Një histori brilante e Berishës ish-ambasador në Britaninë e Madhe
Mal Berisha, Ambasadori Shqiptar në Britaninë e Madhe në vitet 2012-2015, flet për jetën dhe veprimtarinë e Charles Telford Ericksonit, misionar protestant amerikan i cili shërbeu në Shqipëri dhe për çështjen shqiptare që nga 1908.
Berisha e ka studjuar këtë figurë të dashur prej shumë vitesh dhe ka shkruar 4 vëllime për të . Jo më kot ai e ka zgjedhur këtë figurë “sepse tek ai shoh njeriun e virtytit, të sakrificës, të përkushtimit të madh ndaj çështjes dhe kauzës që ai ka besuar”. Mal Berisha është ambasador karriere, ndër me të mirët që ka Shqipëria. Por përveçse ambasador ai është historian, njeri i letrave dhe kulturës.
Lexoni në këtë intervistë shumë fakte interesante të thënë nga Z. Berisha për misionarin amerikan i cili sakrifikoi jetën dhe familjen e tij për një Shqipëri e cila falë Erickson mbeti në kufinjtë e saj politikë.
(Foto e intervistes eshte ilustruar me Mal Berishen i cili ka dale me artisten, kengetaren dhe modelen boterore Rita Ora, foto e bere ne Londer)
– Si jeni lidhur me Erickson? Si ndodh që ambasadori shqiptar në Londër takohet me këtë figurë historike? Dhe si keni arritur të bëni një punë kaq madhështore, 3 vëllime për jetën e Erickson-it?
– Nëse ka diçka që më tërheq për të folur dhe shpjeguar është jeta e Erickson-it. Ericksoni besoj që ka pasur një forcë të jashtëzakonshme për tju bërë njerëzve mirë në kohën kur ka qënë gjallë. Por unë mendoj se tek unë ai ka një efekt të jashtëzakonshëm transformues sepse tek ai shoh njeriun e virtytit, të sakrificës, të përkushtimit të madh ndaj çështjes dhe kauzës që ai ka besuar. Unë kam rënë në kontakt me emrin e Erickson-it diku në vitin 2009 kur Organizata “VATRA” në New Jork, e cila dikur ishte themeluar në Boston 100 vjet përpara dhe shumë kohë para se të formohej shteti shqiptar, pati një përvjetor dhe mua më thirrën që të mbaja një kumtesë mbi kontributin e disa figurave amerikane në çështjen shqiptare. Gjatë studimeve më ra në dorë libri i Dr. Harry Silajxhixh, i cili ka qënë president i Bosnjes. Por ai është doktor i shkencave historike bazuar mbi një disertacion me titull “Ҫështja Shqiptare në Arkivat Amerikane.” Dhe duke shfletuar librin më tërheq vëmendjen emri i Charles Telford Erickson i cili për fatin tim jo të mirë nuk ishte përmendur ndonjëherë në letërsinë shqipe, në historinë shqipe, në enciklopedinë shqipe dhe unë u bëra shumë kureshtar. Fill pas kësaj, fillova të hulumtoj dhe kontakti im i parë me të ka qënë nëpërmjet Google. Nga ky kërkim, më doli se në Yale University, dhe konkretisht në Divinity Library të këtij Universiteti, gjendej një koleksion letrash, të lëna trashëgim nga Charles Telford Erickson. Kjo më shtyu që vite më vonë tju kërkoja libraristëve të kësaj Bibloteke një të drejtë për të parë dokumentat. Dhe unë mendova se kur të shkoja atje gjithshka që do të gjeja do të ishin disa letra me të cilat mund të bëhej një artikull me to. Por surpriza ime ishte se kur vajta atje, ata ishin shumë bujarë dhe të sjellshëm, më sollën një trailer shumë të madh në të cilën kishte dosje pafund. Dhe unë pashë se aty do të ishte një pune e jashtëzakonshme. Ky ishte kontakti im i parë me Erickson.
