Një sqarim i detyruar për “Syri.net” i Çim Pekës dhe Lulzim Bashën e PD-së
Nga Nikoll Lesi.
I nderuar Çimi !
E para duhesh përgëzuar për një gazetë online të cilën e ke bërë shumë mirë dhe fakti flet vetë, edhe nëse nuk dua ta them si koleg. Je ndër web më të klikuara, sot për sot, brenda një kohe të shkurtër.
E dyta, Çimi, nuk do të thotë se çdo gjë që shkruan ti ka vlerën e së vertetës. Ashtu sikurse unë.
Është një mendim apo opinion i joti dhe prapë duhet vlerësuar, ndonëse në rastin e kohëve të fundit ke “thumbuar” disa herë median “Koha Jone” për qëndrimet tona. Por kam 25 vite në media dhe me duron lekura!
Sejcili shkruan dhe mban qëndrim sipas asaj që mendon bazuar në faktet që zotëron. Në lidhje me shqetsimin tënd apo të Lulzim Bashës se po ndikon Ilir Meta apo edhe unë që kryetari i PD-së të mos takohet me kryeministrin Rama, nëse me lejon si mik ( por ama po të marr leje miqësisht mëqënëse të respektoj si gazetar me kurajo) po të them se “NUK ME RRUHET FARE NËSE TAKOHEN APO JO, ATA TË DY), pasi sipas idesë time është një takim fasadë dhe pa produkt. Është me shumë një takim që i rrit vlerat kryeministrit Rama të sulmuar prej opozitës të cilin Berisha e ka quajtur “kriminel” dhe Lulzim Basha “që duhet rrëzuar me çdo mjet”.
Ndaj takimi Rama-Basha nuk ka asnjë kuptim, pasi asgjë nuk do të prodhojë, sepse po të jetë për reformën në drejtësi e ka komisionin parlamentar PD-ja ku mund të thotë mendimin e saj dhe PS-ja t’ia votojë. Po për ça do të bëjnë muhabet, për Atdheun e Popullin, ata të dy ?! Nëse flitet për Kodin Zgjedhor për PAZAR që të zhbëjnë LSI le ta bëjnë Kodin, pasi varet nga Ilir Meta forca e votave në koshin elektoral. Nëse ikën LSI-ja nga skena politike nuk vdes Shqipëria zoti Çim ! Por as nëse humbet Lulzim Basha zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 nuk do vdes PD-ja që ikën Basha i dashur Çim ! As nëse Edi Rama bie në humnerë nuk do vdesim zoti Çim ! Problemi është, sipas asaj që mendoj, se a është opozita e vendosur ta rrëzojë kryeministrin Rama kur thotë se po shkatërron Shqipërinë, se po qeverisë droga e Shullazi, se po biem në humnerë, se duhet të ngrejmë popullin ta rrëzojmë edhe me forcë ?!
Atëhere para se të marrë udhën për tek Rama duhet që Lulzim Basha t’i kërkojë falje publike kryeministrit për akuzat e rënda, bile kriminale. Në këtë rast me lejon të citojë Jozefina Topallin, një prej stoikëve të PD-së ndër vite. Ajo ka folur në grupin parlamentar të PD-së, siç kam lexuar edhe në web-in e nderuar syri.net se duhet që opozita të dalë në rrugë e të rrëzojmë këtë qeveri. A je dakort që të rrëzohet apo të takohen që të mos rrëzohet Çimi ? Unë për vete, të jem i sinqertë, them se nuk duhet rrëzuar me protesta e me qeveri teknike (Lulzim Basha ka deklaruar), por duhet me votë popullore kur opozita të jetë alternativë e besueshme qeverisëse. Edhe diçka e kam thënë dhe nuk e luaj asnjë presje se Basha është një alternativë e besueshme perendimore, por që i cili me shumë beson se sa dyshon, edhe kur e ftojnë në takime. Po të jetë për mua,gjithnjë nëse i shkon mendja Bashës, unë futem në luftë elektorale me Bashën, pasi mendoj se ia vlen për vendin të vijë në pushtet e jo të marrë udhën për tek pushteti i sotëm.
E parafundit mund të them se nuk kam aspak ndërmend të mbrojë Sali Berishën,siç thua mes rrjeshtave me ironi, pasi Saliu mbrohet vetë dhe nuk ka nevojë për asnjeri.
Me Saliun kam bërë dy beteja që doni apo nuk doni janë publike dhe ka vlerën e së vertetës. E para nga viti 1992-1997 kundër Berishës derisa iku me revoltë e votë dhe të dytën, për dreq, kur Fatos Nano lajthiti dhe e shkatërroi qeverisjen dhe e ktheu në një qeverisje mafioze, sikurse thotë sot Lulzim Basha për Edi Ramën, u bëra me Berishën nga viti 2003 dhe derisa e rrëzuam Nanon. Mendoj se dhashë kontribut jo të vogël në këtë rrëzim, pasi mendoja dhe prapë mendoj se Berisha ishte e keqja më e vogël e asaj kohe.
E fundit Çimi, mirë do të ishte që mes kolegëve të mos përdorët ironia apo hamëndjet, por argumenti e logjika, ndërkohë që edhe nëse shan apo sulmon prapë për mua mbetesh Çim Peka.