Niveli i detit po rritet me shpejtësi, NASA: 10 centimetra që nga viti 1993, çfarë ndodhi vitin e fundit

Niveli mesatar global i detit u rrit me rreth 0.76 centimetra nga viti 2022 në 2023, gati katër herë më shumë se një vit më parë, ka thënë agjencia e NASA-s të enjten, duke ia atribuar rritjen fenomenit El Nino dhe ndryshimit të klimës.

Analiza nga NASA bazohet në më shumë se 30 vjet vëzhgime satelitore. Satelitin e parë e lëshoi në vitin 1992 dhe të fundit më 2020.

Në përgjithësi, niveli i detit është rritur me rreth 10 cm që nga viti 1993. Norma e rritjes është përshpejtuar, duke u dyfishuar nga 0.17 cm në vit më 1993 në normën aktuale prej 0.43 cm në vit.

“Përshpejtimi aktual do të thotë se ne jemi në rrugën e duhur për të shtuar 20 centimetra të tjerë në nivelin mesatar global të detit deri në vitin 2050”, ka thënë NASA.

NASA thotë se kjo do të ishte dyfishi i ndryshimit në tre dekadat e ardhshme krahasuar me shekullin e kaluar, duke krijuar një të ardhme në të cilën përmbytjet do të ishin shumë më të shpeshta dhe më katastrofike se sot.

Shkaku i rritjes së tillë është El Nino.

El Nino është fenomen natyror i motit i lidhur me ndërprerjen e erës, që do të thotë temperatura më të larta të sipërfaqes së oqeanit në Paqësorin lindor dhe qendror.

El Nino, i cili ndodh mesatarisht çdo dy deri në shtatë vjet, zakonisht zgjat nëntë deri në 12 muaj dhe mund të shkaktojë ngjarje ekstreme të motit, si zjarret në pyje, ciklonet tropikale dhe thatësirat e zgjatura.

Por edhe faktori njeri ka gisht, veçanërisht me ndryshimet klimatike.

SHKARKO APP