Për ata që nuk e njohin, çfarë mund të na thoni për Erickson, pse erdhi në Shqipëri dhe çfarë bëri ai për Shqipërinë?
Erickson ishte një bir i një familjeje emigrantësh nga Suedia. Babai i tij ka qënë tamburxhi në Luftën Civile në Amerikë. Ai u edukua shumë mirë, me siguri jo vetëm nga Kisha Protestante por edhe nga arsimimi i tij në Universitetin e Yale dhe me sa duket i edukuar edhe me një frymë bamirëse, ai mori një post në Burma (Birmani) dhe kaloi disa vite atje bashkë me të shoqen Carrie. E shoqja nuk e duronte dot jetën e misionarit dhe të vuajtjeve si dhe privacionet e mëdha që i shoqërojnë këto lloj njerëzish. Kështu ai u detyrua të kthehej në Shtetet e Bashkuara. Por meraku i tij për të vazhduar punën e misionarit në ndihmë të njerëzve të varfër dhe atyre në nevojë, nuk e lanë rehat dhe kështu ai aplikoi pranë bordit të misionarëve i cili, me shumë vështirësi, pas disa kohësh, i ofroi një post. Pikërisht një post në Shqipëri, në Perandorinë Osmane. Ai arriti ta bindte Carrie duke i thënë se do të shkonin në një vend misionarësh në Europë, çka do të ishte diçka komplet ndryshe nga koha e Burmës. Në vitin 1908, Erickson, së bashku me djalin dhe dy vajzat, udhëtojnë me një steamer, nga Amerika në Londër, Marsejë e të tjera për të përfunduar në Selanik. Prej këtu, në Manastir dhe më pas bën 7 ditë rrugë për të arritur në Korçë ku ishte misioni i Finis Kennedy. I bashkohet këtyre misionarëve dhe në filim të 1908, ai ka bërë edhe meshën e parë në Kishën e Korçës. Pas 15 ditësh, ky njeri kaq i madh, mendoi se Korça është kaq e zhvilluar dhe e përparuar sa nuk ka nevojë për punën e tij prej misionari dhe do të ishte më mirë të shkonte në një vend që ishte më i prapambetur. Dhe vendi tjetër do të ishte Tirana. Ai ka bërë një udhëtim spektakolar nga Korça në Tiranë. Me kuaj , ai shkoi në Sarandë dhe më pas në Korfuz sepse Saranda dhe Tirana nuk lidheshin dot me mjete tokësore. Dhe nga Korfuzi, ku qëndruan 2-3 ditë, udhëtuan me një steamer për në Durrës dhe më pas në Tiranë. Kështu ai nis jetën e misionarit në Tiranë ku, sipas dokumentave që kam studjuar, nuk kishte asnjë të krishterë. Ishin 12, 000 banorë. Qyteti ishte mbuluar nga minaret e xhamive. Obskurantizmi mbizotëronte gjithkund. Shkolla nuk kishte ndërsa administrata publike turke ishte e prapambetur sa nuk thuhet. Dhe diku në rrugën e Dibrës (unë jam munduar ta gjej atë shtëpi por se kam gjetur ende që ti vë një emër), vendoset së bashku me fëmijët dhe Carrie. Dilte çdo ditë në qytet, fliste me njerëzit, mësoi shumë shpejt shqip. Jeta e tyre ishte jashtëzakonisht e vështirë. Carrie filloi të mos ta durontë këtë lloj jete. Ka shumë episode të bukura lidhur me këtë moment. Ndër to, do të them një. Një ditë, Erickson kishte dalë në qytet dhe kthehet dhe i thotë Carrie: “Carrie, today I learned several Albanian words.” (Carrie, sot mësova disa fjalë në gjuhën shqipe.) Dhe Carrie i përgjigjet: “Erick, did you learn how to say “Please Take me home!” (Erick, por a e mesove se si i thonë në shqip “Të lutem, më ço në shtëpi!)
