Presidenti Nishani, akuza të ashpra Ramës: Kryeministri, sjellje ordinere
Presidenti Bujar Nishani ka reaguar sot pas akuzave që kreu i qeverisë, Edi Rama bëri në Kuvend. Me tone të ashpra, Nishan shprehet se sjellja e kryeministrit është e patolerueshme.
Deklarata e plotë e Presidentit
Institucioni i Presidentit të Republikës është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës.
Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar.
Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt.
Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë.
Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale.
Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike.
Të luftoje bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor.
Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë. Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj.
Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit.
Ja deklarata e Kryeministrit për Presidentin sot në Kuvend
Rama: “Ju që u angazhuat deri edhe me armë, për të penguar ndërtimin e një parku lodrash, nuk bëzani, përkundrazi, angazhuat presidentin e republikës, të cilin e keni kthyer në një kryetar komplementar të Partisë Demokratike, për të dalë publikisht dhe për të marrë në mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të parafytyrojë mendja normale, po të lexojë ligjin dhe po të shikojë konfliktin e interesit të të gjithë pjesëtarëve të saj. Si ka mundësi kjo!”