Nishani: Kanabisi, kërcënim për qytetarët shqiptarë dhe ata italianë
Çështja e trafikut të kanabisit në vend ka qenë temë diskutimi mes Presidentit Bujar Nishani dhe homologut të tij italian, Sergio Mattarella, gjatë vizitës zyrtare që kreu i shtetit shqiptar po zhvillon në vendin fqinj.
“Presidenti Nishani theksoi se përballja me krimin e organizuar e veçanërisht me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit është një sfidë shumë e rëndësishme pasi ato janë shndërruar në një kërcënim në rritje si për qytetarët shqiptarë, por po aq edhe për qytetarët italianë të cilët mund të vuajnë të njëjtat pasoja. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis të gjitha llojeve të agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve”,- njoftoi zyra e Shtypit në Presidencë.
Ndër të tjera Presidenti Nishani shprehu që në fillim kënaqësinë për zhvillimin e kësaj vizite zyrtare në Romë, duke e konsideruar një shprehje të qartë të marrëdhënieve të shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Presidenti Nishani, duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi dhe spektrit shumë të gjerë të bashkëpunimit u shpreh se “marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të partneritetit mes dy vendeve, të cilat bazohen në marrëdhënie shumë dimensionale historike, kulturore dhe ekonomike, vitet e fundit janë intensifikuar dhe ngritur në një nivel edhe më të lartë dhe kanë hyrë në një fazë të re dhe shumë dinamike, si në aspektin e bashkëpunimit politik e institucional ashtu edhe në atë kulturor dhe ekonomik.”
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për gjithshka Italia ka bërë për t’i ndihmuar në kapërcimin e ditëve të vështira të pas rënies së regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë, dhe veçanërisht në hapat e para të konsolidimit të shtetit të së drejtës, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur agjencia Kooperacionit Italian për Zhvillim. “Asistenca e gjithanshme dhe e parkursyer e Italisë për Shqipërinë dhe shqiptarët jo vetëm që ka ndihmuar në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike në Shqipëri, por ka forcuar edhe më shumë miqësinë mes dy popujve tanë.” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani vlerësoi dhe rolin e madh që luan në këtë miqësi komuniteti i vjetër arbëresh dhe ai shqiptar i pas viteve 90.
Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Nishani vlerësoi nivelin e arritur deri tani dhe theksoi se për Shqipërinë, Italia është partneri i parë në shkëmbimet dypalëshe, por theksoi gjithashtu se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve janë edhe më të mëdha. “Është e rëndësishme që institucionet e të dy vendeve tona t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe bashkëpunimit ekonomik, pasi mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt janë ende të pashfrytëzuara siç duhet.” – theksoi Presidenti Nishani. Gjithashtu, Presidenti Nishani bëri thirrje për një prezencë më të madhe të investitorëve italianë, veçanërisht në sektorët strategjikë ekonomikë.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen e dhënë nga Italia në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, duke ndihmuar në konsolidimin e institucioneve të specializuara shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale të çdo lloji.
Lidhur me reformën në drejtësi, Presidenti Nishani vlerësoi ekspertizën italiane si dhe theksoi se pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese me konsensus të plotë vjen hapi tjetër dhe më i rëndësishëm, ai implementimit dhe monitorimit të këtij implementimi për të cilën ndihma italiane do të ishte shumë e domethënëse, veçanërisht në moskapjen politike të mekanizmave të drejtësisë.
Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen edhe për mbështetjen e vyer që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të integrimit në strukturat euroatlantike dhe evropiane. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen dhe asistencën teknike në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shprehu besimin se Italia do t’i japë një domethënie substanciale procesit të Berlinit, të inicuar tre vite më parë për zhvillimin e qendrueshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe që në vitin e ardhshëm do të organizohet nga Italia. “Mbështetja e Italisë për progresin e Shqipërisë drejt aderimit në Bashkimin Evrpopian është e pazëvendësueshme dhe jemi besimplotë se edhe në kuadrin e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit në Union kjo mbështetje do të jetë shumë domethënëse.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vemendje të veçantë bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, zhvillimeve rajonale, si dhe sfidave dhe kërcënimeve nga flukset e paprecedenta migratore dhe terrorizmi e ekstremizmi i dhunshëm. Presidenti Nishani e informoi homologun e tij mbi rolin që Shqipëria vijon të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të gjitha këto aspekte, duke pasur dhe përgjegjësinë e të qenit i vetmi vend anëtar i NATO-s, nga gjatë vendet e mbetura ende jashtë Bashkimit Evropian.
Presidenti italian Mattarella e siguroi Presidentin Nishani për vijimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të Italisë për Shqipërinë në të gjitha aspektet, veçanërisht në kuadrin e integrimit evropian dhe hapjes së shpejtë të negociatave të aderimit në BE.
Në kuadrin e vizitës zyrtare në Romë, Presidenti Nishani, zhvilloi takime edhe me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso, si dhe Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Senatit, Pier Ferdinando Casini, me të cilët bisedoi për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përfshirë dhe dimensionin parlamentar.