Nuk ndalojnë tragjeditë në Velipojë, shpërthejnë bombulat e gazit në hotelin turistik
Pas vrasjes së katër vetave në Velipojë para disa ditëve, nuk ndalojnë tragjeditë nga kjo zonë.
4 pjesëtarë të një familje mbetën të plagosur mëngjesin e sotëm nga shpërthimi i gazit të një bombule gatimi, në një prej hoteleve të plazhit të Velipojës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:45 minuta, në katin e parë të hotelit “Enriko”, në pronësi të familjes Gjoka nga Lezha.
Përveç pjesëtarëve të familjes Gjoka, në hotel nuk kishte persona të tjerë, pasi hoteli sapo kishte nisur përgatitjet për pritjen e pushuesve.
Policia vendore bëri të ditur se nga shpërthimi i gazit mbetën të plagosur 4 pjesëtarët e familjes Gjoka; nëna dhe tre fëmijët e saj të moshës 19, 15 dhe 12 vjeç.
Për shkak të djegjeve të shumta, të plagosurit u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe, më pas, në Spitalin e Traumës në Tiranë për një trajtim më të specializuar.
Forcat zjarrfikëse, që shkuan në vendin e ngjarjes gjetën, në mjediset ku ndodhi shpërthimi, edhe 5 bombula të tjera gazi. Ky është rasti i dytë i shpërthimit të gazit në plazhin e Velipojës. Katër vite më parë, nga shpërthimi i një bombule të madhe gazi, në një prej restoranteve të kompleksit turistik “Fishta”, gjetën vdekjen pronari i restorantit dhe djali i tij, si dhe u plagosën edhe dy persona.
Nga spitali m,jekët thonë se “Gjendja e të lënduarve është shumë, shumë e rëndë. Djegia 85-90%. Të gjithë janë një familje, në moshën prej 11 deri në 30 vjeçe, një fëmijë dhe tri gra. Janë nga Lezha dhe kanë ardhur te hoteli që kanë në Velipojë. Janë djegur nga bombola e gazit. Mbërritëm menjëherë policia, zjarrfikësi dhe ambulanca dhe i transportuam. Dy janë në Spitalin e Shkodrës, për dy të miturit pritet helikopteri, se janë në gjendje më të rëndë”.
KOHA JONË SONDAZH

