As te berberi s’je më i sigurt! Atentati që tronditi Lezhën
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në darkë vonë në rrethin e Lezhës, ku si pasojë e disa të shtënave ka mbetur i plagosur një 30-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur te berberi i një lagje në Rrilë, pra kanë qëlluar nga rruga direkt të vendi ku njerëzit ishin në berberhane.
30-vjeçari është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas ka mbërritur në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, ai ka marrë tre plagë nga arma e zjarrit, konkretisht në shpatull, në bark dhe në këmbë. Mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Dikur thuhej se berberja ishte vend qetësie. Një karrige, një pasqyrë, një brisk dhe disa minuta pa zhurmë. Sot, edhe aty mund të të gjejë plumbi. Ngjarja e Lezhës nuk është thjesht një episod kriminal, por një simptomë e qartë e një shoqërie ku dhuna ka humbur çdo kufi.
Kur krimi hyn edhe te berberi, do të thotë se nuk ka më hapësira neutrale. Nuk ka më vende “të sigurta”. Nga lokalet te rruga, nga oborret te shtëpitë, tani edhe te berberi – jeta e përditshme është kthyer në territor rreziku.
Problemi nuk është vetëm arma, por normalizimi i saj. Të shtëna që nuk tronditin më askënd. Plagë që trajtohen si statistikë. Një i plagosur më shumë, një lajm më shumë, një ditë tjetër që kalon pa përgjegjësi.
Shteti reagon gjithmonë pas ngjarjes. Një njoftim, një hetim, një frazë standarde. Por parandalimi mungon. Siguria publike është bërë reaktive, jo parandaluese. Dhe kjo e lë qytetarin të pambrojtur edhe në vendet më banale të jetës së përditshme.
Kur një qytetar nuk ndihet i sigurt as te berberi, atëherë problemi mbetet shqetsues.
Krimi po përhapet pa shqetsim nga shteti, e kjo është shqetsuese.

Njoftim i policisë:
“Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes” – thuhet në njoftimin e policisë
KOHA JONË SONDAZH