Represioni turk ndaj këtij njeriu filloi të rritej shumë. Dhe e kuptoi se ishte e pamundur të vazhdonte të qëndronte në Tiranë. Meqënëse Elbasani po kthehej në një qendër kulturore shqiptare ndërsa po flitej për hapjen e normales së Elbasanit, që ka përgatitur patriotët më të shquar të kombit shqiptar, ai vendosi të shkonte në Elbasan. Udhëtimet e tij janë një përshkrim i madh vuajtjesh. Nga ana tjetër, Carrie kishte marrë me vete edhe një piano të cilën ja kishin dëmtuar shumë gjatë rrugës. Kjo ishte një histori më vete. Në Tiranën obskure ku dëgjoheshin vetëm zërat e muezinëve dhe askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë instrument të tillë, një zonjë amerikane e mrekullueshme, e lindur në Neë York, i binte pianos në atë qytet. Pra, ai solli diçka të rrallë në jetën shqiptare. Që aty, ai kaloi në Kavajë ku ka pasur miq të fuqishëm, dhe më vonë arriti në Elbasan ku u morr me hapjen e një shkolle amerikane. Por edhe këtu nuk pati sukses sepse Turqit përdorën të gjitha format e dhunës ndaj tij.Në Elbasan, mbas një viti, i lindi edhe një vajzë dhe kështu Erickson u bë me katër fëmijë. Mbas disa kohësh, do të hapë një shkollë amerikane por Turqit pretenduan se ajo shkollë duhej për ta transformuar në një magazinë baruti e armësh. Më vonë e morën dhe e internuan në Manastir për disa muaj nën masa represive.
Eshtë një episod nga më interesantët në jetën e Erickson që unë kam dëshirë ta tregoj. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara kishin ambasadën e tyre në Stamboll dhe turqit i dhanë mundësi Erickson të shkonte në ambasadën e shtetit të vet dhe të ankohej. Shkon atje dhe në mos gaboj, ambasadori amerikan quhej Shtraus, ulet ballë për ballë me te dhe i thotë: Erick, në atë karrigen ku je ulur ti, ka qene dje i ulur ministri i jashtëm i perandorisë osmane dhe kam bërë një bisedë me të për ju. Dhe i kam thanë: Z. Minister, çfarë keni me atë Erickson që e ndiqni kaq shumë? Ai duket të jetë një njeri shumë i ndershëm, me një familje të mrekullueshme, ju çfarë keni me te?” Dhe Ministri turk, thotë ambasadori, mu përgjigj: “Ju çkeni me te sepse ai nuk është amerikan. Ai është një shqiptar i cili fshihet pas një pasaporte amerikane sepse në shtëpinë e tij, futen njësoj, si të krishterë, si myslimanët, si hebrenjtë, dhe të gjithë gjejnë paqe, të gjithë gjejnë mësim, të gjithë komunikojnë me të. Ai ka arritur ta mësojë shqipen aq mirë sa e flet atë si me njerëzit e rrugës ashtu edhe me intelektualët.” Ky ishte për Erickson një kompliment i jashtëzakonshëm sepse siç e tregoi edhe koha më vonë, jeta e tij ishte e lidhur krejtësisht me Shqipërinë. Falë ndërhyrjes së Ambasadës Amerikane, ai kthehet në Manastir dhe lejohet të vijë përsëri në Elbasan. Këtu i lind vajza e pestë, ajo që quhej Grace Johnson Erickson për të cilën do të flas pak më vonë. Në tetor të 1912, pak para se Shqipëria të shpallej e pavarur, djali i Erickson nuk arrin të mbijetojë për shkak të një dëmtimi që pëson duke luajtur. Pavarësisht kurave që merr në Zvicër, djaloshi vdes. Pikërisht në këtë moment kaq të dhimbshëm për Erickson, në Shqipëri ndodh diçka e madhe – shpallet pavarësia e Shqipërisë. Kështu Erickson shpejton të vijë në Shqipëri. Ishte diku dhjetori i 1912. Kur vjen në Durrës, e gjen atë të pushtuar nga forcat serbe. Nuk kam arritur të gjej ndonjë dokument që të më evidentojë se si Serbët dinin kaq shumë për Erickson dhe për kontributin e tij ndaj çështjes shqiptare sa që e quanin edhe armik të Serbisë. E arrestojnë dhe e mbajnë për 7 ditë pa ushqim e pa kujdes. Kur e pa se po vdiste, ai gjen një mënyrë që vetëm një njeri i zgjuar mund ta bëjë. Shkruan një letër në gjuhën shqipe dhe çdo ditë ai shihte nga dritarja e qelisë së burgut, njerëzit që ecnin. Midis tyre ishte edhe një djalosh që luante me top. Në letër ai shkruan: “I dashur djalosh, dërgoje këtë letër tek Konsullata Austriake, tek Charles Halla, dhe i thuaj se Charles Telford Erickson është në burgun e serbëve në Durrës dhe ka nevojë për ndihmë.”
