Një këshillë publike për mikun tim, Sandër Lleshin!
Nga Enver Bytyçi
Një këshillë për Sandër Lleshin!
I dashur Sander,
Unë dhe ti njihemi. Jemi takuar në rrethana të tjera dhe na kanë bashkuar miq të përbashkët. Me beso se nuk të paragjykoj, edhe për faktin se njihemi! Ndaj dhe kam një këshillë të sinqertë për ty, mik i dashur.
Qeveritë vijnë dhe ikin, shteti mbetet! Shqipëria mbetet! Nderi mbetet! Lëre shefin tënd në fatin e vet dhe mbroje shtetin, nderin dhe Shqipërinë!
E di se ne, “maloket”, kemi një ves të keq e të mirë njëkohësisht: – Jemi me tepri mirënjohës! Dhe është mirë që jemi mirënjohës, por mos u komplekso nga “ndera” që kryeministri të bëri, duke ju dërguar madje me forcë në krye të ministrisë së Brendshme! Nuk e ka bërë për ty! E ka bërë për të shfrytëzuar dobësinë tënde të “besnikut” në “mirënjohje”!
Mbaje kontraten, i dashur mik, me qytetarët e Shqipërisë dhe jo me një kryeministër tiran të shqiptarëve!
Nëse do ma marrësh parasysh këtë këshillë, të siguroj se do të jesh i suksesshëm dhe do dalësh me faqe të bardhë nga kjo betejë, e cila do të përfundojë me ikjen e shefit tënd, kryeministër! Sigurisht do ikesh dhe ti bashkë me shefin. Por së paku, nëse ndryshon sjellje, do ndjehesh i lirë të dalësh shëtitje rrugëve të Tiranës.
Ndryshe as Tiranën nuk do ta shijosh!