E pabesueshme, e dhimbshme dhe e rrallë historia vajzes beratase
TV Klan ka dhënë sot një histori të pabesueshme, e dhimbshme, e pa imagjinueshme nëse do të tregohej në median e shkruar. Duhej parë, shikuar e dëgjuar në televizion që të krijohej ideja e plotë e kësaj ngjarje të pa ndodhur.
Por Etleva, vajza nga Berati, ka treguar historinë e saj, e cila është e pandodhur kurrë. Etleva është me intelegjencë, simpatike, e dashur dhe njeri që synon në jetë. Ajo mbetet shembull i një vajze që i ka rezituar jetës me këmbëngulje, me pasion për të ecur përpara. Ajo duhet respektuar dhe përkrahur.
Ja një pjesë nga historia e saj treguar në Tv Klan:
“Ka një mesazh për ty” në Tv Klan vjen me një histori plot dhimbje. Ajo është historia e Etlevës nga qyteti i Beratit dhe familjes së saj.
Etleva ka ardhur tek “E diela Shqiptare”, për t’i kërkuar falje prindërve të saj me aftësi të kufizuara. Prindërit e saj nuk flasin dhe nuk dëgjojnë prej vitesh.
“Kam ardhur këtu për tu kërkuar falje prindërve, pasi nuk ua kam shprehur aq sa duhet dashurinë, aq sa ata e meritojnë. Ata meritojnë shumë” – thotë Etleva.
E përlotur, ajo rrëfen dhimbjen që ajo dhe familja e saj ka përjetuar.
“Historia ime nis atëherë kur nis edhe historia e prindërve të mi. Kur kanë qenë të vegjël kanë patur temperaturë të lartë dhe pamundësia, bëri që ata të mos flasin dhe mos të dëgjojnë për gjithë jetën. Ata janë shkolluar në Tiranë në Institut, dhe marrin profesion, mami si rrobaqepëse dhe babi si berber. Ata janë martuar me mblesëri”– thotë Etleva.
Jeta për ta ka qenë një sfidë e vërtetë pohon ajo, ku përveç problemeve ekonomike, papunësisë, ajo ka ndjerë edhe mungesën e fjalëve të ëmbla nga goja e prindërve të saj, ato fjalë që bashkëmoshatarët e saj i dëgjonin.
“Kur isha e vogël më mungonin fjalët, xhani mamit, apo hajde në shtëpi. Kur kisha gjyshërit afër, s’e vija re ndryshimin. Gjyshja ngrihej natën dhe më qetësonte mua dhe zgjonte mamin e i thoshte se po qan goca. Ata nuk dëgjonin, as kur bija as kur vritesha. Unë u rrita me ndihmën e gjyshërve.”
Adoleshenca e saj ka qenë një tjetër stad ku ka ndjerë mungesën e këshillave të prindërve të saj. Por përveç kësaj, ajo ka ndjerë edhe peshën e rëndë të paragjykimeve në shkollë, pasi ndihej ndryshe nga fëmijët e tjerë.
“Kur ikja në shkollë, kur shihja që fëmijët e tjerë që diskutonin për prindërit e tyre, aty ndihesha pak në siklet, nuk flisja…” –thotë e përlotur ajo.
Etleva thotë se gjatë adoleshencës madje shpesh herë është rebeluar ndaj tyre, duke i lënduar pa masë.
“Rebelohesha ndonjëherë, u thoja pse më lindët, kur ju nuk jeni të aftë për veten. Se lodhesha dhe më vinte ndonjëherë edhe turp, se shokët mos më thonin: je vajza e atij që nuk flet, nuk e doja këtë gjë. E di që e kam lënduar mamin dhe babin, ata janë shumë të brishtë, ata meritojnë shumë dashuri. Kur unë i thoja ashtu, bëheshin si fëmijë të vegjël dhe ndihem shumë në faj për këtë”- rrëfen Etleva.
Për këto lëndime që ajo i kishte shkaktuar prindërve të saj, ajo vjen me një mesazh tepër të bukur dhe emocionues.