Një sqarim i detyruar për Çim Pekën dhe radiotelevizionin “Ora News”
Nuk do donim të replikonim me kolegët tanë për një sondazh të publikuar mbrëmë në radiotelevizionin ORA NEWS. Por të detyruar nga publikimi në disa portale, sidomos nga portali i njohur pranë opozitës “Syri.net”, i cili akuzon se shkrimi i marrë nga “KOHA JONË” për sondazhin prej një portali www.albanianews1.al menaxhohet prej Nikoll Lesit.
Kjo është akuzë e pasaktë dhe që do ishte mirë të vërtetohej, pasi ndryshe përben shkak për padi gjyqësore. Por duke patur respekt për gazetarin e “Syri.net” dhe drejtuesin e tij Çim Peka, si dhe nisur nga gabimet që mund të bëjë kushdo në media nga nxitimi, nuk kemi ndërmend ti drejtohemi kësaj udhe, e cila nuk do ishte mirë kur ka plot mundësi për ta vërtetuar se kush fshihet pas këtij portali.
“Koha Jonë” nuk ka bërë asnjë akuzë apo hipoteze ndaj televizionit “Ora News”, pasi ai mbetet televizion i respektuar për korrektësinë e lajmit.
Ndaj, nisur nga fushata elektorale, ku shumëkush mund të bëjë akuza e të ngrejë dyshime të kota; nisur nga respekti për dy mediat që cituam, do të ishte mirë që të përgënjeshtrohet nga “Syri.net” akuza për botuesin e “KOHA JONË”.
Redaksia e “KOHA JONË”