Një marrëveshje – pazar i ndyrë. Basha shet parimet, Rama ruan karriken
Nga Nikoll Lesi
Marrëveshja e dirigjuar në media dhe në publik si një kontribut për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme përfundoi në një pazar të ndyrë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Në vend që të luftohej dhe realizohej “Republika e re”, siç premtoi Lulzim Basha para demokratëve, ai pranoi përsëri kryeministrin e vjetër, Edi Rama dhe mori prej tij një tortë të madhe me poste ministrash, drejtorësh – ku ka tenderime – dhe organesh të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet e lira e të ndershme.
Një pazar që realisht u dyshua prej publikut dhe medias së lirë se po hartohej që mbrëmë vonë kur Basha dhe Rama larguan kryetarët e partive të tjera politike dhe mbeten vetëm kokë më kokë. Një marrëveshje, e cila nuk prodhon zgjedhje të lira, porse ndan tortën e pushtetit dhe të parave në tavolinë.
Edi Rama shiti gjithçka nga pjesa e vyer e PS-së vetëm që të ruante karriken e tij kryeministrore. Shiti Fatmir Xhafajn, një ministër me staturë të lartë ekzekutive dhe një zyrtar korrekt me ligjin, i cili sapo nisi një fushatë të madhe antikanabis dhe spastrimin e krejt kupolës së policisë së shtetit. Është një përdorim i poshtër i emrit dhe staturës profesioniste të Fatmir Xhafës. Apo mbetet një hakmarrje e pastër, sepse filloi të pastronte Ministrinë e Brendshme nga mafiozët dhe njerëzit e lidhur me drogën? Si mund të largonte e të shiste ministrin e Financave, Arben Ahmetajn, i cili ia solli në parametrat me normal financat e shtetit? Apo ministren Olta Xhaçka, e cila është një nga ikonat femërore socialiste, që drejtonte një ministri të punës e të rinisë e që nuk kishte asnjë lidhje me zgjedhjet dhe standardet e tyre.
I dha edhe Ministrinë e Drejtësisë të drejtuar nga kryetari i LSI-së, Petrit Vasili duke prekur në pabesi edhe koalicionin qeverisës dhe pa e lajmëruar fare, gjë që praktikisht sjell rrëzim të koalicionit të deritanishëm. I dha drejtorë OSHEE, Hipotekash, tenderimesh, etj., çka nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet.
I dha praktikisht euro, dollarë dhe prona liderit të PD-së.
Kaq ishte dhe “çadra e lirisë”, e cila u shit për pazare e pisllëqe pushteti.