Nga darka e ngjalave në Gjirin e Lalzit te darka e peshkut në Tiranë
Darka mbaroi. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta kishin zgjedhur të darkojnë me njëri-tjetrin në një restorant në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë. Bashkë me Edi Ramën dhe Ilir Metën, në darkën tek Pazari i Ri ishin Erion Veliaj dhe Petrit Vasili. Këtë radhë negociatat për mirëkuptim nuk u zhvilluan si dikur në Gjirin e Lalzit me ngjala, por në Tiranë si dhe kishin shoqërues seriozë në darkë, Erion Veliaj dhe Petrit Vasili. Sejcili mik dhe besnik për liderin e tij. Derisa janë ulur bashkërisht mendohet se si mund ta kenë gjetur edhe zgjidhjen e çëshjtes së çadrës së opozitës. Problemi i tyre mbetet mosfutja e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit, pasi mes tyre mund ti zgjidhin problemet dhe dilemat. Pa opozitën e vështirë se do ti njoh njeri zgjedhjet dhe se mund te ketë stabilitet. Edhe ndonjë për zëvëndësimin e opozitës së PD me ndonjë opozitë të re, duket paksa absurde. Opozitat shkrihen ose zëvëndësohen me votime e jo duke mos u futur në zgjedhje.
Darka e punës ka mbaruar rreth orës 0.10 të ditës së hënë. Nga brenda nuk ka asnjë burim informacioni, pasi Erion Veliaj dhe Petrit Vasili kanë qëndruar gojëkyçur për mediat.
Nga restoranti dolën të parët Edi Rama dhe Erion Veliaj. Të dy kanë ecur disa metra deri aty ku i prisnin makinat dhe janë larguar pa dhënë asnjë prononcim për mediat. Rreth një minutë më pas kanë dalë nga restoranti Ilir Meta dhe Petrit Vasili. Megjithëse kanë shtrënguar duart me reporterët që i prisnin jashtë restorantit, edhe këto nuk kanë dhënë asnjë deklaratë. Pyetjeve nëse kishin një marrëveshje i janë shmangur me një buzëqeshje, duke lënë të paqartë nëse është arritur një marrëveshje mes palëve për një koalicion të ri në zgjedhjet e ardhshme.
Në ditët në vijim do kuptohet se ç’kanë vendosur, pasi do duket nëse do vijojnë sulmet reciproke mes PS e LSI si deri me tani apo do ketë stopim. Nëse vijojnë sulmet do thotë se kanë konsumuar darkën e fundit me njeri- tjetrin. Të dy kanë të qartë se po u ça e majta, pushteti ikën.
Në foto: Pamje nga jashtë i lokalit
Ne foto: Lokali i darkës Rama-Meta
Gjatë ditës së pardjeshme, por edhe më herët në mënyrë të përsëritur, ka pasur deklarata të forta që nxjerrin në pah një përplasje brenda koalicionit të majtë mes dy forcave kryesore PS dhe LSI. Ilir Meta ka shqetsim problemin e mosfutjes se opozitës dhe kjo duket e pengon të thotë “po” propozimit të Ramës për firmosjen e koalicionit. Natyrisht me rregulla të reja , precize.
Nuk ka kohë më për sulme ndaj njëri tjetrit sepse po vjen data 18 prill dhe në KQZ duhet të regjistrohen koalicionet. Nëse PS-LSI futen bashkë mundin çdo koalicion, pasi akoma PD nuk ka rigjeneruar vetveten dhe nuk bind. Lulzim Basha po kthehet në kryetar real me çadrën dhe ka fituar shumë personalisht. Tani është kryetar i PD-së. Fryma e tij europiane bie ndesh me një pjesë të PD-së, e cila ka nevojë të ikë, pasi veçse e rëndon Bashën në projektin e ri për një PD me europiane. Çadra mbetet pjesë e këtij projekti. Me çadrën në shesh Lulzim Basha deri tani ka spostuar Jozefina Topallin, Majlinda Bregun, Eduart Selamin, etj, të cilët rrinin gati që ti merrnin karriken.
Tashmë Basha e ka blinduar PD-në, në sensin e lidershipit. Berisha po ikën nga pak e përditë drejt pensionit dhe shkrimit të librave për historinë e këtyre 27 viteve. Do të jenë libra bestseller. Berisha e bëri historinë dhe mbetet në histori.
Gjithsesi produkti i darkës së mbrëmshme do shikohet, ndoshta, që sot. Kanë filluar të shfaqen të mërziturit, qejfmbeturit, interesaxhinjtë e konflikteve, deputetët që digjen nga pakti Rama-Meta, etj.
Të gjithë janë me veshë në krah!