Nikki Haley pritet të tërhiqet nga gara presidenciale, Biden-Trump përballja finale

Ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Nikki Haley do të pezullojë fushatën presidenciale të mërkurën, sipas një burimi që ka dijeni për planet e saj.

Kjo do të thotë se ish-presidenti Donald Trump e ka të garantuar emërimin nga Partia Republikane dhe do të përballet sërish me demokratin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Sipas burimit që konfirmoi lajmin, zonja Haley nuk do të shprehë mbështetjen për zotin Trump në fjalimin e saj. Ajo do t’i bëjë atij thirrje që të përpiqet ta fitojë mbështetjen e përkrahësve të saj, ku bëjnë pjesë një pjesë e konsiderueshme e republikanëve të moderuar dhe votuesve të pavarur, sipas të njëjtit burim.

Vendimi i zonjës Haley për t’u tërhequr nga gara vjen një ditë pas votimeve të Super së Martës, ku zoti Trump fitoi bindshëm në 14 nga 15 garat për emërimin e republikanëve.

Ajo qëndroi në fushatë më gjatë se çdo rival tjetër republikan i zotit Trump, por në asnjë moment nuk paraqiti njç kërcënim serioz për ish-presidentin.

52 vjeçarja Haley, kishte siguruar mbështetjen e donatorëve me ndikim që synonin të frenonin kandidaturën e zotit Trump, veçanërisht pas paraqitjes së mirë në disa debate në të cilat ish-presidenti Trump nuk mori pjesë.

Por ajo nuk arriti të bëjë për vete një numër të mjaftueshëm votuesish konservatorë përballë mbizotërimit të zotit Trump.

Por fakti që mbështetja për të ishte më e dukshme mes republikanëve të moderuar dhe të pavarurve, mund të jetë një tregues se stili i politikës i zotit Trump mund të paraqesë sfida për të në zgjedhjet e përgjithshme më 5 nëntor.

Nga ana tjetër, zoti Biden përballet me fidat e tij, përfshirë shqetësimin e përhapur për moshën e tij./VOA/

SHKARKO APP