsim është një mënyrë për të depolitizuar sistemin arsimor dhe mësuesit që është plaga më e madhe e shkollave tona.
Nese mësuesit bëhen pjesë e komisoneve zgjedhore, shkolla vdes, sepse në këtë mënyrë mësuesit do të emërohen sipas kritereve politike dhe jo atyre profesionale.Kodi Zgjedhor dhe ligji i arsimit parauniversitar duhet të pengojë pa hezitim partitë për të emëruar mësuesit si komisionerë elektorale.Nxjerrja e mësuesve nga partitë do të ishte hapi i parë për të depolitizuar dhe shmangur korrupsionin dhe mediokritetin që përbëjnë sot armikun kryesor të nxënësve, të shkollave dhe të së ardhmes.Nëse politika nxirret me ligj nga shkolla sigurisht që të dyja do të fitojnë por në rradhë të parë fiton Shqipëria.
8.Reduktimi i tarifës universitare
Shumë studentë shqiptarë sot privohen nga ndjekja e universiteteve edhe për shkak të tarifave të larta.Për shkak të uljes së mbështetjes buxhetore për universitetet publike, tarifat vjetore janë rritur afërsisht 30 për qind në dhjetë vitet e fundit. Duke iu përgjigjur konkurrencës së universiteteve private që mbajnë tarifa të larta,universitetet publike parashikohet t’i rrisin edhe më shumë tarifat për pranimin në shkollat e larta. Kjo konkurrencë është e papranueshme. Shoqëria paguan taksa për t’u arsimuar dhe duke marrë parasysh cilësinë e ulët të diplomave dhe numrin e vogël të studentëve shqiptarë, tarifat duhet të përgjysmohen menjëherë.
Po ashtu për një kategori studentësh që vijnë nga familjet e varfra dhe sidomos ato me ndihmë ekonomike tarifat duhet të jenë zero. Universitetet publike duhet të financohen nga shteti duke garantuar cilësi, demokraci të brendshme dhe kontroll periodik. Cdo qasje sipas së cilës universitetet publike duhet të konkurrojnë në treg si ndërrmarrje fitimprurëse është e padrejtë dhe do ta vinte arsimin e lartë në pozita të dobëta dhe inferiore me universitetet private.Në Shqipëri, Arsimi duhet të konsiderohet një e drejtë themelore që garantohet dhe mbrohet nga shteti.
- Fond Kombëtar Investimesh
Shqipëria investon shumë pak për infrastrukturën e saj.Veprat publike në vend janë të copëtuara ose të mirëmbajtura keq cka rrit kostot dhe ul produktivitetin e tyre. Infrastruktura rrugore, arsimore, shëndetësore, portuale, hekurudhore dhe ajo e ujësjellësave është e dëmtuar dhe ndërhyrjet përvecse të fragmentuara janë minimale.
Shqipëria ka nevojë urgjente të kthehet në një kantier ndërtimesh prioritare. Rrugë, autostrada, ura, porte, aeroporte, linja hekurudhore turistike, spitale rajonale, shkolla dhe ujësjellësa janë prioriteti i vendit. Ato do të hapnin vende pune, do të ndihmonin kompanitë e ndërtimit, do të rrisnin shkallën e aksesit për investimet e huaja dhe turizimin si dhe do të ndërtonin një vend modern i cili nuk paragjykohet për shkak të mungesës historike të infrastrukturës. Ndërtimi i një infrastrukture moderne do të ndryshonte në pak vjet vendin duke e bërë konkurrues dhe joshës.
Sot investimet në infrastrukturë jane minimale dhe kryesisht estetike. Programet e ndërtimit të veprave të mëdha publike janë të kufizuara. Borxhi publik nuk ka shkuar për të ndërtuar vepra të mëdha si rrugë, porte, aeroporte, shkolla, spitale, teknologji, bujqësi dhe ujësjellësa por është copëtuar në qindra projekte të vogla me pak eficencë ekonomike.