Kishte një marrëveshje midis shtetit amerikan dhe atij austriak që në territorin shqiptar të Perandorisë Osmane, ndihma konsullore ju sigurohej amerikanëve nga konsullata austriake. Pra, Halla duhej të kujdesej për Erickson por ata kishin edhe një miqësi të hershme me njëri-tjetrin. Charles Halla e nxjerr Eickson nga burgu por Serbët i vënë një kusht: ai duhet të ikte nga Shqipëria. I shtrënguar nga forcat serbe, Erickson merr familjen dhe largohet nga Shqipëria. Duke mos pasur mjete udhëtimi, ai arrin të gjejë veç kuaj romësh të cilët nuk do ta çonin larg. Ndërsa pushon në një moment për tju dhënë bukë fëmijëve, ai sheh një djalë që kishte dy kuaj, një që kishte hipur dhe tjetrin që e tërhiqte. Ai i thotë se babai i tij e kishte dërguar në mal për ti marrë këta kuaj dhe për tjua dhënë atij për të udhëtuar. Këtë moment, Erickson e përshkruan me një lloj krenarie dhe glorifikimi të jashtëzakonshme për virtytet e Shqipëtarëve. Prej këtej, largohet nga Durrësi për të ikur nga Shqipëria.
Sipas mendimit tuaj, kush janë disa nga momentet më domëthënëse lidhur me Erickson?
E para, Erickson është ndër ato njerëz që e ka edukuar opinionin publik ndërkombëtar, ndoshta më mirë se kushdo tjetër, lidhur me çështjen shqiptare. Pas largimit nga Shqipëria, direkt në vitin 1913, kur në Shqipëri ndodhnin luftërat ballkanike, ai ka marrë një mision nga Londra, nga The Economist, dhe ka shkuar në Shqipëri ku ka botuar një cikël artikujsh, që fillonte që nga Shkodra, ku ekspozonte përpara opinionit të tërë botëror gjithë atrocitetet, gjithë barbarizmat që po bëheshin kundër popullut shqiptar. Dhe për mua, kjo është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe që ai i ka dhënë popullit shqiptar sepse në atë kohë, kishte shumë pak zëra që flisnin për ne shqipëtarët. E dyta, në vitin 1919, ai është anëtari më aktiv i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Dhe unë besoj shumë se vendimi i Presidentit Uillson për të mos nënshkruar marrëveshjen e paqes në Paris, në qoftë se kufinjtë e Shqipërisë do të cënoheshin, ka ardhur si rezultat i edukimit të përditshëm prej 15 ditësh që ai i ka bërë Presidentit Uillson duke i çuar këtij të fundit çdo ditë një letër dhe falë një njohjeje që Charles Telford Erickson kishte me të shoqen e Presidentit Uillson e cila punonte për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Këto letra viheshin në krye të paketës së madhe të letrave që Presidenti Uillson thuhej se merrte çdo dite, gati 1000 deri në 1200 letra nga letrashkrues të ndryshëm nga Ballkani të cilët pretendonin ti merrnin nga një copë tokë njëri tjetrit. Duke i çuar letra përditë, unë mendoj se produkti i kësaj pune është deklarata e Presidentit Uillson në France Press në ditët e fundit të Konferecës kur ai thotë se delegacioni amerikan kurrë nuk do të nënshkruajë një deklaratë e cila do të cënonte kufinjtë politikë të Shqipërisë. Kjo ishte surpriza më e madhe për të gjithë ata. Pra, fakti është që Shqipëria mbeti në kufinjtë e vet.Për