Nikoll Lesi: Doktor, kujto vitet 2004-2005!
Nga Nikoll Lesi-
Çdo opozitë do t’i kishte shfrytëzuar skandalet qeveritare për ta rrëzuar pushtetin. Janë aq shumë akuza sa duhet një e shtyrë e fortë e murit dhe bie krejt kështjella e mazhorancës. Dhe nuk janë skandale që i nxjerr media si investiguese, as akuza normale opozitare, që gjithsesi duhej të kishin shkaktuar tërmet në mazhorancë. Është SPAK që po heton dhe po burgos drejtues kryesorë në qeveri e mazhorancë. Është SPAK, me një prapavijë të fortë ndërkombëtare, i cili po shkruan historinë e vendit, edhe duke futur indirekt duart në politikën e vjetër, por që po ndëshkon për herë të parë ata që quhen të “paprekshëm”.
Qeveria në një vend normal demokratik duhej të kishtë rënë pas gjithë këtyre hetimeve e arrestimeve. Ose vetë kryeministri i drejtohej popullit me zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare. Dhe kur nuk ndodh kjo, që pak gjasa ka që mund të shkohet drejt zgjedhjeve të reja, atëhere është opozita ajo që ngre popullin dhe e detyron qeverinë për t’iu drejtuar Sovranit-popull.
Por kur populli në masë të madhe nuk shkon kah opozitës, edhe kur m.. është bërë mullar nga pushteti, atëhere problemi tjetër mbetet se opozita nuk krijon besim, nuk është akoma alternativë pushteti.
Por kjo krijon indiferencë, mungesë angazhimi qytetar, shoqeria fillon e venitet, e keqja në të dyja kampet zë vendin kryesor dhe nuk ka shpresë.
Edi Rama e di mjaft mirë se mazhoranca po dobësohet, ndonëse ka 83 mandate. E di se edhe Berisha nuk është besim, shpresë dhe alternativë për opozitën që të krijojë hov të ri. Ndaj Rama e thotë jo pa qëllim se “nuk jemi më të mirët, por me të mirë se ne NUK KA”.
Edhe nëse Ramës ia çon Zoti në mëndje të shkojë në zgjedhje të reja për të shkarkuar rrufetë e motit amerikan që ka kapluar Tiranën, prapë fiton. Nuk merr 83 mandate, por në rastin me të keq nuk del pa 74 mandate. Edhe sikur të futet nesër opozita me Qeveri Teknike (që pak gjasa ka), prapë PS-ja fiton.
Atëhere pse duhet të shkohet në zgjedhje të reja, kur Opozita nuk është gati, edhe pas 12 vitesh, që të rikthehet në pushtet?
Unë e kam thënë në emisione televizive, se përherë problem është QEVERIA, por ka disa vite që problem mbetet edhe OPOZITA!
Duke iu rikthyer protestës së mbrëmshme të PD mund të them se kishte pjesmarrje, por ishte vetëm pjesa militante e PD-së; nuk kishte shoqeri civile, nuk kishte socialistë të pakënaqur me qeverinë; nuk kishte nga ai elektorati “gri”, që është vendimtar për ta rrëzuar kryeministrin Rama.
Ishte protestë karikuese për bateritë e rrënuara të PD-së, dhe disi ia arriti qëllimit. Por nuk mjafton kaq. Duhet popull, duhet frymë e besim, ka nevojë për një alternativë që ngroh zemrat e qytetarëve se mund të jetë dikush që qeveris më mirë.
Duhet që PD-ja dhe vetë Berisha të rishohë vitet 2004-2005, kur pas një shkatërrimi total të vendit, populli ia besoi prapë qeverisjen PD-së, duke rrëzuar kryeministrin Fatos Nano.
Atëhere Berisha veproi me mjeshtëri, pasion dhe krijoi alternativë pushteti më të besueshëm se ai i Nanos.
Dhe e rrëzoi!
Ndërsa tani Berisha, i lodhur dhe nga vitet mbi supe, mosbesues ndaj kujtdo në PD pas pabesisë së Lulzim Bashës; i nomuar “nongrata” nga SHBA dhe Britania e Madhe; i rrethuar me deputetë që fshehin thikat nën astarin e xhaketës, ai nuk sjellë më besim.
Ka militantët besnikë, por nuk mjaftojnë!
Berisha duhet të mendojë për pasardhësinë e tij në Selinë Blu, të mëndojë për vetë PD-në sepse nuk janë ata që ka rreth vetes sot, PD-ja e së ardhmes; lideri demokrat duhet të dalë mbi vetveten dhe të gjejë apo të gjejnë si Seli Blu, kandidatin për kryeministër që nesër, nëse fiton zgjedhjet, ai ose ajo të jetë kryetari i PD-së.
Ndryshe PD-ja duket sot unike, por nesër kur Zoti të shikojë nga Selia Blu, dhe nuk ka më Sali, PD-ja copëtohet katërqind copash!
PD-ja ka nevojë për të kopjuar vitet 2004-2005, natyrisht përshtatur me kohën e sotme digjitale. Asokohe Doktori përbashkoi demokratë e socialistë, të pavarur e të “varur”, të gjithë bashkë, ndonëse kishte në Koalicion që nuk e donin njeri tjetrin, por i bashkoi se kishte përballë një klikë qeveritare të korruptuar.
Ndaj nëse nuk e bën tani, Opozita do shkojë nga protesta në protestë, por pa njerëz të tjerë jashtë PD-së.
Dhe vetëm me ushtrinë e sotme demokrate, Edi Rama fiton çdo betejë, edhe i plagosur!
KOHA JONË SONDAZH