Krijimi i një Fondi Kombëtar të Investimit, i cili duhej të ishte jo më pak se 3 për qind i PPB pra afërsisht 300 milion euro në vit do ta kthente vendin në një kantier duke e transformuar rrënjësisht në krye të një dekade. Përmes investimeve në infrastrukturë, sidomos në rrjete rrugore, në subvencione për bujqësinë dhe teknologji arsimore, ky Fond mund të kthehej në motorrin kryesor të ekonomisë së vendit duke e kthyer Shqipërinë për disa vjet në vendin më të përparuar në rajon.
Fondi i Kombëtar i Investimeve do të financohet nga kursimet e qytetarëve shqiptarë. Shqiptaret janë qytetareë që kursejnë. Kursimet e tyre kapin një vlere 7.8 miliard Euro ose 78% e PBB. Por sot nga kursimet, ata fitojne 1% interes ne vit. Ne 2012 ata fitonin 6% ne vit. Po të kemi parasysh që infacioni në vitin 2015 ka qenë mbi 1% rezulton se me kursimet e tyre shqiptarët mund të përballojnë më pak se një vit me parë.
Për këtë arsye më shumë se 55 miliard kursime janë nxjerrë jashtë sistemit bankar në kërkim të normave më të larta dhe investuar në fonde të investimeve të cilat thjeshte i japin borxh qeverisë. Gjithashtu ata kanë rritur investimet direkte në borxhin publik me 14 miliard lekë gjatë këtyre viteve duke preferuar të mos i lenë paratë e tyre në depozitë. Kërkesa e tregut për të investuar te shteti shqiptar ka qenë e lartë duke ulur normat e interesit. Ndërkohë megjithëse ka likuididet të tepërt në sistem, ekonomia nuk kreditohet aq sa duhet dhe ka shfaqur shenja tkurrje. Pra problemi më i madh është ekonomia reale dhe jo borxhi publik i shtetit se në të kundërt nuk do te rendin për të kërkuar të investonin tek ai. Ekonomia reale është në ngërc dhe kërkon stimuj që sektori privat nuk po i gjen. Investimet private nuk po rriten më.
Fondi Kombetar i Investimeve duhet të jetë një kompani me pronësi publike e cila duke mbledhur kursime të fjetura dhe depozita pasive nga qytetarët do t’u kthente atyre interesa më të larta se ato që ofron sot tregu bankar. Shqiptarët kanë kursime por nuk kanë ku ti investojnë ato.
Qytetarët do të donin që paratë e tyre të investohen dhe jo të rrinë nëpër banka ku humbin vlerë përditë. Fondi Kombëtar i Investimeve i financuar me instrumenta borxhi ku mund të mbledhë deri 50 miliard lekë në vit për t’i investuar në ekonominë e vendit në projekte që do rigjallëronin dhe do e bënin më konkuruese atë. Kjo do të përkthehej jo vetëm në shpenzime më të larta dhe qarkullim të parase në ekonomi por edhe norma interesi më të larta për qytetarët për kursimet e tyre dhe rritur inflacionin.
Në këto kushte shqiptarët do të përfitonin dyfish.Së pari nga rritja e interesave që do t’u kthente ky Fond dhe së dyti nga rritja e ekonomisë dhe hapja e vendeve të punës.Kompanitë shqiptare do krijonin më shumë fitim duke rritur kontributet e tyre fiskale për buxhetin e shtetit. Ky Fond do të kthehej në një mundësi që qytetarët e Shqipërise të investonin në vendin e tyre duke ju rikthyer ndjenjën e koorporatizimit publik si dhe garancinë e një marrdhënieje huamarrje dhe huadhënie të siguruar nga shteti. Fondi Kombëtar i Investimeve do të ishte pronë e përbashkët e gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë të cilët do të blenin aksione dhe bono të tregtueshme pranë tij me interesa më të larta se tregu. Shqipëria do t’i përgjigjej në këtë mënyrë jo vetëm nevojës jetike për investime por edhe pyetjes se ku duhet ti investoje kursimet e veta.