mua, kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Ne, Shqipëtarët, ende pyesin se pse Presidenti Uillson na mbrojti ne? Ka disa gojëdhana. Janë vetëm disa gojëdhana. Por letra e Presidentit Uillson, dërguar më 25 Prill të 1919, delegacionit shqiptar, të drejtuar nga Turkan Pasha, në të cilën kishte në përbërje të tij Lef Nosin, Imzot Turtullin, Imzot Bumçin dhe Charles Telford Erickson, është një letër e shkruar e zeza mbi të bardhën me anë të së cilës ai i falenderon ata. Ai i thotë: “Në mesin e kësaj dite të zënë për mua, gjej kohën për tju falenderuar për letrën dhe për falenderimet që me keni dërguar për atë që u bë për Shqipërinë.” E treta, Erickson ka qënë për një vit përfaqësues i qeverisë shqiptare si agjent tregtar për të sjellë bizneset amerikane në Shqipëri në vitin 1921. Në vitin 1926, ai ka hapur shkollën e kavajës. Erickson ka qënë mik i ngushtë i Herbert Hoover, Presidentit Amerikan.Por kur Hoover ishte minister i tregtisë, ai i ka dhënë Ericksonit 10,000 dollarë nga fondi i tij personal në kushte anonime. Dhe vetëm kur Erickson vdiq u zbuluan konfermat e letrave që tregonin se ky fond ishte dhënë nga Hoover. Pra, Shkolla e Kavajës ka në themel edhe një fond personal nga ish-Presidenti Hoover. Dhe shkolla u hap.
Po takimi juaj me Grace, vajzën e Ericksonit? Ҫfarë mund të na thoni për të?
Në kohën kur po përfundoja librin tim për Erickson, kisha një brengë. A ka mundësi që ky njeri të mos kishte lanë askërken pas vetes? Një lloj trashëgimie? I kisha shkruar një vit më parë At Lionilit që është Kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston dhe i kisha kërkuar se mos kishte ndonjë lidhje me këta njerëz. Ai më ktheu një përgjigjje duke më thënë se shumë vite më parë kishte takuar Grace dhe djalin e djalit, Paul. Një mëngjes, ndërsa isha në Himarë, duke përmbyllur librin mbi Erickson, marr një email nga At Lionili ku më thonte se ai kishte rënë në kontakt me njerëzit e Erickson, pikërisht me Donald, djalin e Grace, vajzës së Erickson, i cili gjendet në Boston dhe për çudi edhe me Grace e cila është gjallë në moshën 101 vjeçare e cila gjendej në një azil pleqsh. Kjo ka qënë një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime. U lidha me ta. Dy mbesat dhe nipi i Erickson morën pjesën në inagurimin e librit. Më pas, Grace e kisha shumë merak, thoja me vete një zonjë që ka lindur në trojet shqiptare në vitin 1911, çfarë mund të mbante ajo mend nga i ati i saj? Së bashku me Zonjën time dhe djalin, që tani studjon në Harvard, e gjetëm Grace. Ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime. Nuk dija si të sillesha me një zonjë si ajo. E dinte se kush isha unë. Ajo më tha: Babai im ka qënë një njeri i madh. Ai e ka dashur kaq shumë Shqipërinë. Ai ka hapur shumë shkolla atje.” Biseduam për nja 10 minuta. Pikërisht për këtë moment, kam shkruar me shumë kënaqësi edhe një artikull. Në fakt më duhet ta them se kur preka dorën e Grace, mu duk sikur preka qiellin sepse preka diçka që ishte trashëguar nga ky burrë që bëri kaq shumë për Shqipërinë.