Shteti duhet të kthehet në një investitor të madh që garanton shërbime të cilësisë së lartë. Në këtë mënyrë Shqipëria do të transformohej per tu bërë më e arritshme dhe polarizimi që ka rrënuar shumicën e qyteteve dhe zonave rurale do të zbutej.Turizmi dhe Bujqësia do të ishin përfituesit më të mëdhenj duke rritur kuotën e tyre në ekonominë kombëtare dhe kompanitë vendase do të rrisnin të ardhurat dhe për pasojë dhe kontributet ndaj buxhetit të përbashkët.
Shqipëria Ndërton do të ishte një projekt që do të rrokte imagjinatën e brezave pasi plogështia e ndërtimeve publike ka qenë një nga nxitësit kryesorë të varfërisë së vendit në 25 vjet. Ka ardhur koha që Shqipëria ti kthehet punës duke ndërtuar veten përmes parave që gjeneron vetë apo atyre që merr hua kryesisht nga publiku i brendshem. Borxhi publik i Shqipërisë megjithëse ka arritur shifra të larta duhet të kufizohet vetëm për ndërtimin e infrastrukturës.
10.Politika kundër shpopullimit
Shqipëria po humb përditë popullsi.
Dy arsyet kryesore të uljes së numrit të popullsisë janë emigracioni dhe rënia e lindjeve.Ne 25 vjet kemi humbur pothuajse 30 për qind të popullsisë që ka emigruar. Deri në vitin 2000 Shqipëria ka patur shkallën më ë lartë të lindjeve në Evropë me afërsisht 17 fëmijë për 1000 banorë. Sot ky nivel është ulur në 13 fëmijë për 1000 banorë dhe alarmi për një plakje të popullsisë është rritur edhe nga vëzhgimet e fundit të institucioneve ndërkombëtare. Sipas një studimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nëse vazhdon me këto ritme popullsia e Shqipërise mund të përgjysmohet për 5 dekadat e ardhshme.
Megjithëse plakja e popullsisë është një fenomen i përgjithshëm europian sërish në rastin e Shqipërise ai do të jetë shkatërrues duke marre në konsideratë numrin e vogël të popullsisë që kemi.Vendet e mëdha europiane po i përgjigjen plakjes dhe tkurrjes natyrale të popullsisë duke pranuar kuota për emigrantët por Shqipëria nuk i ka kushtet për të pranuar emigrantë nga vendet e tjera në mënyrë të organizuar dhe periodike.
Në këto kushte politikat favorizuese për të shmangur rënien e lindjeve si dhe braktisjen e zonave të vështira rurale janë të domosdoshme. Shqipëria duhet të stimulojë lindjet duke adoptuar edhe të ashtuquajturin baby-bonuspra dhurimin e një shume të konsiderueshme për cdo fëmijë që lind i cili mund të shkojë sipas rastit deri në 500 euro.
Nga ana tjetër duhet të rriten investimet për zonat e varfra për të shmangur largimin nga tokat dhe fshatrat që po shpopullohen. Politikat kundër shpopullimit do rrisnin të ardhurat duke shtuar buxhetin e përbashkët. Në thelb të gjitha politikat tona ekonomike duhet të kenë një synim:frenimin e shpopullimit të Shqipërisë.
Erozioni demografik mund të shkaktojë efekte të pakthyeshme për të ardhmen e vendit duke e rrënuar përgjithmonë mundësinë tonë për të investuar, për të punuar dhe për të rritur mirëqënien në emër të brezave që vijnë.
Asnjë brez nuk do të donte ti trashëgonte brezave që vijnë një vend më të vogël dhe cdo brez duhej të turpërohej nëse nuk do të bënte përpjekjet e duhura për të shamngur zvogëlimin e vendit të vet.
Prandaj sot eshte koha per te shpresuar se Shqipëria bëhet.